Ashton: Së shpejti hetimet për raportin e Martyt

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka thënë se shpreson që shumë shpejt të fillojë hetimi që do të konfirmonte të vërtetën rreth pohimeve të Dick Martyt, për tregtinë me organe të personave të rrëmbyer në Kosovë.
“Në interes të të gjithëve është të zbardhet e vërteta dhe që atëherë të ketë siguri të plotë që drejtësia të dalë në shesh”, ka thënë Ashton në një intervistë për rrjetin televiziv informativ rus “Russia Today”.
Ajo ka bërë të ditur se e ka vizituar Beogradin dhe Prishtinën dhe është takuar me kryeministrin Hashim Thaçi.
“Kemi thënë qartë se duhet të ketë përgjigje për akuzat dhe se e vërteta patjetër duhet të konfirmohet edhe në rast se akuzat nuk janë të vërteta”, ka thënë Ashton.
Edhe organizata “Human Rights Watch” e ka cilësuar si hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Ballkan krijimin e një task force për hetimin e pretendimeve të shprehura nga Marty.
Sipas HRW-së, suksesi i hetimeve varet nga emërimi i një prokurori me përvojë, nga një program efikas për zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë rajonit, si dhe nga mbështetja e plotë e shteteve anëtare të BE-së qeverisë së SHBA-së.
“Ky hetim i posaçëm i BE-së na sjell më afër drejtësisë për krimet e rënda, të kryera pas luftës në Kosovë”, ka thënë Benjamin Ward, zëvendësdrejtor i HRW për Evropën dhe Azinë Qendrore.
“Por, një prokuror me ndikim është i nevojshëm për të ndërtuar një ekip efektiv, për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe për të fituar mbështetjen e qeverive kyçe”, ka thënë ai.
Hetimi ka të bëjë me akuzat për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime, trafikim organesh dhe krime të tjera serioze. Ai do të ekzaminojë bashkëpunimin e pretenduar të ish-komandantëve të UÇK-së dhe liderëve aktualë të Kosovës.
Mbështetja e SHBA-së për hetime është jetike, marrë parasysh marrëdhëniet e ngushta që ato kanë me qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri, ka vlerësuar HRW.
Kjo, sipas tij, do të thotë “mbështetje e plotë e hetimeve të rrepta për të gjitha pretendimet e besueshme për krime të rënda”.
Programi për mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshirë dhe aftësinë për zhvendosjen e tyre jashtë Kosovës, është gjëja kryesore për suksesin e hetimeve të veçanta, ka thënë HRW.
Hetimet e mëparshme për dhunën politike dhe krimin e organizuar në Kosovë janë penguar nga ngurrimi i dëshmitarëve për t`u paraqitur, për shkak të frikës së hakmarrjes kundër tyre ose familjeve të tyre.
Zhvendosja jashtë rajonit është shpesh e vetmja mënyrë për mbrojtjen e dëshmitarëve, por qeveritë perëndimore në përgjithësi nuk kanë qenë të gatshme ta bëjnë këtë, kryesisht për arsye të brendshme politike, ka vlerësuar HRW.
“Ky hetim do të ketë sukses vetëm nëse qeveritë evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara angazhohen për të pranuar dëshmitarët dhe anëtarët e familjeve të tyre, siguria e të cilëve kërkon zhvendosje”, ka thënë Ward.
“Ky hetim i posaçëm mund të na ndihmojë për të mbyllur tmerret e luftës në Kosovë, por është e rëndësishme që ai të marrë mbështetjen e nevojshme për një punë të drejtë”, ka thënë Ward.