E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asistenti në UP, i dyshuar për doktoratë plagjiat e të falsifikuar

Taner Guçluturk, asistent në Fakultetin e Filologjisë – Drejtimi Gjuhë dhe letërsi turke, është i vetmi person që nga paslufta, të cilit MASHT-i nuk ia ka nostrifikuar doktoratën me konstatimin se ajo është plagjiaturë dhe falsifikim.

Doktoratën ai e ka mbrojtur në universitetin “Kirili dhe Metodij” në Shkup. Taneri e mohon kategorikisht një gjë të tillë dhe dyshon që kjo të jetë nxitur nga kundërkandidati tjetër për postin e asistentit në drejtimin e Gjuhës dhe letërsisë turke.

Në një konkurs të vitit 2012, ai ka aplikuar për ta vazhduar punën e asistentit, ndonëse Komisioni recensues, sipas dokumenteve që i ka siguruar gazeta, nuk e ka vlerësuar pozitivisht atë, por kandidatin Esin Hudaverdi.

Taneri dyshon se dikush mundohet që në atë pozitë të pranohet kundërkandidati “nëpërmjet lidhjeve”, gjë të cilën e shpreh edhe në letrat që ia ka dërguar edhe Rektoratit të UP-së, shkruan "Koha ditore".

Mosnostrifikimin e doktoratës së T.G.-së e ka konfirmuar zyrtarja e arsimit në MASHT, Gjylbehare Llapi, kurse këshilltari i ministrit Ramë Buja, Arbër Morina, ka shpjeguar se personi në fjalë ka aplikuar për njohje të gradës “Doktor i shkencave filologjike” nga lëmi i gjuhës turke, të marrë në universitetin “Kirili dhe Metodij” në Shkup. Lënda e kandidatit, sipas tij, është proceduar sipas Udhëzimit Administrativ për njohje të diplomave.

“Është shqyrtuar nga komisioni i ekspertëve nga lëmi i gjuhës turke, që ka konstatuar se punimi i disertacionit është plagjiat, prandaj komisioni i ekspertëve dhe Këshilli Kombëtar për Njohje kanë vendosur të mos e njohin atë gradë. Morina ka sqaruar se kandidati ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të MASHT-it dhe e ka marrë të njëjtën përgjigje. “Edhe komisioni i dytë ka konstatuar se disertacioni është plagjiat dhe për rezultat ka pasur mosnjohjen. T.G. me një vendim të Senatit të UP-së, punën e asistentit të ri po e kryente nga viti 2008, kur edhe është duke punuar.

Një temë disertacioni me katër tituj të ndryshëm

Në raportin e përgjithshëm të Komisionit janë dhënë detaje për mosnjohjen e asaj grade. “Ne anëtarët e Komisionit për vlerësimin dhe nostrifikimin e diplomës së T.G. të lëshuar nga universiteti “Shën Kiril – Metodij” të Shkupit, e cila është përkthyer nga gjuha turke në gjuhën maqedonase kemi vërejtur disa parregullsi në punimin e disertacionit të doktoratës”, thuhet në pjesën e parë të raportit, ndërsa shtohet se pika kryesore e kontestimit në këtë punim është se ka 4 tituj të ndryshëm të temës së disertacionit.

Sipas raportit, në origjinalin e disertacionit është titulli i fshehur “Sovremenoto Tursko Knjizhevno tvoreshtvo vo Kosovo”. Titulli që e ka mbuluar këtë të parin, nëpërmjet një letre me ngjitës, ndërkaq, ka qenë “Turskotot knjizhevno tvoreshtvo vo Kosovo vo periodot od 1951 – 2001 godine. Titulli i tretë, në faqen 14 të disertacionit, ndërkaq, është “Sovremena Tyrska Knjizhevnost na Kosovo. E, titulli i katërt që po ashtu Komisioni i MASHT-it e ka hetuar në rezymenë e punimit, i shkruar në gjuhët maqedonase, turke dhe angleze, në faqet 345 dhe 346 është “Sovremeneto turko Knjizhevno tvoreshtvo na Kosovo bo periodot pomegu 1951-2011.

“Ajo që është më e keq, punimi në tërësi është plagjiat, i kopjuar përmes teknologjisë kompjuterike me komandën ‘copy – paste’ nga librat e botuar në gjuhën turke në Kosovë dhe në Turqi”, ka sqaruar komisioni teksa ka dhënë titujt e 3 librave të kopjuar si edhe autorët e tyre. Në raportin në të cilin janë nënshkruar dy profesorë, është konstatuar se një akt i tillë është penal në të gjitha sistemet e drejtësisë në botë.

“Prandaj është shkelje e së drejtës autoriale dhe për këtë arsye titulli akademik “Doktor shkence” duhet të anulohet sipas Statutit të UP-së, neni 132”, është thënë në raport dhe është shtuar se diçka e tillë është mashtrim, i cili në etikën shkencore është i patolerueshëm, aq më tepër që ai është edhe teknikisht i stërkequr. Krejt në fund të këtij raporti është apeluar që rasti të stopohet, gjë kjo e bërë nga mosnostrifikimi i doktoratës.

Në këtë kuptim shtrohet pyetja se nëse dikush është zënë të ketë bërë plagjiat, si rasti në fjalë, a mundet edhe më tej ta kryejë punën e mësimdhënësit në ndonjë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës. Në këtë pyetje, këshilltari i rektorit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Ardian Kastrati, ka thënë se çështja do të shqyrtohet në Senat të UP-së, si organi më i lartë i UP-së. Ndryshe, ka theksuar ai, Rektorati i UP-së ka informacione për rastin dhe se është duke hulumtuar nëse ka edhe raste të tjera të ngjashme në UP.

Autori akuzon MASHT-in për shkelje procedurale.

Autori i doktoratës së panostrifikuar në MASHT, T.G., ndërkaq, ka thënë se rrëmuja ndaj doktoratës së tij po bëhet në kohën kur ai ka konkurruar për pozitën e asistentit në Degën e turkologjisë, ku nga viti 2008 ka punuar si asistent i ri.

“Problemi im lidhet me konkurrimin tim të rizgjedhjes si asistent. Grupe të caktuara po dëshirojnë të punësojnë njerëz të tjerë nëpërmjet lidhjeve dhe të më eliminojnë mua”, ka thënë G.T, teksa i ka pohuar të dhënat e MASHT-it se nuk i është nostrifikuar doktorata as pas dy kërkesave. Mirëpo, në këtë rrafsh, ai duke mohuar se ka bërë ndonjë shkelje, plagjiat apo falsifikim, e ka akuzuar MASHT-in se ka bërë shkelje ligjore kur është marrë me çështjen e plagjiatit.

“Ministria e Arsimit e Kosovës s’është kompetente për të vlerësuar një punim nëse është plagjiat apo jo. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Universiteti ku kam doktoruar dhe komisioni para të cilit e kam mbrojtur disertacionin”, ka theksuar ai. Në këtë plan, T.G. e ka thënë e se ka vulën apostile të universitetit ku e ka mbaruar dhe se punimet e masterit e të doktoratës në këtë universitet kontrollohen në mënyrë elektronike dhe nuk lejohet plagjiatura.

Madje, ai ka thënë se bashkë me profesorët e tij u janë drejtuar me ankesë MASHT-it, Rektoratit të UP-së, Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë dhe Ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë për ta shqyrtuar këtë çështje. G.T. ka thënë se në punim i ka 316 burime me 376 fusnota.

“Jam i gatshëm të dëshmoj se punimi im nuk ka të bëjë asgjë me plagjiatin dhe për këtë dëshmi janë trajtimet që i kam bërë në temë”, ka theksuar ai në një letër dërguar kryetarit të Këshillit Kombëtar për njohje në MASHT, Naim Hasanit. Për vlerësuesit se tema është plagjiat, profesorët I.M. e S.C, T.G, ka thënë se kanë qenë profesorë të tij dhe tashti i ka kolegë.

Për të njëjtit ka thënë se nuk patën dhënë pëlqim më 2008 që të bëhet asistent, porse në favor të tij ka vendosur Senati. Guçluturk, duke menduar se i është bërë e padrejtë edhe nga Komisioni recensues, i ka shkruar edhe rektorit të ri të UP-së, Ibrahim Gashi. Ndërkaq, në lidhje me titujt që nga MASHT-i janë konsideruar si falsifikim të disertacionit, T.G. ka thënë se për një gjë të tillë kishte vendosur Këshilli i profesorëve të fakultetit.

“Nga titulli është hequr vetëm fjala bashkëkohore”, ka thënë ajo, ndërsa i dilte në krah edhe ish-profesoresha e tij, komentuesja e temës, Taxhida Hafiz. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›