E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton fton në takimin e parë për dialog Jahjagën me Nikoliçin

e Martë, 29 Janar, 2013 | 10:42 am

Jahjaga dhe Ashton gjatë një takimi

Kryediplomatja europiane, Katerin Ashton, po organizon takimin e parë mes Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç. Takimi po mbahet në vargun e dialogut politik mes Serbisë dhe Kosovës, i cili po ndërmjetësohet nga diplomatët më të lartë në BE dhe vjen pas takimit të katërt mes kryeministrave të të dy vendeve. “Qëllimi është krijimi i kontakteve në nivel presidencial, duke e forcuar dhe intensifikuar dialogun i cili momentalisht po zhvillohet ndërmjet dy kryeministrave dhe në nivel ekspertësh”, tha dje një zyrtar i Komisionit Europian për agjencinë “Tanjug”, në kushte anonimiteti. Data dhe tematika e takimit nuk janë bërë ende të ditura. Sipas zyrtarit serb, takimi po planifikohet në gjysmën e parë të muajit shkurt. Ndërsa një diplomat në Presidencën e Kosovës ka deklaruar ditë më parë në mediat kosovare, se takimi do të mbahet në fund të shkurtit ose fillim të marsit. Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Koçijançiç, nuk ka konfirmuar por as nuk ka demantuar këtë informatë. “Ajo çfarë mund të them, është se të gjitha iniciativat të cilat kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ne janë të mirëseardhura dhe jemi të gatshëm t’i mbështesim”, tha ajo. Ndërkohë, raportuesit për Serbinë dhe Kosovën në Parlamentin Europian, Jelko Kaçin dhe Ulrike Lunaçek, e kanë përshëndetur takimin e paralajmëruar mes presidentëve. Dy eurodeputetët janë shprehur se “çdo takim i zyrtarëve të lartë kontribuon në vendosjen e mirëbesimit dhe marrëdhëniet normale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›