“Marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-Slloveni do reflektohen në rritjen e bashkëpunimit ekonomik”

Zv/kryeministri Ilir Meta takon Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Danilo TürkNë vijim të vizitës zyrtare në Slloveni, Zëvendëskryeministri dhe i Jashtëm Ilir Meta, u prit në një takim nga Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Türk.Meta e falënderoi Presidentin Türk për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e inkurajimit konkret të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së, në rrugëtimin e tyre euro-atlantik.Në këtë kuadër, Meta shprehu mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën që Sllovenia vazhdon të ofrojë për Kosovën, duke veçuar këtu kontributin e rëndësishëm të Presidencës sllovene të BE gjatë shpalljes së pavarësisë dhe peshën që investitorët sllovenë kanë sot në ekonominë e Kosovës.Gjithashtu Meta tha se gjatë vizitës së tij në Ljubljanë, ka marrë sinjale të rëndësishme që marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë do të reflektohen së shpejti edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik. Meta tha se Shqipëria ofron shanse të mëdha për investitorët sllovenë, duke qenë se ajo i ka shpëtuar efekteve drastike të krizës globale ekonomike.Meta vlerësoi se Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë një njohje të mirë të rajonit dhe se të dy vendet janë faktorë të rëndësishëm stabiliteti. “Shqipëria, shtoi Meta, do të vazhdojë politikën e saj konstruktive në rajon sepse stabiliteti i fqinjëve tanë, është një avantazh për ne, duke na e lehtësuar dhe përshpejtuar hyrjen tonë në BE”. Nga ana e tij, Presidenti Türk, u shpreh se përkushtimi politik i Sllovenisë ndaj Shqipërisë do të mbetet i fortë dhe se ky përkushtim duhet të konkretizohet tashmë edhe në terma ekonomikë. Në këtë kuadër, Dr. Türk kujtoi se hapja e kompanisë Merkator në Shqipëri, pak kohë pas vizitës së tij në Tiranë , i ka dhënë një sinjal të fuqishëm edhe investitorëve të tjerë sllovenë për Shqipërinë.Türk, theksoi nevojën e intensifikimit të kontakteve mes Ministrive relevante, me qëllim që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të jetë më konkret dhe më real. “Në këtë drejtim, tha Dr. Türk, ne duhet të punojmë pa u lodhur, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona të hyjë në një fazë të re intensifikimi”.Presidenti Türk, në mbyllje të takimit, shprehu vlerësimin e tij për rolin tepër konstruktiv që Shqipëria luan në rajon, duke e vlerësuar atë si faktor stabiliteti dhe paqeje.Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta u prit nga Kryetari i Parlamentit të Republikës së Sllovenisë, Dr. Pavel Gantar.Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Slloveni, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u takua me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, Dr. Pavel Gantar.Meta dhe Dr. Gantar diskutuan mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, në mënyrë që ato të arrijnë të njëjtin nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Gantar u shpreh se vizita e Metës në Slloveni do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve në këtë drejtim.Gjithashtu, Dr. Gantar shprehu mbështetjen e Sllovenisë për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar bindjen e tij se zgjerimi i BE duhet të vazhdojë drejt Ballkanit Perëndimor dhe pa vonesa. Në këtë kuadër, Dr. Gantar tha se Sllovenia do të punojë fort që liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të ndodhë këtë vit dhe se ajo do të jetë e gatshme të ndihmojë me ekspertizën e saj gjatë procesit të integrimit evropian.Ministri Meta, pasi shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë në Parlament, i shprehu Dr. Gantar besimin se ky do të jetë një vit i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve Shqiptaro-Sllovene, dhe se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë do të shërbejë shumë në forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes, veçanërisht atij ekonomik.Meta shtoi se së shpejti të dy vendet do të mbledhin Komisionin e Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike, i cili do t’i shërbejë bashkërendimit të punës për përmirësimin konkret të bilancit tregtar mes dy vendeve. Në këtë kuadër ai tha se së shpejti presim një rritje të ndjeshme të investimeve sllovene, duke theksuar këtu edhe potencialin e madh që Shqipëria paraqet për biznesin slloven.Në vijim të vizitës së tij në Asamblenë Kombëtare, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta edhe me anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë dhe të Komisionit për Politikën e Jashtme, të kryesuar nga Gvido Kres, si dhe me Zëvendëspresidentin e Partisë Social Demokrate të Sllovenisë, Miran Potrč....