Tahiri-Zela, ndizet debati për kreun e PS-së së Tiranës

Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela
Përplasjet në prezantimin e platformave të dy kandidatëve për PS-në e Tiranës.
Zela: E shkuara ka thesare. Tahiri: Jo qokë së shkuarës.
Dy kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës nuk mundën të shmangnin debatin mes kontributeve të së shkuarës dhe të rinjve në karrierën politike. Ilir Zela i kërkoi Sajmir Tahirit gjatë fjalës së tij që të ketë më respekt për të shkuarën në PS, kontributet që kanë dhënë brezat, duke u shprehur që kjo forcë politike ka pasur thesare të çmuara. Në të shkuarën tonë ka thesare të çmuara, që sduhet ti fshehim apo mohojmë. Ato duhet të na ndriçojnë në rrugën tonë të së ardhmes. Të rinjtë duhet të konkurrojnë, ashtu siç kemi konkurruar edhe ne kur ishim të rinj në fillimet tona dhe të mos përvjedhin karrierën, u shpreh Zela gjatë prezantimit të platformës së tij. Ndërsa kandidati tjetër, Sajmir Tahiri, u shpreh se socialistët e të gjitha kohërave janë njëlloj në vlera. Nuk jam munduar dhe nuk mundem të fshij kontributet e së shkuarës. Por nuk jam aspak dakord që ti kthehemi së shkuarës sa herë kemi përpara një qokë. Le të flasim hapur. E shkuara nuk ka pasur vetëm suksese, por dhe gabime. Ndërsa ne si PS sot i jemi borxhli çdo socialisti që na ka mbështetur në të gjitha betejat tona. Për mua, socialisti i 1991-shit, i 2001-shit dhe i 2012-s është njëlloj në betejën tonë për të larguar Saliun. Nuk më pëlqen ti bëjmë qokë së shkuarës dhe të votojmë për të shkuarën, sepse të gjithë vuajmë njëlloj nga Saliu, dhe ajo që na duhet sot është të bashkojmë të gjitha energjitë tona, me të gjithë socialistët, duke ua lënë atyre që të vendosin, u shpreh Tahiri.
Dy kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës prezantuan platformat e tyre para anëtarëve të asambleve socialiste të njësive bashkiake 5, 6 dhe 7 të kryeqytetit. Por, përplasja e qëndrimeve të tyre ishte dhe në një tjetër çështje, në atë të vlerësimit të kontributit të çdo socialisti kur PS të jetë në pushtet. Zela e konsideroi këtë premtim të Tahirit si një joshje që u bëhet socialistëve për të marrë votën e tyre. Kjo është kundërshtuar nga Tahiri, i cili ka kërkuar vlerësim të çdo kontributi. Kush punon me ne sot, kush lufton e përballet me ne sot, çdo socialist e progresist që sakrifikon me ne sot, do të punojë e do të mbajë pushtetin nesër me fitoren e zgjedhjeve, në emër të Partisë Socialiste dhe interesit madhor të qytetarëve që ne përfaqësojmë. Dhe për këtë, garant do të jem unë, do të jetë Partia Socialiste e Tiranës, do të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë, u shpreh Tahiri. Këtë tezë, Zela e cilësoi të abuziviste. Kjo është tezë abuziviste. Duket sikur po përdor shprehjen e Sali Berishës të përdorur në Librazhd, punoni për familjen time. Dhe ti po u thua socialistëve punoni për mua, që unë të garantoj të jem kryetar partie e deputet. Kjo është e papranueshme, u përgjigj Zela, duke vijuar se ky propozim bëhet për të marrë votat e për të qëndruar në pushtet. Pas paraqitjes së platformave konkurruese, socialistët nga salla u drejtuan shumë pyetjeve kandidatëve, nga ku kërkuan përgjigje dhe për faktin se çfarë do të bëjë humbësi i këtyre zgjedhjeve. Ilir Zela u shpreh se nëse nuk do të meritojë besimin e socialistëve të Tiranës, ai do të vazhdojë të jetë opozitar në PS dhe nuk do të largohet, si shumë të tjerë që kanë shëtitur në të shkuarën në parti të tjera dhe janë rikthyer në PS. Ndërsa Tahiri e cilësoi konkurrimin si një garë që nuk do të ketë humbës, ndërsa tha se kishte dëshirë që modelin pozitiv fitues të ndërtuar në Kombinat, ta ngrinte dhe në PS-në e Tiranës.
Debati mes dy kandidatëve
Ilir Zela: Përtëritja dhe fuqizimi i shpirtit opozitar në Shqipëri kërkon të bashkohen në mënyrë organike vlerat me të mira të së majtës, sakrificat dhe përvoja e opozitës së parë socialiste të 1992-1997-s me kontributet më të mira të opozitës së dytë, të mirëpërdoret përvoja qeverisëse e 1997-2005-s. Në të shkuarën tonë ka thesare të çmuara që sduhet ti fshehim apo mohojmë. Ato duhet të na ndriçojnë në rrugën tonë të së ardhmes.
Sajmir Tahiri: Nuk jam munduar dhe nuk mundem të fshij kontributet e së shkuarës. Por nuk jam aspak dakord që ti kthehemi së shkuarës sa herë kemi përpara një qokë. Le të flasim hapur. E shkuara nuk ka pasur vetëm suksese, por dhe gabime. Ndërsa ne si PS sot i jemi borxhli çdo socialisti që na ka mbështetur në të gjitha betejat tona. Mbase nuk kam shumë kohë në PS. Por jam munduar të sakrifikoj çdo gjë për të bashkëpunuar me këdo që ka pasur të njëjtin ideal dhe frymë bashkëpunimi me mua, dhe falë kësaj ngjizjeje dhe ideali të krijuar në beteja të ndryshme që kemi pasur në PS, kam mundur të përfaqësoj të gjithë socialistët që kanë punuar dhe më kanë mbështetur.
Ilir Zela: Duhet të përmirësojmë defektet tona dhe të nxjerrim mësime nga to. Kryetari i PS-së së Tiranës do të ketë në të ardhmen rol drejtuesi, koordinuesi dhe menaxhuesi i të gjitha burimeve njerëzore në këtë degë. PS ka pasur pushtet qendror dhe vendor në Tiranë dhe në qytete të tjera në të gjithë vendin, por ska ditur ta administrojë si duhet për socialistët.
Sajmir Tahiri: Në bisedën time të kandidimit, kërkova dhe mora nga Edi Rama vetëm një garanci: të bëhem bashkë me socialistët e Tiranës sot, duke iu garantuar se kush punon me ne sot, kush lufton e përballet me ne sot, çdo socialist e progresist që sakrifikon me ne sot, do të punojë e do të mbajë pushtetin nesër me fitoren e zgjedhjeve, në emër të Partisë Socialiste dhe interesit madhor të qytetarëve që ne përfaqësojmë. Dhe për këtë, garant do të jem unë, do të jetë Partia Socialiste e Tiranës, do të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë.
Ilir Zela: Kjo është tezë abuziviste. Duket sikur po përdor shprehjen e Sali Berishës të përdorur në Librazhd: Punoni për familjen time. Dhe ti po u thua socialistëve punoni për mua që unë të garantoj të jem kryetar partie e deputet. Kjo është e papranueshme.
Sajmir Tahiri: Ilir, duhet të më kuptosh. Partia Socialiste ua ka borxh socialistëve për të shkuarën. Unë e them qartë se çdo socialist që sakrifikon me ne sot, do të punojë e do të mbajë peshën e pushtetit nesër me fitoren e zgjedhjeve, në emër të Partisë Socialiste dhe interesit madhor të qytetarëve që ne përfaqësojmë, jo në emrin tim personal. Unë do ti dal për zot këtij kontributi që ata kanë dhënë.
Ilir Zela: Dua tju them se ky është shansi i fundit për PS që të vijë në pushtet dhe të mos ndodhë si në 2009-n. Duhet të nxjerrim mësime nga ato zgjedhje dhe nga qasja që u bëmë njerëzve tanë. Duhet të vendosim drejtësi në parti. Siç është partia sot në opozitë, ashtu do të jetë dhe nesër në pushtet. Kam qenë kritik kur PS ishte në pushtet, prandaj humbëm pushtetin. Të rinjtë duhet të konkurrojnë ashtu siç kemi konkurruar edhe ne kur ishim të rinj në fillimet tona dhe të mos përvjedhin karrierën.
Sajmir Tahiri: Propozoj të ruajmë karakterin dinjitoz të këtij takimi dhe të garës mes nesh. Drejtimi i Partisë Socialiste të Tiranës duhet të kthehet në një drejtim kolegjial, ku vendimet të merren nga kryetari me sekretarët dhe Kryesinë. Për mua socialisti i 1991-shit, i 2001-shit dhe i 2012-s është njëlloj në betejën tonë për të larguar Saliun. Nuk më pëlqen ti bëjmë qokë së shkuarës dhe të votojmë për të shkuarën, sepse të gjithë vuajmë njëlloj nga Saliu, dhe ajo që na duhet sot është të bashkojmë të gjitha energjitë tona me të gjithë socialistët, duke ua lënë atyre që të vendosin.
Sajmir Tahiri