Tensione në veri të Kosovës, plagosen 4 ushtarë të KFOR-it, 1 rrëmbehet

Situata në veri të Kosovës
Vazhdojnë tensionet në veri të Kosovës, ku KFOR-i po punon për heqjen e barrikadave.
Raportohet nga mediat kosovare se katër ushtarë të KFOR- it nga kontingjenti amerikan janë plagosur me armë zjarri, ndërsa një tjetër ushtarë është rrëmbyer nga grupet kriminale serbe sot në mëngjes.
Gjithashtu njoftohet se edhe 11 pjesëtarë të grupeve kriminale serbe janë plagosur dhe janë dërguar në spital.
Në afërsi të barrikadave është vendosur një grup serbësh, të cilët nuk lejojnë forcat e KFOR-it të vijojnë punën e tyre.
Më herët KFOR-i ka konfirmuar se një paqeruajtës është plagosur gjatë operacionit për heqjen e njërës nga barrikadat në veri.
Gjithashtu dhe mediat serbe, kanë raportuar se gjatë përleshjeve në barrikadën e Rudares, janë lënduar së paku tre persona.
Po ashtu është raportuar se janë bllokuar të gjitha rrugët që çojnë nga Zveçani në fshatin Rudar. Ushtarët e KFOR-it në urën e Ibrit, e cila nga Zveçani të çon në Rudar, kanë vendosur tela me gjemba dhe nuk mund të kalojnë as këmbësorët dhe as makinat.
Makina e blinduar e KFOR-it që në mëngjes po largon barrikadat e betonuar në urën e Rudarit, me qëllim lëvizjen e lirë të qarkullimit.
Largimit i ka paraprirë edhe përdorimi i gazit lotsjellës. Ndërsa, TV Most raporton se janë përdorur edhe plumbat e gomës dhe armët luftarake.
I ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka thënë se, KFOR-i ka bërë një lëvizje shumë të rrezikshme, në përpjekjen për të hequr barrikadën në Rudar.
“Unë nuk e di se cilat janë motivet për këtë. Mua më duket se Prishtina dhe KFOR-i po e përdorin vakuumin institucional në Serbi që ta ndryshojnë gjendjen në terren. KFOR-i ka nisur menjëherë të përdorë plumba gome dhe gaz lotsjellës, prandaj kam frikë se kjo do të jetë një ditë e gjatë, ka thënë ai.
Ivanoviç deklaroi se, kam frikë se konfliktet mund të jenë më të mëdha.
Eljona Lata