E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për mosfunksionim të institucioneve

Në njërën nga ditët e javës që vjen, kur Grupi i Qytetarëve të Organizuar do të organizojë protestë, arsye nuk do të jetë vetëm tarifa e lartë e energjisë elektrike, por edhe mosfunksionimi i institucioneve.

Rron Gjinovci, njëri nga anëtarët e Grupit të Qytetarëve të Organizuar, ka treguar të dielën për gazetën se protesta është e drejtuar ndaj një sërë organizmash institucionalë. “Institucionet përgjegjëse për çështjet e energjetikës nuk u janë përgjigjur kërkesave dhe nuk i kanë plotësuar detyrat e parapara me ligjet dhe Kushtetutën në fuqi.

Protesta e ardhshme është protestë edhe ndaj këtyre institucioneve, siç janë: Prokuroria e Shtetit, MZHE-ja, agjencitë e pavarura relevante dhe Kuvendi, i cili nuk ka krijuar komision hetimor sipas kërkesave tona”, ka thënë ai. “Pra, meqenëse u pa që institucionet përgjegjëse dështuan në plotësimin e kërkesave fillestare të cilat në vete ishin shumë të thjeshta për t’u plotësuar, ne ftojmë të gjithë qytetarët e pakënaqur që të bashkohen në protestën e radhës kundër hajnisë si emërues i përbashkët i të gjitha problemeve në Kosovë”.

Gjinovci ka treguar tri kërkesa kryesore të protestës së javës së ardhshme.

“Të ndalohet shkyçja nga rryma e qytetarëve derisa të përfundojnë hetimet në KEK; të përfundojnë hetimet dhe të ndëshkohen përgjegjësit, si dhe kërkojmë funksionalitet të të gjitha institucioneve përgjegjëse të Republikës”, ka përmendur ai.

Gjinovci ka thënë se protesta e ka mbështetjen e dy subjekteve opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja “Vetëvendosje”. “I gjithë opinioni është tanimë i informuar se këtë çështje e kanë përkrahur LDK-ja dhe VV-ja. I ftojmë që edhe subjektet e tjera të ngrenë zërin kundër hajnisë dhe korrupsionit. Sa i përket përkrahjes, përpos qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile, ne i ftojmë anëtarësitë e të gjitha partive politike, e që i bie të jenë qytetarë të Kosovës, që të bashkohen kundër hajnisë dhe mosfunksionimit të institucioneve”, ka thënë ai.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar ka bërë të ditur të dielën përmes një komunikate se organizatat e bashkuara deri tash për të protestuar janë: Iniciativa për Progres (INPO), Alter Habitus, Dokufest, KIPRED, EC Ma Ndryshe, Qendra për Art Bashkëkohor Stacion, Community Building Mitrovica, Instituti Demokratik i Kosovës, Syri i Vizionit, Klubi për Politikë të Jashtme, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, D4D - Demokraci për Zhvillim, Center for Research, Documentation and Publication.

Aty është shkruar se ditëve të fundit janë raportuar nëpër medie ankesa nga një numër i madh i qytetarëve, të cilët ankohen për faturat e reja të fryra të muajit shkurt. “Në anën tjetër, zyrtarë të KEK-ut po i quajnë normale vjedhjet dhe rritjen e faturave duke tentuar ta maskojnë vjedhjen me gabimin. Ne ia bëjmë me dije KEK-ut dhe të gjitha institucioneve relevante për çështje të energjisë se vjedhja nëpër tërë territorin e Kosovës nuk mund të jetë lëshim dhe se faturat e ardhura kudo me fryrje dhe asnjëherë me zvogëlime vlerash tregon për vjedhje me paramendim dhe kurrsesi për gabime a lëshime punëtorësh”, është shkruar në komunikatën e Grupit të Qytetarëve të Organizuar .

“Protestuesit në protestën e fundit e kanë kundërshtuar ashpër përjashtimin e punëtorëve nga puna dhe masat e tjera të marra ndaj tyre, duke shprehur sigurinë e tyre që fajtorët janë në majat e hierarkisë së KEK-ut dhe institucioneve të tjera relevante”.

Aty është thënë se kërkohet shkarkimi zinxhiror i menaxhmentit qendror, hetimin nga prokuroria dhe futjen në burg të fajtorëve, me një fjalë kërkohet sundim i drejtësisë dhe funksionim i institucioneve për të cilat qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë taksa.

“Por, para të gjithë këtyre ne kërkojmë ndalimin e shkyçjeve pa u sqaruar krejt situata e krijuar pas hajnisë së KEK-ut, e cila po vazhdon, sipas dijenisë sonë, për dy muaj rresht, ndërkaq dyshimet për hajni të tilla gjatë muajve të tjerë do të duheshin vërtetuar pas hetimeve të thella që institucionet përgjegjëse nuk po i bëjnë”, është shkruar në komunikatë.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar ka thënë se është në konsultim me të gjitha organizatat joqeveritare dhe grupe të ndryshme shoqërore për organizimin e një proteste masive gjatë javës që po vjen, në të cilën do të protestohet kundër hajnisë dhe kundër mosfunksionimit të institucioneve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›