E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë duan ta ndryshojnë politikën

Ndryshimi i gjendjes ekonomike, ndërrimi i qeverisë, luftë e ashpër kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në vend, janë vetëm disa nga çështjet që të rinjtë kosovarë do t’i kishin ndryshuar menjëherë po të kishin mundësi.
Hapja e shumë fabrikave dhe punësimi i të rinjve do të bënte që gjendja në Kosovë dhe për vetë qytetaret të ndryshojë për të mirë, thotë Vegim Gubetini student në Fakultetin e Ekonomik.

“Në radhë të parë kisha pas shumë dëshirë që në Kosovë te hapen shumë fabrika dhe të punësohen sa më shumë të rinj. Rinia siç po shihet ka mbetur pa punë dhe po sillen veç në rrugë”, tha Gubetini për rubrikën e përjavshme VOX të “Radios Evropa e Lirë”.

Eliesa Bejtullahu shpreh dëshirën që në sistemin e arsimimit të kishte ndryshime më të mëdha në përmirësimin e kualitetit. Ajo po ashtu thotë se edhe politikanët duhet të mendojnë më shumë për qytetarët.
“Politikanët nuk janë duke punuar për të mirën e qytetarëve, por për interesat e veta. Edhe në këtë rrafsh kisha pasur dëshirë që të ketë ndryshime”, tha Bejtullahu.

Leonard Kryeziu thotë se Kosova ka nevojë urgjente në ndryshim në gjendjen ekonomike. Ndërsa, Yllka Shala tha se nepotizmi është një dukuri që e pengon shumë dhe që dëshiron të mos dëgjojë për të.
“Konkurse kur shpallen nuk lajmërojnë ose konkursi nuk është real. Për një vend pune në një institucion drejtuesit lajmërojnë të afërmit e vet dhe i marrin ata”, tha Shala.
Ngjashëm mendon edhe Lavdim Rexhepi: “Mendoj se nuk është problemi vetëm me atë që nuk ka vende të mjaftueshme pune, po problemi është që nuk po i marrin njerëzit në punë ashtu siç duhet”.

Ndryshe mendon Egzon Baftiu. Ai në radhe të parë thotë se po të kishte mundësi do t’i ndryshonte deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Më pengon mos serioziteti i politikanëve... Ata shkojnë aty (Kuvend) për ta kaluar kohen e lirë - me humbë kohë. Nuk flasin diçka shumë të rëndësishme për një të ardhme të mirë, po e kanë marrë si obligim që të shkojnë aty”, deklaroi Baftiu.

Kurse, Genc Gashi deklaron se po të ishte e mundur do ta zvogëlonte nivelin shumë të lartë të varfërisë në vend.
Thuhet se çdo vit në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë 18 vjeç e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë vetëm 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit. Varfëria në Kosovës konsiderohet të jetë 44.9 për qind në bazë të të dhënave të fundit nga Enti i Statistikave të Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›