E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton dhe Pack keqardhje për refuzimin e Serbisë

BRUKSEL- Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, shprehu keqardhje për vendimin e qeverisë serbe që të hedhë poshtë propozimet e ofruara në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën. 

Duke rikujtuar takimet që ka zhvillluar në gjashtë muajt e fundit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Ivica Daçiç, baronesha Ashton ka thënë se “të gjitha elementet për një marrëveshje mbi veriun e Kosovës janë në tavolinë”.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Ashton citohet të ketë thënë se “marrëveshja duhet të jetë e arritur midis dy palëve, nuk i takon Bashkimit Evropian ta imponojë atë”.

“Unë besoj në një të ardhme të ndritur për Serbinë dhe Kosovën dhe e di se, sado i vështirë të ketë qenë ky sukses, ai ka hapur mundësië për qytetarët – veçanërisht në veriun e Kosovës – të kenë një jetë më të mirë”. 

Baronesha Ashton i ka bërë thirrje edhe një here qeverisë serbe, që të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen, në të mirë të qytetarëve. “Shpresoj se Kosova dhe Serbia nuk do ta humbin këtë shans, për ta lënë të kaluarën prapa tyre dhe për të lëvizur përpara drejt së ardhmes”, ka thënë baronesha Ashton. 

Doris Pack: E ardhmja e Serbisë në rrezik 
Më vjen keq që këto raunde bisedimesh në Bruksel nuk i kanë dhënë fund vështirësive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack.

Reagimi i saj vjen pas vendimit të qeverisë serbe të refuzojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ajo ka shtuar se askush nuk i ka kërkuar Beogradit ta njoh Kosovën, por i kanë kërkuar të ndihmojë të përmirësojë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Nuk e besoj se do të ndodhë diçka së shpejti, meqë tash është refuzuar marrëveshja”, tha zonja Pack, për të shtuar se tash duhet gjetur një fillim të ri, për një dialog të ri, sepse në të kundërtën, tha ajo, nuk mund të shkohet përpara.

“Serbia nuk do të marrë datën e negociatave, por mendoj se as Kosova nuk do të jetë në gjendje të ece përpara”, ka thënë zonja Pack, sipas së cilës, i takon qeverisë serbe të mendojë dhe rimendojë hapat që ndërmerr, sepse në pyetje është e ardhmja e tyre.
(e.m/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›