E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, ILDKP 117 gjoba në 2011

Adriatik Llalla

Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dorëzon në Kuvend raportin vjetor.

Vitin e kaluar u arkëtuan 1.1 milion lekë nga gjobat.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka marrë masë administrative për 117 zyrtarë, të cilët gjatë vitit 2011 kanë shkelur ligjin. Raporti i ILDKP-së ka mbërritur dje në Parlament dhe pritet të diskutohet fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë plenare. Në raport thuhet se ky institucion, gjatë vitit të kaluar, ka marrë masa ndaj zyrtarëve që kanë shkelur afatin e deklarimit, kanë shkelur rregullat e deklarimit ose janë në konflikt interesi. Pas verifikimeve përkatëse për rastet e mosrespektimit të afateve ligjore në dorëzimin e deklaratës së interesave private nga zyrtarë të ndryshëm, rezultoi se 86 subjekte deklaruese nuk kanë respektuar detyrimin ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private brenda afateve të përcaktuara me ligj, thuhet në faqen shtatë të raportit. Sa i takon shkeljes së rregullave të deklarimit, janë gjobitur 23 zyrtarë. Në zbatim të nenit 44, pika d dhe dh të ligjit nr. 9376, datë 7.4.2005, është aplikuar masë administrative gjobë për tetë zyrtarë të gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, si dhe për shkelje të ligjit mbi parandalimin e konfliktit të interesit. Subjektet e gjobitura kanë reaguar menjëherë pas aplikimit të masës administrative, duke bërë zgjidhjen e konfliktit të interesit në mënyrën e duhur, duke u paraqitur pranë zyrave të ILDKP-së apo duke kërkuar asistencë dhe udhëzime për zgjidhje të menjëhershme të situatës së konfliktit të interesit sipas parashikimeve ligjore, thekson më tej raporti. Inspektorati ka renditur rastet e konfliktit të interesit, ku më flagranti është ai i një nëpunësi të Ministrisë së Mjedisit, i cili ka marrë pjesë në një komision që ka dhënë një leje mjedisore për ndërtimin e një guroreje të atit të tij. Gjatë vitit të kaluar, Inspektorati ka bërë 16 kallëzime penale. Nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, për vitin 2011 janë regjistruar 16 procedime penale, janë përfunduar 12 procedime penale dhe janë në fazën e hetimeve paraprake 4 procedime penale. Nga 12 procedimet e përfunduara, për 9 procedime penale është vendosur dërgimi i të pandehurve për gjykim dhe për tri procedime penale është vendosur pushimi i hetimeve, thuhet më tej në raport. Sa u takon të ardhurave të ILDKP-së, ato për vitin e kaluar kanë qenë 1.3 milion lekë, të cilat kanë kaluar të gjitha në buxhetin e shtetit. Të ardhurat nga veprimtaria e ILDKP-së, kryesisht nga: gjobat e vendosura në rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore nga zyrtarë subjekt të ligjit të deklarimit dhe kontrollit të pasurive, si dhe nga autoritetet përgjegjëse të institucioneve të ndryshme. Nga këto janë arkëtuar nga 44 subjekte vlera 1 155 000 lekë. Ky përbën një tregues mbi intensitetin gjithnjë në rritje të punës së institucionit tonë, në kuadër të kontrollit të deklarimit të pasurive, si dhe e parandalimit të konfliktit të interesave. Të tjera të ardhura janë në vlerën 225 516 lekë, thuhet më tej në raportin e ILDKP-së.

Raporti i ILDKP
. Është konstatuar situatë e konfliktit të interesit të një pedagogeje në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila gjatë periudhës së provimeve zhvillonte seanca konsultimesh në ambientet e Fakultetit kundrejt pagesës me studentët që do ti vlerësonte në provimin përfundimtar. I është vendosur gjobë dhe është njoftuar Fakulteti.

. Bashkëshortja e një zyrtari të lartë ka aplikuar dhe përfituar prej fondit të mbështetjes financiare për ndërtimin e 6 hektarëve vresht në Leskovik. I është vendosur gjobë.

. Një nëpunës i Ministrisë së Mjedisit është dënuar me gjobë 300 mijë lekë për shkak se kishte vepruar në konflikt interesi duke marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes për lëshimin e lejes mjedisore për ndërtimin e një guroreje, ku kishte interesa të drejtpërdrejta babai i tij.

. Një zyrtar me detyrë sekretar i Përgjithshëm, është gjobitur në shumën 200 mijë lekë për shkak të konstatimit të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, duke qenë njëherazi me detyrën publike ka ushtruar veprimtari private si ekspert vlerësues.

. Anëtari i Këshillit të Komunës Perondi është gjobitur me 100 mijë lekë për shkak se ka marrë pjesë dhe ka përfituar fonde publike për blerje karburanti të realizuar në këtë komunë.

. ILDKP ka vendosur gjobë për tre zyrtarë, të cilët pas kryerjes së verifikimeve dhe mbledhjes së dokumentacionit përkatës, rezultuan që nuk kanë shmangur konfliktin e interesit brenda afatit të përcaktuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›