E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë rezultat në tryezën e të vegjëlve, veç sa konfirmohet çarja e opozitës

23-04-2012 / Gazeta 55

Debate të ashpra mes kryesocialistit Edi Rama dhe ish aleatëve Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Spartak Ngjela, i vetmi aleat i Edi Ramës


Mbyllet pa marrëveshje tryeza e partive të vogla për ndryshimin e kodit zgjedhor. Pas 2 orësh diskutimesh dhe debatesh nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje lidhur me ndryshimet në kodin zgjedhor ndërsa u ra dakord se paketa e përbashkët do të firmoset pas marrjes në shqyrtim të propozimeve të të gjitha forcave politike. Në tryezën e thirrur sot nga partitë e vogla ishin të pranishëm edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëkryetari për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ndërsa PD-ja përfaqësohej nga Ilir Rusmali dhe Oerd Bylykbashi dhe Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohej në tryezë nga Edmond Haxhinasto. Në nisje të takimit, kreu i PDS, Paskal Milo ka theksuar se shqetësimi për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për gjithëpërfshirje i ka mbledhur bashkë në këtë takim përfaqësues të 23 partive të vogla. “Të gjithë së bashku të realizojmë atë që kemi deklaruar që në nisje të kësaj pune për reformën e që është bazuar në dy principe, transparenca dhe gjithëpërfshirja, kemi shpresë se faktorët politikë, do i dëgjojnë me vëmendje shqetësimet tona”- theksoi Milo. Ndërsa kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se problem në kodin aktual zgjedhor mbetet deformimi i votës. Sipas tij sistemi spanjoll është zbatuar me deformime në vendin tonë ndërsa shtoi se këto deformime duhet të rregullohen me metodën e korrektimit kombëtar “Kjo jep një parlament të polarizuar, jep me vështirësi një qeverisje, se deformimet pranohen në favor të stabilitetit të qeverisë, ndërkohë që propozimi ul deformimin dhe rrit stabilitetin e bën më të qeverisshme Shqipërinë se çfarë është aktualisht për shkak të deformimit”- theksoi Gjinushi. Sipas tij shqetësim shumë i madh mbetet administrimi zgjedhor, ndaj ai ka kërkuar krijimin e komisioneve të papolitizuara. “Pragu është shtuar kot, synonte një koalicion të caktuar, i ka kaluar koha, sistemi spanjoll e ka pragun brenda. I vetmi qark që ka efekt, është Tirana. Nëse e keni me Tiranën më duket e panevojshme” shtoi ai. Nga ana e tij, Haxhinasto theksoi se LSI-ja ka kërkuar që kodi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.  “Kemi kërkuar barazi në konkurrim dhe barazi të votës. Duhet të shkohet sa më pranë barazisë së votës”- theksoi më tej Haxhinasto ndërsa ka shtuar se zonat zgjedhore të reduktohen në gjashtë. Tryeza vjen një javë përpara se Komisionit të Reformës Zgjedhore t’i përfundojë mandati. Ekspertët e PD dhe PS po punojnë së bashku, ndërsa nuk janë shqyrtuar ende kapitujt e Kodit që kanë të bëjnë me procesin e votimit, numërimin elektronik, Kolegjin Zgjedhore si dhe formulën si do të zgjidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›