E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton:Përqëndrim për realizimin e 12 prioriteteve

“Sa më shpejtë që të përfundojnë diskutimet mbi zgjedhjet vendore, aq më mirë do të jetë, me qëllim që forcat të përqëndrohen mbi realizimin e 12 prioriteteve, dhe më tej, mbi procesin e integrimit evropian”. Kjo ka qënë deklarata e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian dhe Zv.Presidente e Komisionit Evropian, Baronesha Catherine Ashton gjatë një takimi të mbajtur me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm  Edmond Haxhinasto.
 

Sipas saj, duhet të zgjidhet çështja e zgjedhjeve dhe të përqëndroheni në çështjet e axhendës Evropiane. Gjatë punimeve të Ministerialit të Komunitetit të Demokracive, Haxhinasto zhvilloi kete takim dypalësh me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropan, Ashton.
 

Takimi u përqëndrua mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe perspektivën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.  Bashkëbiseduesit theksuan se një përfundim sa më i shpejtë i procesit zgjedhor do të ishte një mesazh mjaft pozitiv për komunitetin ndërkombëtar.

Sipas Baroneshës Ashton, të gjitha vendet kanë problemet e tyre, përfshirë edhe Shqipërinë, por e rëndësishme është se si kërkohet dhe gjendet zgjidhja e tyre.
 

Haxhinasto theksoi se tani është koha që institucionet e pavarura të thonë fjalën e tyre dhe më tej partitë të angazhohen në reformën zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe angazhimi dhe konsulenca e ODIHR dhe i Komisioninit të Venecias, tha Haxhinasto, janë më se të mirëpritura, ashtu siç është bërë edhe më parë në hartimin e ligjeve apo dhe vetë kushtetutën e vendit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›