E Diel, 1 Nëntor 2026

Asllanaj gjykohet se keqpërdori 1 milion euro

Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, akuzohet se më 27 gusht 2008, kishte nënshkruar paligjshëm marrëveshjen për shfrytëzimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore, duke ia mundësuar organizatës “Ben-Af”, ndërtimin e një strukture afariste banesore, duke e garantuar investitorin për shfrytëzim të përhershëm të ngastrës kadastrale. Me këtë rast, “Ben-Af” përfitoi materialisht më shumë se një milion euro, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.

Sali Asllanaj kishte angazhuar dy mbrojtës, mirëpo avokati Ethem Rogova, nuk u paraqit në gjykim, pasi ishte i angazhuar në një seancë tjetër.

Pas marrjes së mendimit të të akuzuarit, shqyrtimi vazhdoi duke theksuar se avokati kryesor do të jetë Sead Haliti.
Meqë i akuzuari aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës, prokurorja e konsultoi edhe Kushtetutën dhe duke u thirrur në nenin 75 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ajo konsideroi se këtu nuk kemi të bëjmë me imunitet, sepse vepra penale për të cilën akuzohet Asllanaj është kryer në kohën kur ai ka qenë kryetar i Komunës së Suharekës.

Vetë Asllanaj sqaroi se nuk ka kërkuar që të mbrohet nga imuniteti i deputetit. “Nuk e di pse prokurorja e ngriti këtë çështje”.

Pas konsultimit, trupi gjykues mori vendim që seanca gjyqësore të vazhdojë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›