E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi kallëzon Poçin për trenin elektrik

Ministri i Transporteve: Kontrata, ish-ministri krijoi dëm 12 milionë euro

Përfundon në prokurori ish-ministri i Transporteve, Spartak Poçi, lidhur me kontratën për ndërtimin e trenit elektrik nga amerikanët e “General Electrics”. Kallëzimi është bërë nga ministri aktual, Sokol Olldashi, pasi u njoh me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Iç në Romë (përfundimtar), që ndëshkon me gjobë qeverinë shqiptare, me vlerë 20 milionë dollarë. “Ministria e Transporteve ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në dijeni të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Ina Rama, kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, e kryer gjatë komunikimit të ministrit Poçi me subjektin “General Electrics Transportation System, Athena” (ILIRIA Consortium) S.a, për shkak se ka dyshime të arsyeshme, në kryerjen e një krimi i cili kushton sot të paktën 12 milionë euro, shtetit shqiptar, faturë e cila rritet çdo ditë për shkak të interesave”, thuhet në njoftimin e djeshëm. Sipas MPPT-së, komunikimi që mban firmën e Poçit dhe mosparaqitja e tij personalisht në gjykimin e Arbitrazhit sipas rregullave procedurale për të dhënë sqarimet e nevojshme në lidhje me këtë komunikim të paraqitur nga “General Electrics Transportation System, Athena" (Iliria Consortium) S.a, kanë qenë të rëndësishme për vendimin. Mosmarrëveshja objekt shqyrtimi në Gjykatën e Arbitrazhit ka qenë kontrata e datës 15 shtator 2003, për modernizimin e seksioneve të Hekurudhës Tiranë-Durrës dhe aeroportit “Rinas”. “Njoftimi për të proceduar”, komunikimi i ish-ministrit Poçi, i datës 3 dhjetor 2003, ku kërkohej procedimi i menjëhershëm i një pjese të kontratës, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, respektivisht në mungesë të dhënies së pëlqimit (ratifikimit) në Kuvend të marrëveshjes së huasë, pjesë përbërëse e kësaj kontrate, “ka shërbyer në mënyrë të veçantë si provë në favor të “General Electrics Transportation System, Athena” (Iliria Consortium) S.a, kundër shtetit shqiptar në këtë proces”, thekson ministria. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit i kërkon prokurorisë të hetojë këtë krim, që penalizon pa të drejtë buxhetin e shqiptarëve dhe dëmton interesat ekonomike të shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›