Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave
Ministri i Jashtëm slloven, Zbogar, konfirmon mbështetjen e vendit të tij, për sfidat e integrimit të Shqipërisë në strukturat evropianeZëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, merr garanci të plotë nga homologu i tij slloven, për finalizimin me sukses të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Në kuadër të një vizite zyrtare në Slloveni, ministri i Jashtëm Meta, u prit në Ljubljanë nga ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar.Në qendër të bisedimeve ishin thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, liberalizimi i vizave, si dhe roli që të dy vendet luajnë në rajon. Në fund të vizitës në Ministrinë e Punëve të Jashtme sllovene, u zhvillua edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar, pasi shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Meta në Ljubljanë, i vlerësoi marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë si të shkëlqyera, duke veçuar se nuk ka asnjë çështje të hapur mes dy vendeve. Në këtë kuadër, Žbogar tha se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë, jo vetëm që tregon interesin e qartë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por do të japë një kontribut konkret në ngritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në një nivel shumë më të lartë.Zbogar gjithashtu shprehu vullnetin e Sllovenisë për të rritur në mënyrë konkrete nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe për të inkurajuar interesin e investitorëve sllovenë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjetikës, infrastrukturës, transportit dhe telekomunikacioneve.Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pasi e falenderoi homologun e tij për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë e tij për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ndjenjat e miqësisë tradicionale që ekzistojnë mes dy popujve.Në këtë kuadër, Meta shprehu mirënjohjen e Qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe në procesin e integrimit Euro-Atlantik. Meta theksoi se tashmë ka ardhur koha që të dy vendet të angazhohen konkretisht për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, dhe se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.Me këtë rast, Meta dhe Žbogar konfirmuan vullnetin e përbashkët për mbledhjen së shpejti të Komisionit të Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike si dhe për intensifikimin konkret të bashkëpunimit në nivelin dypalësh dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.Gjatë konferencës për shtyp, Žbogar theksoi se Sllovenia mbështet fuqishëm procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën dhe shprehu bindjen se shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt zonës “Shengen” brenda vitit 2010.Gjithashtu Žbogar vlerësoi rolin tepër konstruktiv që Shqipëria luan në rajon duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë mes Sllovenisë dhe Shqipërisë do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon.Zëvendëskryeministri shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e liberalizimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke veçuar këtu edhe mbështetjen që Qeveria sllovene i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Meta tha se liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një çështje dinjiteti dhe do t’i shërbente përshpejtimit të integrimit evropian.Gjatë qëndrimit në Ljubljanë, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta pritet të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që punojnë e jetojnë në Slloveni....