Asllani vazhdon me Linkoping

Kosovare Asllani ka vendosur që ta vazhdojë karrierën në ekipin e saj, Linkoping FC. Të mërkurën, futbollistja kosovare e ka vazhduar kontratën për dy vjet të tjerë me klubin suedez. 21 vjeçarja ndihet e lumtur për këtë dhe thotë se do ta japë maksimumin nga vetja.
“Jam çmendurisht e lumtur që do të vazhdoj të punoj me skuadrën, mbi të gjitha me Jorgen e Denise, të cilat sigurisht do më ndihmojnë që ta bëj hapin e radhës në zhvillimin tim”, tha Asllani.
Sulmuesja kosovare ishte rikthyer në Linkoping FC gjatë verës që shkoi, pas një aventure të shkurtër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mezi pres të luaj në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe do të bëj ç’është e mundur për ta fituar një vend në Kampionatin botëror”, vazhdoi Asllani.
Kosovare Asllani ishte transferuar në Linkoping nga Vimmerby, duke e nënshkruar kontratën e saj të parë në janar të vitit 2007, kur ishte 17 vjeç. Në Vimmerby, ajo kishte realizuar 49 gola në 48 ndeshje në ligën e dytë suedeze, në vitin 2006.
Ajo kishte bërë përparim të vazhdueshëm me Linkoping FC dhe në vitin 2009 ishte ftuar në Kombëtaren suedeze. Pas 64 paraqitjesh dhe 22 golave në Linkoping FC, ajo e kishte provuar një eksperiencë profesionale në Chicago të SHBA-ve në gjysmën e parë të këtij viti. Në kampionatin amerikan, WPS, ajo pati 13 paraqitje dhe dy gola të shënuara.