Shpërndahen letërnjoftimet e para në diasporë
Vihen në funksion shërbimet konsullore jashtë vendit. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka shpërndarë letërnjoftimet dhe pasaportat e para të Republikës së Kosovës, të lëshuara në konsullatën në Berlin.
Ministri Hoxhaj ka thënë se konsullatat e Kosovës dhe më herët kanë lëshuar dokumente të ndryshme personale për raste emergjente. Sipas Hoxhaj, 13 misionet konsullore të Kosovës në vende të ndryshme të botës, janë plotësisht funksionale dhe në shërbim të plotë të bashkatdhetarëve tanë për t`i pajisur me dokumente të ndryshme identifikuese dhe për t`i ofruar shërbime të tjera të nevojshme.
Ambasadori në Gjermani, Vilson Mirdita, është shprehur shumë i lumtur, pasi nga sot, konsullatat e Berlinit, Shtutgardit dhe Frankfurtit janë të gatshme të lëshojnë dokumente personale të Republikës së Kosovës për emigrantët kosovarë.
Ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka njoftuar të gjithë emigrantët se 13- të Misionet Konsullore të Republikës së Kosovës, janë të gatshme të pranojnë kërkesat e shtetasve të Kosovës, për pajisjen e tyre me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.