S’ka bllokadë
Edhe pse produktet kosovare janë në disfavor në tregun shqiptar, ministri i Zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj dhe ambasadori shqiptar, Islam Lauka, i kanë vlerësuar raportet tejet të mira. Sipas tyre, Kosova dhe Shqipëria kanë raporte të shkëlqyera në aspektin e bashkëpunimit ekonomik. Këto komente ata i kanë bërë pas një takimi, në të cilin diskutuan për mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet këtyre dy vendeve.
Ambasadori Lauka nuk e ka cilësuar diskriminim ndaj Kosovës, heqjen e barrierave doganore me Serbinë. Sipas tij, Shqipëria e ka bërë këtë hap në kuadër të marrëveshjes së CEFTA’s.
“Nuk ka diskriminim të Shqipërisë ndaj Kosovës. Në rastin konkret flitet për nënshkrimin e Protokollit të shtetit të Shqipërisë me Serbinë. Është e vërtetë që është nënshkruar ky protokoll, sepse ka pasur një arsye, pasi që me Serbinë kemi pasur tarifa doganore dhe kjo ka qenë arsyeja që duhet të bënim një protokoll në kuadër të CEFTA-s. Me Kosovën nuk ka nevojë, sepse nuk ka tarifa doganore”, tha ambasadori Lauka.
Por, ai thotë se deri më tani nuk ka asnjë problem ekonomik në mes të dy vendeve, pasi që Shqipëria nuk ka taksa doganore për Kosovën, andaj, sipas tij, nuk ka qenë i nevojshëm nënshkrimi i ndonjë protokolli. Madje ai e vlerëson si të rëndësishëm bashkëpunimin ekonomik në mes të dyja vendeve, duke e përmendur me theks të veçantë bashkëpunimin e korridorit energjetik. “Kemi mundësi të jashtëzakonshme si vende fqinje të bashkëpunojmë. Një shembull konkret është bashkëpunimi për finalizimin tashmë të korridorit energjetik, i cili është në proces dhe i cili do të prodhojë 400 kilovolt”, ka thënë Lauka.
Ndërkaq, lidhur me atë se disa biznese të Kosovës po ankohen për çmimet e referencës ku potencohet se Shqipëria po i jep përparësi më shumë Serbisë sesa Kosovës, ministri Beqaj ka thënë se ato mund të jenë dezinformata.
Ministri Beqaj ka theksuar se bashkëpunimi ekonomik mundëson qasjen në tregjet e dy vendeve në mënyrë të përbashkët. “Ne po ndërtojmë një infrastrukturë që do të iniciojë edhe shumë e shumë aktivitete të tjera shtesë ekonomike dhe njëkohësisht diskutuam edhe për format e bashkëpunimeve konkrete të cilat lëvizin edhe në fushën e energjisë dhe në fushat e tjera të bashkëpunimit ekonomik, të cilat mundësojnë që dy vendet tona të mos jenë vetëm si dy vende të rajonit për t`iu qasur tregjeve tona në mënyrë të përbashkët”, ka thënë Beqaj.
Sipas tij, këto dy vende e kanë rrugën plotësisht të hapur dhe kanë marrëveshje shumë më shumë sesa me të gjitha shtetet e tjera të bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave. “Në këtë këndvështrim ne u pajtuam që do të shikojmë ta thellojmë bashkëpunimin dhe asnjëherë të mos merremi me gjëra të cilat nuk janë të prezantuara mirë”, tha ministri Beqaj.
E kohëve të fundit, prodhuesit kosovarë janë ankuar për diskriminim nga autoritetet e Shqipërisë, për shkak të ngarkesave të mëdha doganore që i aplikon kjo e fundit ndaj prodhimeve kosovare.