E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Qeveria e largoi 10 vjet Shqipërinë nga anëtarësimi

Ish-ministri i Jashtëm dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo, analizon raportin dhe krizën

Bisedoi Besarta Billa

Shqipëria humbi trenin e radhës në rrugën për integrimin e Shqipërisë. Kështu e ka cilësuar ish-ministri i Jashtëm, njëherësh, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, mospranimin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Komisioni Europian. Sipas tij, dështimi në arritjen e një kompromisi politik dhe bllokimi i reformave e kanë çuar të paktën 8 deri në 10 vjet më tej kohën kur vendi ynë mund të bëhej anëtar i Bashkimit Europian. Ai ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë edhe në lidhje me demagogjinë që po bën për procesin e vizave, në përpjekjet për të fshehur dështimet e saj në realizimin e kushteve të përcaktuara nga BE-ja. Kreu i PDS-së, në opozitë, thotë se PS-ja ka bërë më shumë se ç’duhet lëshime për gjetjen e një zgjidhjeje, por maxhoranca nuk është e gatshme për dialog dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e vetmja rrugë për të dalë nga situata.

Cili është opinioni juaj për refuzimin e statusit të vendit kandidat për në BE?

Për fat të keq, lajmi për çështjen e statusit të vendit kandidat, i cili ishte negativ për Shqipërinë, nuk i lejoi shqiptarët të gëzojnë lajmin e parë për liberalizimin e vizave në dimensionin që meriton ky lajm. Ishte një vlerësim që pritej dhe që nuk surprizoi askënd. Sepse Bashkimi Europian e kishte thënë me kohë që Shqipëria nuk po i plotësonte kriteret e Kopenhagës për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Në raportin e progresit, që doli nga Komisioni Europian, ka një numër çështjes që i adresohen Shqipërisë, në mënyrë të veçantë maxhorancës, që theksojnë deficitet e mëdha që ka Shqipëria në mirëfunksionimin e institucioneve, në keqpërdorimin e Parlamentit, në korrupsionin galopant, në administratën publike të politizuar, në luftën kundër krimit të organizuar, në mungesën e kompromiseve dhe të dialogut politik midis forcave kryesore politike, në mungesën e vullnetit politik të maxhorancës për të gjetur kompromis. Përveç këtyre vërejtjeve të rënda që bëhen, ka edhe 12 rekomandime që janë si detyra shtëpie, se çfarë duhet të bëjë Shqipëria me qëllim që pas një viti, kur të bëhet raporti tjetër, të mund të ketë progres politik.

Kryeministri u shpreh se këtë raport do ta kthejë në programin e tij qeverisës. Sa mendoni se Berisha do ta arrijë këtë?

Zoti Berisha, gjithnjë me stilin e tij të njohur të demagogjisë dhe personalizimit të çështjeve në politikën shqiptare, është shumë folklorik. Edhe në fjalën që mbajti ditën e enjte në Kuvendin e Shqipërisë, e trajtoi çështjen e liberalizimit të vizave si një sfidë personale, sikur shqiptarët e morën të drejtën për të lëvizur lirisht në Europë në sajë të punës personale të zotit Berisha.

Ju, kujt ia atribuoni arritjen e liberalizimit të vizave?

Liberalizimi i vizave është një proces thellësisht teknik dhe nuk ka pse të nxitojnë dhe të vrapojnë qeveritarët shqiptarë për të marrë meritat për një proces teknik që kishte ardhur koha të bëhej dhe që u bë me vonesë. Qeveritarët shqiptarë duhet para së gjithash që të japin llogari pse Shqipëria ishte e fundit në Ballkan që mori liberalizimin e vizave, dhe jo të vrapojnë dhe të rrahin gjoksin se u mor liberalizimi i vizave. Pra këtu është edhe thelbi i demagogjisë së tyre, që një përgjegjësi për vonesën e shndërrojnë në një kazus për t’u vetëlavdëruar për atë që po bëjnë. Procesi teknik që kishte të bënte me kartat e identitetit, me pasaportat biometrike, me ndërtimin e infrastrukturës së kontrollit në pikat e kalimit kufitar. Pra, këto janë çështje që nuk kanë të bëjnë me politikat e mëdha të shtetit apo të qeverisë, por kanë të bëjnë me plotësimin e kritereve të Kopenhagës. Mungesa e plotësimit të këtyre kritereve çoi në penalizmin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo është shumë herë më e rëndë sesa liberalizimi i vizave, sepse ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve. Ka të bëjë me një numër favoresh që do të merrte Shqipëria nëse do të ishte bërë vend kandidat për në BE. Qëllimisht qeveritarët shqiptarë kërkojnë të fshehin pyllin prapa pemës. Pra, një të drejtë të ligjshme që ia vonon me politikat e tyre destruktive, kërkojnë të fshehin atë të vërtetë të madhe që Brukseli ia refuzoi aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe penalizoi Shqipërinë për shkak se zoti kryeministër dhe ekipi i tij vazhdojnë të refuzojnë të arrijnë kompromisin e nevojshëm për transparencën e plotë të procesit zgjedhor të kaluar dhe për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund krizës politike, që është shkaku kryesor sot përse Shqipëria ndodhet në këtë situatë.

Komisioni Europian përmendi dialogun politik si një ndër arsyet kryesore për refuzimin e statusit. Sa përgjegjësi mbani ju si opozitë, si pjesë e njërës palë dialoguese?

Dialogu politik, pa dyshim, kërkon dy palë dhe deri tani, si maxhoranca dhe opozita janë ulur për dialog politik me ndërmjetësimin e një pale të tretë, që kanë qenë përgjithësisht aktorët europianë, si: Parlamenti Europian, Komisioni Europian apo dhe Këshilli i Europës. Megjithatë, edhe ndërmjetësimi i këtyre palëve nuk ka bërë të mundur që ky dialog të prodhojë një kompromis politik. Për rrjedhojë, edhe këto institucione e kanë të vështirë tashmë të ndërhyjnë në qoftë se nuk ka një vullnet politik të dy aktorëve të mëdhenj të politikës shqiptare. Por, në qoftë se do të vëmë re, Partia Socialiste gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë disa propozime për kompromis, propozime këto që kanë të bëjnë edhe me ndryshimin e qëndrimeve të Partisë Socialiste duke u tërhequr edhe nga qëndrimet e mëparshme. Që në fillim PS-ja ka pranuar që të shkojë në Parlament, ka pranuar të njohë vendimin e mundshëm që do të merrte Komisioni i Venecias në lidhje me hapjen e kutive të votimit, ka pranuar që të bëhet studimi dhe hapja e materialeve zgjedhore pa hapjen e kutive me fletët e votimit, ka pranuar që të bëhet edhe procesi i transparencës së zgjedhjeve të kaluara krahas reformës zgjedhore. Pra, PS-ja ka lëshuar katër herë, kurse PD-ja nuk ka bërë as lëshimin më të vogël nga alibia që ka ndërtuar për të mos hapur kutitë e votimit gjoja se shkelet Kushtetuta dhe ligji. Pikërisht këtu, në këto fakte, dëshmohet se kush është për dialog dhe kush nuk e do dialogun dhe pse dialogu duhet të çojë në një rezultat konkret, që do të jetë hapja e kutive të votimit. Por, PD-ja nuk mund të pranojë të hapen kutitë pasi aty ka një realitet tjetër, sepse brenda kutive ka fakte të tjera. Kjo do ta diskreditonte përfundimisht maxhorancën, por edhe të gjithë atë ndërtesë demagogjike që ka ndërtuar Berisha në lidhje me të ashtuquajturat standarde zgjedhore, atë që e quan zgjedhje të lira dhe të ndershme, më të mirat që mund të jenë zhvilluar në Shqipëri.

Në çfarë faze futet integrimi i vendit? Sa larg e shikoni Shqipërinë nga Europa?

Për fat të keq, jemi relativisht ende larg. Këtu nuk bëhet fjalë që Shqipëria do bëhet pas dy apo tre vitesh anëtare e BE-së. Minimalisht do të duhen, në qoftë se Shqipëria ecën me hapa normalë, duke plotësuar kushtet dhe kriteret, tetë deri në dhjetë vjet për t’u bërë anëtare e BE-së. Kjo për shkak se kemi humbur disa trena gjatë këtyre 20 viteve për në Bruksel. Treni i parë ishte ai në vitet 1996-1997, ku u manipuluan zgjedhjet e 26 majit dhe më pas ndodhën protestat dhe revoltat popullore për shembjen e piramidave. Në vitin 2003 humbëm trenin e dytë për shkak të krizës politike të qeverisjes socialiste, të cilët vonuan çështjen e hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Tani humbëm trenin tjetër, për shkak se nuk morëm statusin e vendit kandidat, nuk plotësuam kriteret politike dhe të tjera të Kopenhagës, që janë një dokument i rëndësishëm, në bazë të të cilit gjykohen shtetet që duan të bëhen anëtare të BE-së.

ǒmendoni të bëni ju si forcë politike në opozitë për integrimin e vendit?

Opozita, sigurisht që ka një rol për të luajtur, por roli i saj është i kufizuar në raport me maxhorancën dhe qeverinë. Opozita është gati për të bashkëpunuar me maxhorancën në emër të interesave të mëdha të integrimit europian të vendit. Opozita nuk mund të luajë rolin e strucit, që, nga njëra anë të deklarohet për bashkëpunim dhe, nga ana tjetër, të mos shikojë dhe kundërshtojë dhunimin e kritereve më të rëndësishme të Kopenhagës. Pra, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të flitet për demokraci funksionale, nuk mund të ketë institucione demokratike të shëndetshme. Ne nuk mund të gënjejmë veten dhe kjo është arsyeja se pse opozita me forcë kërkon të bëhet transparenca e procesit zgjedhor, si dhe të dalin fajtorët për masakrën elektorale me qëllim që të mos përsëritet kjo komedi elektorale që prodhon institucione si Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të pamerituar dhe qeverisje të mbështetur mbi votat e vjedhura. Pikërisht këtu qëndron thelbi i demokracisë në Shqipëri dhe i devijimit të proceseve demokratike. Pa bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ndërtosh institucione demokratike. Çdo gjë fillon te zgjedhjet e lira, te respektimi i vullnetit të popullit për të vendosur ata vetë se kush do të qeverisë. Për fat të keq sot në Shqipëri populli voton dhe manipulatorët e zgjedhjeve numërojnë.

12 Nentor 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›