Rama: Pse hoqëm dorë nga fletët e votimit
Bisedoi Alfred Peza
Kryesocialisti Edi Rama shpjegoi publikisht tërheqjen nga fletët e votimit, për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike. Në një intervistë dhënë për gazetarin Alfred Peza, në emisionin e tij “Ora e debatit”, zoti Rama është ndaluar në detaje në situatën më të fundit politike dhe lëvizjet e opozitës. Ai ka bërë të ditur se nuk ka më marrëdhënie të kushtëzuara me maxhorancën përsa u përket çështjeve të fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar. Po ashtu, zoti Rama ka folur edhe për zgjedhjet vendore dhe garën për kryeqytetin, ku nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për një mandat të katërt. Po ai theksoi se vendi ndodhet afër zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.
Ju keni bërë këto ditë një ofertë të re për zgjidhjen e krizës politike, për procesin e transparencës së zgjedhjeve të kaluara. A është e mundur ta kuptojmë se nuk është kuptuar qartë se ku ndryshon kjo ofertë e re nga të gjitha ato të vjetrat që janë bërë deri tani?
Oferta e re nuk është bërë këto ditë, është bërë ditën që unë së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar socialist kemi shkuar në tryezën e thirrur për reformën zgjedhore. I është lënë në tavolinë kryetarit të qeverisë së votave të vjedhura dhe i është thënë “ja ku është oferta jonë për të zgjedhur krizën politike dhe për t’i hapur rrugë reformës zgjedhore që nuk mund të bëhet pa zgjidhur krizën”. Në këtë ofertë të re, që është oferta për të ngritur komisionin hetimor parlamentar, është vendosur e zeza mbi të bardhë, ajo çfarë shkruhet në Rezolutën e Parlamentit Europian, hetim i kutive të materialeve zgjedhore. Nuk ka asnjë fjalë për fletët e votimit dhe më pas unë kam shpjeguar që ne jemi tërësisht të vetëdijshëm që duhet të vazhdojmë të përpiqemi për një zgjidhje që Sali Berisha nuk e do, por që shqiptarëve dhe Shqipërisë i duhet. Në këtë funksion ne kemi lënë jashtë kornizës së hetimit fletët e votimit. Nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim që besoj se e plotëson në mënyrë konsiderueshme dhe të mjaftueshme për të nxjerrë problemet e rënda që kanë zgjedhjet në Shqipëri me hetimin e kutive të materialeve zgjedhore.
Po, por edhe zoti Patozi ka kthyer një përgjigje edhe thotë që në një sistem demokratik asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar dhe nuk mund të ndërmarrë një hetim të pakufizuar. Ju keni hequr dorë nga hetimi i pakufizuar?
Po jua përsëris: në ofertën tonë ne jemi të qartë. Gjithçka është e shkruar shumë qartë. Duam të implementojmë Rezolutën e PE-së, duam të hetojmë kutitë e materialeve zgjedhore dhe jo fletët e votimit.
Jeni dakord që ndërkohë që ju do të hetoni materialet zgjedhore, fletët e votimit të digjen sipas nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor?
Ne nuk japim asnjë dakordësi për asgjë që ka të bëjë me ndërhyrjen në fletët e votimit. Por ne nuk i duam fletët e votimit për këtë hetim dhe sigurisht që do të mbajmë qëndrimin tonë që nuk kushtëzon marrëdhënien me Parlamentin, që nuk mban krizën politike hapur, por sigurisht dallon qartë modelin tonë të bërit gjërave, me modelin e Sali Berishës.
Që është...?
Digj, shkatërro, dërrmo, pengo, blloko sa të mundesh, si të mundesh dhe ku të mundesh.
Zoti Berisha ua ka kërkuar me shkrim dhe me sa dimë, akoma nuk ua keni çuar këtë që konsideroni si ofertë të re...
Zoti Berisha e ka ofertën e re me shkrim dhe firmat e më shumë se 30 deputetëve të PS-së. Ky është një angazhim i marrë publikisht dhe kjo është një ofertë që ka marrë dhe një mbështetje aspak për t’u neglizhuar siç është mbështetja për këtë ofertë nga vetë komisioneri i Zgjerimi, Shtefan Fyle.
Ju po kërkoni hetim të materialeve zgjedhore dhe ndërkohë nuk kërkoni fletët për hetim, për asgjë, por të mos digjen...
Jo, jo. Ne nuk hymë fare në këtë çështje. Sigurisht, nëse duhet që të themi fjalën tonë, ne do ta themi fjalën tonë. Por kjo nuk do të thotë që ne kushtëzojmë çfarëdo qoftë me fletët e votimit.
Do ju jepen, në mënyrë hipotetike, kutitë e votimit, do të filloni hetimin me shumicë dhe kryesim të opozitës, ndërsa fillon puna digjen fletët e votimit. Konsiderohet e zgjidhur, sipas jush, kriza, pavarësisht se fletët e votimit do të digjen, ju do të vazhdoni punë me materialet?
Ne do të vazhdojmë punë me hetimin, pavarësisht se çfarë ndodh me fletët. Por, për atë që ndodh me fletët ne do të themi fjalën tonë, që do të thotë se kjo nuk kushtëzon qëndrimin tonë ndaj Parlamentit, por ama sigurisht që nuk jep dakordësinë tonë për një gjë është plotësisht e evitueshme.
Pra ju do të mbani qëndrimin tuaj, pavarësisht nëse digjen apo jo fletët...
Siç e mbajmë qëndrimin tonë për çdo çështje për të cilën nuk jemi dakord me Sali Berisha, kjo është normale apo jo...?!
Pra kjo do t’i dërgohet me shkrim Sali Berishës sepse ka një ndryshim qëndrimi...
Çfarë t’i çojmë me shkrim? T’i çojmë me shkrim Saliut që shikoni madhëri se në rast se ju do ta bëni këtë makabritet, ne do të vazhdojmë të përunjur punën tonë? Çfarë t’i çojmë me shkrim?
Duhet të jemi të qartë sepse është shumë e rëndësishme kjo gjë, mund të jetë artikulimi që zgjidh krizën për të cilën kemi 1 vit e gjysmë që vijmë vërdallë.
Është artikulimi që zgjidh krizën në rast se Sali Berisha pranon që më në fund duhet ta zgjidhë krizën dhe në rast se nuk vazhdon të bëjë atë që thotë dhe opinioni i Bashkimit Europian, të tregojë mungesë gatishmërie për t’iu përgjigjur ofertave të PS-së, është e thënë në opinionin e BE-së.
Unë besoj, të paktën nga ato që kam dëgjuar disa herë nga kryeministri, që ai këtë ofertë që ju bëtë sot do ta pranojë...
Në fakt, kryeministri ka një karakteristikë të njohur që po e tha fjalën nuk e ha asnjëherë... Unë di të them vetëm kaq, që oferta e re është në tavolinë, nuk i përmban fletët e votimit.
Nëse digjen fletët e votimit ju do të vazhdoni hetimin e materialeve zgjedhore, do të mbani një qëndrim politik për to, do të thoni fjalën tuaj, kaq?
Është e qartë si drita e diellit që ne nuk i duam fletët e votimit.
As të ruhen?
Nuk do të japim kurrë dakordësinë që ato të digjen, do të mbajmë qëndrimin tonë sepse modeli ynë na imponon një qasje krejt tjetër ndaj çështjeve sado të koklavitura të vendit. Por kjo nuk do të kushtëzojë qëndrimin tonë ndaj Parlamentit dhe nuk do të kushtojë ecurinë e hetimit tonë dhe nuk do të kushtëzojë marrëdhënien tonë me reformën e tryezës zgjedhore....
... Edhe nëse digjen fletët e votimit ju do të vazhdoni marrëdhënien normale me Parlamentin, do të merrni pjesë në reforma, do të jepni votat, pra nuk do të keni qëndrim të kushtëzuar, pasi ajo varet nga qëndrimi politik që do të merrni rast pas rasti për çështje të ndryshme. Kjo është hera e parë që artikulohet kaq e qartë.
Qëndrimi ynë në rast se do të ndodhë kështu siç thoni ju, do të jetë i ashpër. Por, politikisht i ashpër dhe jo kushtëzues.
Ok. Kriza u zgjidh.
Të shohim nëse Saliu do të hapë kutitë e materialeve zgjedhore dhe pastaj do të themi u zgjidh kriza politike, ndërkohë që kriza e demokracisë, kriza e Drejtësisë, kriza e ekonomisë, mbeten kriza për t’u zgjidhur pas largimit të qeverisë.
Kjo është histori tjetër. Këto janë betejat tuaja, nuk janë betejat tona.
Kjo është fatkeqësia, që betejën e demokracisë ju e konsideroni si një betejë tonën, ndërkohë që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli edhe për një media të pakërcënuar as nga shantazhet mbi pronarët dhe nga goditja e burimeve të tyre, të financimit të medias sa herë që shfaqet profili kritik i medias së tyre, as nga ryshfeti i pushtetit, që është po kaq kanosës sot sa ç’është dhe kërcitja e dhëmbëve të pushtetit. Në rast se ka ndonjë pikë aty në opinionin e KE-së që refuzon kërkesën e qeverisë shqiptare për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave, është dhe pika për mediat e kërcënuara dhe për lirinë e kufizuar të tyre në kushtet e një Shqipërie që ka probleme nga të katërt anët....
Keni paralajmëruar me kohë mbajtjen e një serie protestash nga ana e opozitës. Deri tani nuk ka pasur një kalendar, keni pritur diçka apo kalendari është gati?
Kalendari është çështje e brendshme organizative e jona, protestat janë në rrugën e zhvillimit të tyre.
Ka një datë për fillimin e protestave?
Po çfarë rëndësie ka kjo? Në ditët në vijim ne do të fillojmë protestat si pjesë e pandalshme e rrugës sonë për largimin e qeverisë.
Brenda nëntorit, apo në fillim të dhjetorit?
Në ditët në vijim.
Keni premtuar që në shtator paralajmëruat protesta. Ka ndonjë gjë që nuk shkon?
Nuk ka asgjë që nuk shkon. Ne kemi ecur në dy binarë: në binarin e reagimit popullor dhe në binarin e përpjekjeve për të zgjidhur krizën. Ndërkohë kemi qenë në një mendje që përpara dy vendimeve të mëdha dhe të rëndësishme për Shqipërinë, që fatkeqësisht nuk rezultuan të dyja pozitive, liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, të mos zhvillojmë protesta....
Në prag është fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011. Do të kandidoni për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës?
Është shumë herët për të folur për këtë, por është e sigurt se ne do të eksplorojmë çdo kandidaturë potenciale edhe për Bashkinë e Tiranës.
Ju e përjashtoni mundësinë që të jeni kandidat?
Nuk e përjashtoj, por as nuk e quaj një fakt të mirëqenë qysh sot...
Keni përmendur një shqetësim në lidhje me listat e zgjedhësve para disa ditësh në lidhje me disa elementë të tjerë që lidhen me infrastrukturën elektorale. Në thelb, cili është shqetësimi juaj dhe a ka gjëra konkrete në këtë shqetësim?
I kemi bërë prezente OSBE-së, i kemi bërë prezent përfaqësuesve të Bashkimit Europian që financojnë një projekt për gjendjen civile dhe regjistrin elektronik të shtetasve që monitorohet nga OSBE-ja, shqetësimin tonë për mungesën e transparencës së këtij projekti dhe në listat paraprake që kemi filluar të marrim me vonesë dhe jo në të gjithë vendin, kemi identifikuar probleme të rënda, të cilat do t’i bëjmë publike në ditët në vijim.
Meqë ju përmendët Bashkinë dhe modelin tuaj qeverisës, duke qenë se ju u morët një pjesë të këtij emisioni me atë që ju konsideruat si modelin e keqqeverisjes nga maxhoranca. Ka pasur kritika në adresë tuaj, të cilat jeni munduar t’i sqaroni edhe gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së PS-së në lidhje me zotin Dritan Avllaj, ose siç njihet, Tan Lepri. Çfarë ju lidh me të?
Kjo është një çështje që ka të bëjë me atë që fola më parë, me mbiprodhimin e makinës së baltës në kushtet kur ne kemi ekspozuar fakte dhe jo llafe, prova, jo shpifje, për keqqeverisjen për shkak të korrupsionit dhe interesave tërësisht korruptiv të oborrit të pushtetit. Faktikisht, siç e kam shpjeguar publikisht dhe po jua rithem. Unë kam plot miq e të njohur dhe nuk është hera e parë që një njeri i njohur i imi kthehet në personazh të makinës së baltës. Keni dëgjuar të tjerë emra në të shkuarën dhe do të dëgjoni me siguri të tjerë në të ardhmen, sepse kështu punon makina e baltës. Por, përtej asaj që ka të bëjë me personin në fjalë, është i rëndësishëm fakti për të shpjeguar...
Është miku juaj?
Është i njohuri im. Siç kam plot të njohur të tjerë dhe dua ta theksoj shumë qartë që miqësitë e mia me njerëzit e njohur më të afërt apo më të largët në një punë që më bën që të njoh shumë njerëz, kurrë nuk kanë qenë një arsye që unë të ngre një urë midis vetes dhe territorit të paligjshmërisë për shkak të miqësive. Asnjëherë.
Njohja juaj është për shkak se jeni kryetar Bashkie dhe ai është ndërtues në Tiranë?
Ai nuk është ndërtues në Tiranë dhe njohja ime nuk ka asnjë arsye që të lidhet me gjithçka thuhet. Është një njohje normale, si me plot njerëz të tjerë...
Pavarësisht nëse kandidoni apo jo për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si e konsideroni një kandidaturë të mundshme të Lulzim Bashës nga PD-ja për kreun e Bashkisë së Tiranës?
Saliu i krehur dhe, sigurisht, më i ri.
Kjo s’është përgjigje...
Më shumë nuk dua të them sepse s’kam më shumë për të thënë. Një kopje si ato kukullat ruse që hap të madhen dhe del e vogla. Saliu i krehur i ri dhe me një buzëqeshje me të shtrirë nga jugu në veri.
Pak ditë më parë zoti Nano ka shprehur ambicien për të qenë President i Republikës. Kryeministri Berisha deklaroi se nuk do ta mbështeste këtë kandidaturë dhe të vetmit që mund ta mbështesnit, ishit ju, pra PS-ja. A do të votojë PS-ja për Fatos Nanon president?
Në fakt, Saliu thjesht tregoi se çfarë detyre ka Fatosi në këtë konfiguracion, që të bëjë ç’të mundet për të krijuar sa më shumë probleme në kampin e opozitës. Por, përtej detyrës që Saliu i ka lënë ose mendon se i ka lënë dhe përtej gjithçkaje tjetër që e bën këtë treshe, këtë monument të politikës së vjetër që të jetë i ndarë në tri zona të ndryshme, por që në fakt konvergojnë me njëra-tjetrën përmes këtyre tri figurave: Saliu, Fatosi dhe Iliri. Të mos harrojmë Ilirin, edhe pse tani nuk ka më pikë dyshimi, është thjesht dhe vetëm paterica e Saliut dhe asgjë më shumë se kaq. Unë dua të them këtu me shumë sinqeritet atë që realisht ndiej, përtej të gjithë këtyre dhe përtej politikës së ditës, kur e shoh Fatosin të katandisur në atë gjendje, kur e shoh Fatosin që thotë nuk e votova PS-në, nuk do ta votoj PS-në, kur e shoh të miklojë me të gjitha mënyrat Saliun dhe Ilirin bashkë, kur e shoh të thotë se tashmë është shoferi i Ilirit, ndiej keqardhje. Ndiej keqardhje dhe sinqerisht ndiej keqardhje për katandinë e tij dhe për faktin që nuk e ndihmoj dot dhe nuk di si ta ndihmoj dot.
Ju do të votoni një kandidaturë tjetër, apo do të mbështesni Bamir Topin për një mandat të dytë?
Kjo është një çështje e vitit 2012. Ne sot jemi në fund të vitit 2010. Midis së sotmes dhe asaj dite ne do të kemi zgjedhje të parakohshme.
Doja të bëja një pyetje për shitblerjen e deputetëve. A ka përfunduar merkatoja, ka më lëvizje?
Unë këtë pyetje e marr si fyerje.
Nëse ju fyheni unë e tërheq, ju kërkoj ndjesë.
Faleminderit që e tërhoqët dhe tani po ju përgjigjem. Lëvizja e deputetëve nga radhët e shumicës në opozitë nuk është asgjë tjetër veçse një vendimmarrje e tyre e lirë në kushtet kur për arsye të tyre refuzojnë të rreshtohen me pushtetin. Nuk ka opozitë, aq më pak kjo opozitë, që të mund të hyjë në një garë blerjesh dhe s’ka arsye që ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë që po. Pushteti blen. Mandati i së vetmes shpresë, që është Partia Socialiste, kushton, sigurisht kushton.
Sa ka kushtuar mandati i Vangjel Tavos?
Për fat të mirë dhe për nderin dhe dinjitetin e atyre qindra mijëra votuesve dhe atyre miliona shqiptarëve që duan një Shqipëri tjetër, një shumicë dërrmuese absolute që nuk e shet këtë mandat, pavarësisht se sa mund të jetë çmimi që ofrohet.
Tavo e shiti mandatin?
Unë kam neveri për aktin e Vangjel Tavos dhe nuk shoh asnjë arsye për të thënë më shumë sesa fjalën neveri.
Zoti Bashkim Fino në këtë studio ka thënë që ai e shndërroi mandatin e tij në një tender. Përflitet se i ka kërkuar Partisë Socialiste për të mos u larguar, 2 milionë ose 3 milionë euro që të mos largohet...
Bashkim Fino ka të drejtë për këtë dhe shumë gjëra të tjera.
Si do ta rrëzoni qeverinë dhe si do ta shkarkoni Jozefina Topallin? Keni deklaruar se keni marrë një nismë për këtë gjë.
Qeveria, në një demokraci sado e cungët të jetë kjo demokraci, sado jofunksionale të jetë kjo demokraci, nuk rrëzohet, por largohet. Që do të thotë se është vota ajo që e largon qeverinë.
Përmes votës në Parlament?
Është vota ajo që e largon qeverinë dhe kudo ku ka votë për qeverinë, ka një mundësi për të larguar qeverinë.
Intervista është marrë me shkurtime nga emisioni “Ora e debatit”
20 Nentor 2010