Meksi: Shqiptarët përfitojnë më shumë me statusin sesa vizat
Besarta Billa
Procesi i liberalizimit të vizave është një proces kombëtar, por shqiptarët do të përfitonin më shumë në aspektin ekonomik nëse vendi do të merrte statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ky është mendimi i shprehur nga ish-ministrja e Integrimit, Ermelinda Meksi. Gjatë një interviste dhënë për gazetën, ajo theksoi rëndësinë e kapërcimit të kësaj faze, e cila do të kishte shumëfishuar grantet për Shqipërinë.
Përveç lëvizjes së lirë, regjimi i ri i qarkullimit të shqiptarëve në zonën Shengen, sipas zonjës Meksi, pritet të ketë ndikime mbi ekonominë shqiptare. Ajo thotë se kjo “mund të ketë efekte në zhvlerësimin e lekut dhe mbiçmimin e euros”. “Unë i jap rëndësi më tepër marrjes së statusit të vendit kandidat, dhe qeveria duhet të punojë shumë për arritjen e këtij statusi”, - shprehet deputetja socialiste, Ermelinda Meksi.
“Në qoftë se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për çdo individ që ka dëshirë të udhëtojë jashtë vendit, marrja e statusit të vendit kandidat ka një impakt ekonomik dhe një zhvillim më të madh, sepse ajo na afron realisht me Europën”, - thotë Meksi, duke i kërkuar mazhorancës dhe qeverisë që të vendosë në agjendë transparencën dhe reformat për përafrimin e mëtejshëm të vendit drejt anëtarësimit në BE.
Zonja Meksi. Cili është komenti juaj për vendimin e Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së për heqjen e vizave?
U bënë rreth dy vjet që vëmendja e të gjithëve është fokusuar tek liberalizimi i vizave. Kjo gjë është bërë duke lënë pothuajse mënjanë angazhime të tjera, më të rëndësishme dhe më fitimprurëse për Shqipërinë, si për shembull, marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo na bën që të ngelemi prapa edhe me këtë çështje. Sipas meje, kërkesa e opozitës dhe rezoluta e Parlamentit Europian për transparencë duhet të shihej me më prioritet.
Çfarë ndikimi do të ketë ky vendim në jetën politike, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve?
Liberalizimi i vizave është një aspekt i rëndësishëm pozitiv për gjithë shqiptarët, sepse me anë të saj, ata mund të lëvizin lirisht në 27 vende të Bashkimit Europian, pra në zonën “Shengen”. Sugjeroj të mos ekzaltohemi shumë nga liberalizimi i vizave, pasi mbeten akoma reforma shumë të rëndësishme për tu bërë. Qeveria nuk duhet të propagandojë liberalizimin e vizave nga njëra anë dhe të lërë pas reforma më me rëndësi në vend nga ana tjetër. Sipas meje, liberalizimi i vizave nuk ka ndikim përfitimi direkt në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo, pasi ata, duke pasur mundësinë për të udhëtuar jashtë vendit për turizëm etj, do të shpenzojnë një pjesë të kursimeve të tyre jashtë Shqipërisë. Rrjedhimisht, mund të ketë efekte në zhvlerësimin e lekut dhe mbiçmimin e euros. Unë i jap rëndësi më tepër marrjes së statusit të vendit kandidat, dhe qeveria duhet të punojë shumë për arritjen e këtij statusi.
Çfarë përfitojnë shqiptarët më shumë nëse marrin statusin e vendit kandidat?
Nëqoftëse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për çdo individ që ka dëshirë të udhëtojë jashtë vendit, marrja e statusit të vendit kandidat ka një impakt ekonomik dhe një zhvillim më të madh, sepse ajo na afron realisht me Europën. Në këtë rast, ekonomia do të jetë më funksionale; i bën bizneset më konkurruese dhe mund të rriten ndjeshëm grantet që nxisin zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Pra, marrja e statusit të vendit kandidat është i rëndësishëm për gjithë shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm për një pjesë të saj. Marrja e statusit të vendit kandidat është e rëndësishme dhe përfituese për çdo qytetar, për ekonominë shqiptare në përgjithësi pasi do të synonte të vendoste standardet europiane brenda Shqipërisë. Fondet që jep BE-ja në formë grantesh për Shqipërinë do të 4-5 fishoheshin. Aktualisht, ato shkojnë rreth 80 milionë euro në vit.
Me statusin e vendit kandidat Shqipëria do të mund të përfitonte 250-300 milionë euro në vit. Për ta ilustruar këtë mund tu referohemi fondeve që merr shteti ynë fqinj, Maqedonia, apo, të shohim përpjekjet që bën politika serbe për anëtarësimin në BE. Vlen të theksojmë se këto fond janë falas dhe jo kredi piramidale me interesa rreth 15 % si ajo e vitit të kaluar apo 7.5 % si Eurobondi, për të cilat ekonomia shqiptare ka vërtetë nevojë.
Liberalizimin e vizave ia atribuoni qeverisë apo është një proces që do të ndodhte gjithsesi?
Procesi i liberalizimit të vizave është një proces kombëtar dhe i tejkalon limitet e ekzekutivit. Prandaj, e shoh shumë të rëndësishme sugjerimin që vjen për një nevojë për mirë-koordinimin e institucioneve si Ministria e Integrimit Europian, Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti për programimin e fondeve. Kjo nevojë për mirë-koordinim është edhe në raportet e BE-së. Një rol të madh këtu luan edhe shoqëria civile. Kontributi i saj në nuk do të mbetet vetëm në nenin 14 të rregullores së Këshillit të Ministrave por të nxisë më shumë iniciativa të reja që kontribuojnë përshpejtimin e realizimit të aspiratës europiane të shqiptarëve.
9 Nentor 2010