Ashton, Thaçi: Kosova do të flasë vetë për veten
BRUKSEL- Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Ashton gjate takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi ne Bruksel ka vleresuar marrëveshjen historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do ti lërë këto të drejta për Kosovën, ka thënë Ashton para gazetarëve në Bruksel.
Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është ti sjellim palët më afër Bashkimit Evropian, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.
Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së… E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne skemi mbaruar ende, ka thënë baronesha.
Marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë cilësuar sërish si momente historike edhe nga kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi.
Mendoj se këta hapa janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por janë të rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët evropiane, ka thënë Thaçi.
Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në Rezolutën 1244.
Palët kane rene dakord për paraqitjen e Kosovës me fusnotën, e cila përfshin 1244-shin e OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Thaçi do të takojë sot në Bruksel edhe komisionarin për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, si dhe zyrtarë të tjerë të këtij mekanizmi.