Asnjë kompromis që del mbi gjykatat
Ngërçi politik, reagon Zëvendëskryeministri Ilir Meta “Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i apelon kryesocialistit, Edi Rama, të rikthejë opozitën në parlament dhe t’i kërkojë aty të drejtat e pretenduara si të mohuara nga shumica”“Dialogu ndërmjet palëve politike nuk do të kushtëzohet nga qëndrimet antikushtetuese të opozitës së Edi Ramës. Mazhoranca është e gatshme për kompromis, por politika nuk mund të sundojë gjykatat”. Kështu u shpreh dje Zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, lidhur me situatën politike në Shqipëri. Ai vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme për çfarë do lloj dialogu, por, nënvizoi Meta, politika nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Gjatë vizitës në Slloveni, për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve kryesisht në fushën ekonomike, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka komentuar situatën politike në vend. I pyetur nga gazetarët për zgjidhjen që do t’i jepte fund krizës, Meta tha se qeveria ka qenë gjithnjë e hapur për mundësitë ndaj opozitës që ajo të kthehet në Parlament, por gjithnjë duke respektuar vendimin e gjykatave.“Natyrisht ne na vjen keq që ka një bojkot të pajustifikuar të opozitës, ashtu sikurse kemi besim se kjo çështje do të zgjidhet për arsye se qeveria dhe mazhoranca kanë qenë dhe janë të hapura që të ofrojnë të gjitha mundësitë opozitës që të luajë rolin e saj në parlament, që të çojë përpara të gjithë pretendimet e saj. E vetmja gjë që ne nuk mund të bëjmë është të dalim mbi vendimin e gjykatave”, theksoi Meta.Numri dy i qeverisë i ka bërë apel liderit të opozitës të heqë dorë nga kërkesat, që siç tha ai rrezikojnë shkeljen e pavarësisë së gjykatave.“Ne besojmë në një ndërgjegjësim më të madh të lidershpit të opozitës, sepse një shtet ku nuk respektohet pavarësia e gjykatave, nuk mund të quhet një shtet demokratik dhe aq më tepër një shtet i cili ecën seriozisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Meta....