Asnjë centimetër
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi paralajmëron Serbinë që të heqë dorë nga obstruksionizmi. Asnje pjese e Kosoves nuk mund te kontrollohet me nga Beogradi
Serbia ta harrojë kontrollimin e ndonjë centimetri të territorit të Kosovës. Ishte ky paralajmërimi që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri dje Serbisë. “Ne e kuptojmë dhe respektojmë reagimet paqësore që garantohen me ligj, por nuk do të lejojmë që të komprometohet integriteti territorial i Kosovës”, - tha kryeministri i shtetit më të ri të botës. Që pasi liderët shqiptarë të Kosovës shpallën pavarësinë në 17 shkurt, serbët në veri të vendit kanë kundërshtuar me protesta shkëputjen e Kosovës prej Serbisë, duke shkaktuar tension në shtetin e ri dhe duke përhapur frikën e ndarjes së Kosovës. “Jam në kontakt të vazhdueshëm me NATO-n, për të parandaluar këdo që të prekë qoftë edhe një centimeter të territorit të Kosovës”, - vazhdoi Thaçi, ndërsa ndodhej në Raçak, fshatin ku serbët masakruan mbi 40 shqiptarë në vitin 1999. kryeministri serb, Voisllav Koshtunica, ka premtuar se Serbia do të vazhdojë të qeverisë në ato pjesë të Kosovës ku ndodhen serbët dhe Beogradi i ka premtuar punë, shkollim dhe infrastrukturë për këto zona. Por misioni i ri civil i Bashkimit Evropian që pritet të zbarkojë së shpejti në Kosovë, ka marrë përsipër të mos lejojë asnjë institucion paralel të Beogradit në Kosovë. Zyrtarët evropianë kanë premtuar se EULEX do të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës, dhe së bashku me KFOR-in do të punojnë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm të shtetit të ri, por të të gjithë Ballkanit. Vetë kreu i misionit policor të BE-së, Yves de Kermabon, tha dje se EULEX do të punojë edhe në veriun e trazuar të Kosovës, duke hedhur kështu poshtë deklaratat dhe shpresat e serbëve për një ndarje të shtetit të ri. Mediat sllovene, vendi i cili mban presidencën e radhës së BE-së, raportojnë se dislokimi i këtij misioni do të përfundojë brenda 4 muajsh. Ndërkohë, Kermabon tha se BE-ja do të jetë në gjendje të shohë ecurinë dhe zhvillimin e situatës në vend. “Duhet të presim edhe pak, për të parë sesi politikanët tanë mund të vendosin marrëdhëniet. Më pas struktura dhe shtrirja e aktivitetit të EULEX mund të modifikohen”, - u shpreh ai. Ditët e fundit, forcat paqeruajtëse të NATO-s janë dislokuar në veri të Kosovës, veçanërisht në qytetin verior të Mitrovicës, ku serbët dhe shqiptarët ndahen nga lumi Ibër.