Qeveria premton sërish rritje pagash dhe pensionesh

UPDATE- Rritja ekonomike dhe reduktim i borxhit publik, ishin dy ndër çështjet kryesore në të cilat u ndal kreu i mazhorancës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij përpara ligjvënësve demokratë. Kështu, në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor demokrat, Berisha rikujtoi dhe njëherë premtimin e qeverisë së tij për realizimin e një Shqipërie me infrastrukturë moderne.
“Janë 600 projekte, realizimi i të cilave do të bëhet i mundur brenda këtij viti. Këto projekte do të jenë në shërbim të qytetarëve. Por jo vetëm kaq me vënien në jetë të këtyre projekteve do të kemi 20 mijë vende pune për qytetarët”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij.
Gjithashtu, sipas tij, në funksion të një Shqipëria të zhvilluar do të rindërtohen 230 shkolla,do të punohet në 290 rrugë, kjo pasi gjatë gjithë këtij viti infrastruktura do të jetë prioritet.
Por nga ana tjetër, përveç listimit të projekteve të realizuara dhe atyre në vazhdim, kreu i qeverisë sqaroi dhe lidhur me kostot e këtyre projekteve, si dhe qëndrimin e ekzekutivit përballë një prioriteti të tillë siç është investimi në infrastrukturë.
“Shqipëria ka ulur me 1 përqind borxhin e saj publik. Garantoj se këto projekte do tërealizohen me përpikmëri. Ndërkaq, në rast se 51 miliardët nuk do të ishin investuar borxhi do ishte tek 30%, por qytetareve do tu duhej të ecnin në rrugë të parregulluara, fëmija do mësonte në gabina dhe jo shkolla, nuk do të kishim qendra shëndetësore, nuk do kishim rritje ekonomike, por recension”, vuri në dukje Berisha.
Madje, në vijim të këtij qëndrimi, Kryeministri Berisha premtoi sërish rritje të pagave dhe pensioneve.