“Asnjë pallat mbi rrugët e qytetit nuk do të rrijë në këmbë, ligji do veprojë mbi këdo”
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi shpjegon abuzimet me lejen e ndërtimit të pallatit të Dash Pezës
“Asnjë pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rri në këmbë, dhe nuk do të rrijë në këmbë për sa kohë në këtë vend do të funksionojë ligji”.
Kështu ka deklaruar dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi gjatë një deklaratë për shtyp në lidhje me shembjen e pallatit 12 katësh në pronësi të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dash Peza.
“Kemi të bëjmë me një pallat të ndërtuar mbi truall publik të dhënë me qira, është një çështje që ka qenë në vëmendjen e shtypit prej disa vitesh rresht, pasi është rasti, besoj unik në planet kur një rrugë është e dhënë me qira, në mënyrë që mbi të ndërtohet një pallat.
Nëse i referohemi dokumenteve, ky është vendimi i KRT-së së bashkisë së Tiranës i cili miraton sheshin e ndërtimit për këtë palat 12-katësh, në pronë të Z. Ilir Mata” deklaroi Olldashi.
“Zbardhja e lejes së sheshit do të bëhet pasi të ketë bërë një kontratë paraprake me Këshillin Bashkiak për blerjen e truallit publik që shfrytëzohet për realizimin e këtij objekti, në bazë të çmimit të liberalizuar tregut për vetë pozicionin ku ndodhet’. Pra presupozohet që leja do të zbardhet pasi trualli publik të shitet, ne fakt trualli nuk është shitur sepse bashkia nuk ka pasur ta shes, pavarësisht se në një rast të ngjashëm ka bërë shitje trualli, këtu nuk ka bërë shitje trualli këtu i ka rënë shkurt, ka bërë një dhënie me qera, pra trualli publik, rrugën që lidhte godinat e tjera të atij pellgu e ka dhënë me qira te Z. Ilir Mata, dhe këtu kemi kontratën për dhënie trualli me qira, pika e parë, ‘të miratohet dhënia me qira e truallit’, vendim i Këshillit Bashkiak ky”.
Kjo është kontrata e qerasë midis bashkisë së Tiranës përfaqësuar nga kryetari saj Z. Edi Rama dhe qiramarrësit Ilir Mata.
“Në qoftë se i referohemi nenit 3 të kontratës, qiraja vjetore është 51 m2, e 1600 lekë në vit, gjithsej 8.160 lekë të vjetra në vit, apo 81 mijë lekë të vjetra në vit.
Në qoftë se secili prej jush parkon automjetin e tij në një nga rrugët e Tiranës dhe e lë atje të parkuar për një vit, do të paguani jo më pak se 365 mijë lekë të vjetra në vit.
Zotëria ka marrë një pallat me 12-kate dhe paguan 81 mijë lekë, e kuptoni seç është kjo , ka marrë një pallat e ka vendosur mbi një rrugë dhe paguan 81 mijë lekë, në qoftë se ju duhet të parkoni makinën do të paguani 365 mijë lekë, kjo është politika e bashkisë së Tiranës që ndiqet me ndërtimet”, shpjegoi Ministri Olldashi.
“Afati i dhënie me qira të jetë deri në rifillimin e procesit të shitjes së trojeve. Pra edhe vendimi i Këshillit Bashkiak për dhënien e truallit, e rrugës me qira presupozon që në një të ardhme të afërt kjo rrugë apo ky truall do t’i shitet subjektit privat në mënyrë që aty të ndërtohet pallat”, vijoi më tej Olldashi.
Kjo është kontrata e qerasë midis bashkisë së Tiranës përfaqësuar nga kryetari i saj Edi Rama dhe qirramarrësit Ilir Mata” deklaroi më tej Olldashi.
Sipas Olldashit, në të gjitha pikat konstatohet shkelje, ka shkelje në përmasat e projektit, ka shkelje në konsolat që dalin përtej projektit të miratuar, ka shkelje në dhënien e kateve ka shkelje sepse në vendimet dhe leje nuk jepet funksioni i objektit, dhe nuk ka përputhje të pjesës nëntokësore të ndërtimit.
“Për këtë pallat që ka zënë rrugën, kemi në kontratë edhe firmat e Z. Rama dhe Z. Ilir Mata e pa ra që ka konstatuar shkelje flagrante ka qenë policia e Ndërtimit dhe kjo në kohën e qeverisë së Partisë Socialiste. Kjo është një shkresë e policisë së ndërtimit me firmën e Z. Mark Nikolli. Në të gjitha pikat konstatohet shkelje, ka shkelje në përmasat e projektit, ka shkelje në konsolat që dalin përtej projektit të miratuar, ka shkelje në dhënien e kateve, ka shkelje sepse në vendimet dhe leje nuk jepet funksioni i objektit, dhe nuk ka përputhje të pjesës nëntokësore të ndërtimit. Me vendim të KRRTRSH-së po të kohës kur qeveriste Z. Nano, është vendosur që bashkia e Tiranës , te parashikojë lënien e kalimit këmbësor publik Veri –Jug, pra të lërë të lirë rrugën. Vendim ky që ndërtuesi ka refuzuar ta zbatoj që nga dita e parë që ka marrë lejen dhe deri më sot, dhe është pikërisht ky vendim që ne po e vëmë në zbatim. Po lirojmë rrugën, rrugën që është pronë publike dhe që për 81 mijë lekë të vjetra në vit zotëria e ka marrë me qira pafundësisht. Ky është vendimi që ne po zbatojmë dhe ky është vendimi që ne kemi ndërmend ti shkojmë deri në fund. Unë dua t’ju siguroj që asnjë faktor asnjë aktor nuk do të na detyroj të ndalemi nga vendosmëria për të zbatuar ligjin dhe për ta çuar deri në fund këtë praktikë. Një pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rri në këmbë, dhe nuk do të rrijë në këmbë për sa kohë në këtë vend do të funksionojë ligji”, garantoi në përfundim të deklarimit të tij, Sokol Olldashi, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.