Ashton viziton Tiranën, zbardhet axhenda e takimeve me krerët e shtetit
Tiranë- Shefja për Politikë të Jashtme Catherine Ashton do të vizitojë Tiranën gjatë ditës së sotme Tiranën zyrtare.
Zyra e shtypit e BE-së zbardhi axhendën e takimeve të Ashton dhe njoftoi se në Tiranë ajo do të takohet me Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani në orën 11:00 në Presidencë.
Më pas zyrtarja e lartë do të takohet me kryeministrin Sali Berisha në Kryeministri në 11:40 dhe në 12:30 me liderin e opozitës Edi Rama.
Ndërkohë në orën 13:10 zonja Ashton do të mbajë një deklaratë për mediat.
Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian ku njoftohet se Ashton do të nisë një vizitë në Ballkanin Perendimor.
“Deri tani kemi njoftuar për 3 ndalesa gjatë kësaj vizite të Përfaqësueses së Lartë. Sot, ajo do të jetë në Podgoricë të Malit të Zi, e prej andej do të udhëtojë drejt Tiranës dhe më pas për në Shkup. Në Tiranë është parashikuar që ajo të takohet me presidentin, kryeministrin dhe udhëheqësin e opozitës. Në përgjithësi për të gjitha takimet në rajon, temat kryesore të bisedimeve do të jenë perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën Përfaqësuesja e Lartë do të rikonfirmojë angazhimin e vendosur të BE-së si dhe bashkëpunimi rajonal e marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”,- tha dje Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton-it.
Udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për perspektivën europiane të këtij rajoni. Do të inkurajoj liderët në rajon për të vazhduar procesin e reformave dhe për të promovuar marrëdhëniet e mira fqinjësore, deklaroi Ashton në prag të takimit në Ballkanin Perendimor.
Mendohet se të mërkurën mund të ketë një vizitë të zonjës Ashton në Kosovë dhe Serbi.