Asllan Dogjani: “Kriminelët bëjnë presione pas krimit, qeveria nuk i arreston”
Bisedoi: Besarta Billa
Asllan Dogjani, deputeti i qarkut të Kukësit, zona ku brenda pesë muajsh kanë ndodhur dy krime të rënda: zhdukja e Bleona Matës dhe vrasja e kryekomunarit Remzi Veseli, akuzon qeverinë për mungesë përgjegjësie dhe indiferencë. Duke iu referuar ngjarjes së vajzës nga Zapodi, ai pohoi se ka të dhëna që autorët e grabitjes së Bleonës bëjnë presione, ndërsa policia nuk merr masa për arrestimin e tyre. Edhe atentatin më të fundit ndaj kryekomunarit të Tërthores, Remzi Veseli, deputeti Dogjani e konsideron një vrasje politike. Ai fajëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, i cili, sipas deputetit, ka refuzuar që të vijë në Kuvend për të dhënë interpelancë për ngjarjet më të fundit kriminale në vend. Dogjani, një ish-drejtues i Policisë së Shtetit, analizon edhe situatën e rendit dhe të sigurisë në vend. “Vetëm për muajin tetor është rritur në mënyrë alarmante, jo pak, por 30% numri i vrasjeve”, - thotë zoti Dogjani.
Si deputet i rrethit të Kukësit, a jeni në dijeni se çfarë është bërë për gjetjen e Bleona Matës?
U bënë më shumë se pesë muaj, pra më 21 maj të këtij viti, që është zhdukur në rrethana krejt të paqarta dhe misterioze Bleona Mata nga fshati Zapot i rrethit të Kukësit. Gjatë gjithë kësaj kohe, akoma familjarët e vajzës nuk dinë gjë për fatin e saj. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, që ka tronditur dhe vazhdon edhe sot t’i tronditë qytetarët e Kukësit. Një situatë e tillë ka krijuar një pasiguri shumë të madhe te banorët e asaj zone dhe kudo. Ne jemi banorë të Tiranës dhe për këto ngjarje bisedojmë me fqinjë, me njerëz që një pjesë të madhe të kohës e kalojnë me fëmijët e tyre, pasi nuk kanë mundësi t’i lënë qoftë edhe të luajnë para pallatit ku banojnë. Po ashtu, edhe banorët e komunës së Zapodit, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë në shtetin fqinj, që kanë kaluar malin, kufirin vetëm për të siguruar bukën e gojës, tashmë nuk kanë mundësi t’i sigurojnë ato të ardhura sepse një pjesë të madhe të kohës e kalojnë me fëmijët e tyre për shkak të pasigurisë që solli kjo ngjarje. Bleona është marrë pothuajse në mes të fshatit, në mes të ditës. Dhe më e keqja është se nga deklarimet e drejtuesve të strukturave të Policisë së Shtetit dëgjuam lloj-lloj çudirash, të tilla si: ngjarje ishte aksidentale, mund të jetë dëmtuar nga egërsirat, apo më pas filluan duke akuzuan edhe familjarët si të implikuar në zhdukjen e vajzës. Është detyrë e Policisë së Shtetit, pavarësisht se kush është autori, qoftë ai edhe familjar apo kushdo tjetër, për ta zbuluar dhe për ta vënë para përgjegjësisë penale. Policia arrin deri aty sa që penalizon edhe viktimën. E kam fjalën që arrijnë të akuzojnë edhe familjarët e viktimës. Ka edhe raste të tjera ku kemi dëgjuar shpeshherë që të ngarkohet me faj edhe viktima. Autorët, në të tilla raste, i vënë para përgjegjësisë penale vetëm për t’iu shmangur opinionit publik.
Çfarë mendohet të bëhet më tej për fatin e Bleonës?
Me gjithë deklaratat e ministrit të Brendshëm se “jemi afër zbulimit të ngjarjes”, akoma nuk ka asgjë të re. Unë e kam kërkuar edhe në interpelancë dhe nuk më është paraqitur, duke u justifikuar se kemi të bëjmë me një sekret hetimor, por në fakt nuk ka pasur se çfarë të thotë. Tashmë, edhe familjarët e kanë humbur besimin te Policia. Unë personalisht kam qenë në familjen e Bleonës, kam kontaktuar me ta. Ata tashmë u janë drejtuar rrugëve të tjera private. Ne kemi dhe informacionin e fundit ku drejtuesja e një emisioni (Aida Shtino), që po merret me këtë çështje, është kërcënuar nga dikush që mund të jetë dhe autori i kësaj ngjarjeje. Pra dua të them me këtë se kur shteti dështon në zbulimin e autorëve, atëherë edhe elementët e impenjuar marrin zemër edhe vazhdojnë të rrisin aktivitetin e tyre kriminal.
Përveç kësaj ngjarjeje të rëndë është edhe vrasja e kryekomunarit të Tërthores, Remzi Veseli, që ka tronditur opinionin publik. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Pikërisht pas ngjarjes së zhdukjes së Bleonës ndodh edhe një ngjarje tronditëse për rrethin e Kukësit. Në derën e shtëpisë, pothuajse në orën nëntë, kur nuk ka pasur asnjë lëvizje, vritet në mënyrë mafioze kryetari i komunës Tërthore, Remzi Veseli. Të njëjtën gjë dëgjuam nga ministri kur akoma nuk ishte bërë varrimi. Ai u shpreh se “ne jemi afër zbulimit të autorëve”. Kjo nuk ka të bëjë me detyrën. Në çfarë vendi të botës keni dëgjuar ju se pa pasur asnjë informacion konkret, pa u varrosur viktima, del ministri dhe pretendon se është zbardhur ngjarja?! Ka kaluar më shumë se 10 ditë dhe policia akoma nuk e ka thënë fjalën e vet.
A ka të bëjë kjo ngjarje me politikën, sipas jush?
Duke qenë se kemi të bëjmë me një person politik, duke qenë se kemi të bëjmë më një kryetar komune të Partisë Socialiste, i vetmi afër qytetit të Kukësit, i cili ka luftuar për mbrojtjen e votës së qytetarëve, të gjitha këto rrethana të çojnë në këtë pistë. Vetëm në atë komunë dhe në komunën e Arrnit nuk është arritur të manipulohet vota. Të gjitha dyshimet të çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me një vrasje politike. Fakti që u bënë gati dhjetë ditë dhe nuk kemi asgjë të re për këtë ngjarje tronditëse na shtyn të mendojmë kështu. Por, ministri i Brendshëm deklaron përherë të njëjtën gjë, edhe në Parlament, se “jemi afër zbulimit të ngjarjes”! Po ku është autori? Pse nuk gjendet? Pse nuk vihet para drejtësisë? Është e njëjta situatë siç ndodhi kur u vra Fatmir Xhindi. Të njëjtat gjëra kemi dëgjuar nga ministri. Thuhet se u dërguan specialistë për Bleonën, po kështu për Xhindin, kështu po dërgohen për Veselin, po ende nuk ka asgjë. Është detyrë e Ministrisë së Brendshme që të merret me hetimin për gjetjen e autorëve të këtyre veprave penale.
Sipas jush, qeveria nuk po bën përpjekjet e duhura për zbardhjen e çështjeve me rëndësi?
Përpjekjet e Policisë ne nuk i hedhim poshtë. Normalisht, ato kanë bërë përpjekje për të zbuluar si ngjarjen e zhdukjes së Bleonës, ashtu edhe për zbulimin e autorëve të vrasjes së Remzi Veselit. Ne nuk mohojmë punën e tyre, por vetvetiu shtrohet pyetja: Ku është rezultati? Kemi të bëjmë me një paaftësi, me mungesë transparence sepse kur del drejtuesi dhe thotë se kemi një siguri në vend, në anën tjetër ndodhin gjithë këto ngjarje që tronditin rendin dhe qetësinë te opinioni. Ndërkohë që kemi rritje të numrit të krimeve, po shihet se ka ulje të fuqisë zbuluese të veprave penale nga strukturat antikrim dhe rrjedhimisht kjo shkakton një pasiguri më të madhe.
Çfarë po bëni ju konkretisht, si deputet i zonës, për zbardhjen e ngjarjeve që kanë ndodhur kohët e fundit në Kukës?
Ne do të vazhdojmë të bëjmë presione, në kuptimin pozitiv, ndaj kësaj qeverie, deri në zbulimin e autorëve. Edhe tri ditë më parë, në Kuvend, dy nga kolegët e mi, Gazmir Bizhga dhe Xhemal Qefalia, kanë folur pikërisht për këto dy vrasje si dhe për ngjarje të tjera që shqetësojnë qytetarët.
A mbani kontakte me banorët e zonës për zhvillimet në zbulimin e këtyre ngjarjeve?
Unë, si deputet i zonës, kam shkuar, kam kontaktuar edhe me familjarët e të ndjerit, të cilët ia kanë lënë Policisë së Shtetit për ta zbuluar autorin. Të gjitha këto dhe shumë ngjarje të tjera, të cilat i dëgjojmë çdo ditë, kanë ndikim jo vetëm tek unë, por tek të gjithë qytetarët e këtij vendi. Vetëm për muajin tetor është rritur në mënyrë alarmante, jo pak, por 30% numri i vrasjeve. Pra, në muajin shtator kemi pasur 20 vrasje, kurse në tetor 30 të tilla, ku një pjesë e mirë e tyre janë të pazbuluara. Kjo, pa marrë parasysh vepra të tjera penale, siç janë grabitjet me armë, të cilat janë shtuar në mënyrë drastike kohët e fundit, vjedhjet me maska, grabitjet e banesave, grabitjet në mes të rrugës të qytetarëve, pa përfshirë këtu humbjet e jetëve të njerëzve nga aksidentet automobilistike apo vetëvrasjet, të cilat janë shtuar edhe si rezultat i varfërisë ekstreme të shqiptarëve.
Duke qenë deputet i Kukësit, një ndër zonat më të varfra të Shqipërisë, si e shpjegoni një rritje të tillë të varfërisë?
Për varfërinë vë përgjegjës çdo qeveri që vjen në pushtet me premtime gjatë fushatave elektorale që do të ulë varfërinë dhe të shtojnë numrin e vendeve të punës. Dhe kur qeveria nuk i mban këto premtime, sjell rritjen e numrit të të papunëve, gjë që e faktojnë edhe statistikat e fundit. Sot prindërit nuk janë në gjendje t’u blejnë librat e shkollës fëmijëve të tyre. Unë di një rast tipik në Bathore të Tiranës, ku mësuesja i ka nxjerrë fëmijët nga shkolla vetëm sepse nuk kanë pasur lekë për të blerë libra. Dhe normalisht, kjo qeveri e zhytur në korrupsion është përgjegjëse për varfërinë që ka pllakosur shqiptarët. Dhe sa herë ne denoncojmë korrupsionin, sa herë që nxjerrim në dritë fakte të korrupsionit, ata na sulmojnë në vend që të merren me problemin. Kur kemi folur për korrupsionin e ministrave na kanë akuzuar se jemi kundër vizave; kur kemi folur për korrupsionin në rrugë, na kanë akuzuar se jemi kundër rrugës, e të tjera. Kjo vetëm e vetëm për të mbuluar korrupsionin e tyre dhe për t’i mbajtur shqiptarët sa më të varfër.
8 Nentor 2010