Opozita dyshon në keqpërdorimin e tri banesave komunale në kryeqytet

3 nga 48 banesa sa ka ndërtuar Komuna e Prishtinës në lagjen “Kodra e Diellit” në vitin 2006, aktualisht nuk i janë dhënë në shfrytëzim askujt.
Megjithatë, në to disa herë janë ndërruar qiraxhinjtë. Këshilltarë komunalë që jetojnë në këtë objekt e kanë pohuar këtë gjë, duke shfaqur dyshimin për dhënien në shfrytëzim të tyre pa vendimin e KK-së.
Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht përfitues i një banese në lagjen “Kodra e Diellit”, thotë se janë 3 banesa që nuk janë ndarë ende, por që dikush banon në to.
“Nuk e di nëse janë dhënë me qira, dhe kush i mbledh këto para, megjithatë janë disa banesa që Komuna nuk i ka ndarë ende. Do të ishte shumë më mirë që Komuna t’i ndajë ato banesa në mënyrë të drejtë. Kam parë që aty dikush vjen dhe i shfrytëzon, por nuk e di saktë kujt i takojnë”, ka thënë për gazetën Veseli. Ai më tej potencon se ka kërkuar publikisht që një banesë t’i ndahet veprimtarit Adem Demaçi, mirëpo thotë se ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Komuna.
Ndërkaq Shefqet Sylejmani, shef i Grupit parlamentar të AAK-së, shprehet se kanë kërkuar shpjegim se kush i mban çelësat për këto banesa, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje as nga investitori as nga Komuna.
“Aktualisht aty mund të jetë dikush duke banuar, mirëpo pa vendim të Komunës nuk ka të drejtë të hyjë askush. Edhe pse jam interesuar për këtë çështje, unë nuk e di se kush i menaxhon çelësat për këto 3 banesa, stafi teknik apo koncesionari i banesës”, thotë Sylejmani. “Komuna por as bordi i kompleksit banesor ku bëj pjesë edhe unë nuk i kemi çelësat e këtyre banesave. Kështu që ata të cilët i kanë çelësat edhe mund të manipulojnë dhe t’i keqpërdorin. Për këtë kemi kërkuar shpjegime nga investitori duke i thënë se banesat nuk duhet të keqpërdoren, ndërkaq çelësat duhet t’i mbajë Komuna.
Megjithëse ai ka premtuar se do ta ketë parasysh këtë, deri më tani ata nuk kanë vepruar si duhet për këtë problem”, ka shtuar më tej Sylejmani. Këto banesa kanë mbetur në kuadër të një statusi të pazgjidhur dhe, siç thotë Sylejmani, nuk dihet se kujt do t’i dhurohen. “Mendoj se ato duhet t’i dhurohen kuadrit deficitar, në mënyrë që ata të joshen për të punuar në komunë”, ka përfunduar Sylejmani.
Nga ana tjetër, zyrtarë komunalë kanë mohuar se në këto 3 banesa të cilat kanë mbetur pa u ndarë, është duke banuar dikush. Asdren Osaj, zëdhënësi i Komunës, ka thënë për gazetën se Komuna është ajo që i mban çelësat e këtyre banesave dhe në to nuk mund të hyjë askush. Sipas tij, këto banesa kanë mbetur bosh, pasi që Komuna ka vendosur t’i destinojë për ekspertë të fushave të ndryshme, por që të tillët ende nuk janë gjetur. “Asnjë banesë që është e Komunës nuk është pa pronar, sepse pronar i vetëm i tyre është Komuna e Prishtinës dhe familjet e vendosura aty janë vetëm shfrytëzues të përkohshëm”, ka potencuar Osaj. Sipas tij, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë një numër të këtyre banesave për disa shërbyes civilë dhe familjet e merituara, anëtarët e të cilëve kanë kontribuuar për vendin. Osaj po ashtu ka nënvizuar se banesat që janë të ndërtuara në “Bregun e Diellit”, përkatësisht tek kryqëzimi i rrugëve “Gazmend Zajmi” dhe “Rruga B” kanë leje ndërtimi dhe iu është bërë pranimi teknik në momentin e kompletimit të ndërtimit.
Përveç ndarjes së tyre, banorët e këtij kompleksi kërkojnë që sa më parë të zgjidhet edhe statusi i banesave, të cilat aktualisht Komuna i ka dhënë në shfrytëzim për 10 vjet me mundësi vazhdimi. Ata kërkojnë që t`u njihet e drejta e privatizimit të tyre, sipas Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Mirëpo, Asdren Osaj ka thënë se banesat të cilat i ka ndërtuar Komuna e Prishtinës në këta 10 vjetët e fundit nuk i nënshtrohen Ligjit për shitjen e banesave, kjo pasi, sipas tij, legjislacioni në fuqi që rregullon kompetencat e pushtetit lokal në vend ua ndalon komunave shitjen e pronës publike./Indeksonline/