E Diel, 1 Nëntor 2026

MPJ kundër dhunës në veri të Kosovës: Të dënohen autorët

Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe kundër trupave paqëruajtës të KFOR-it në fshatin Rudarë. Përmes një deklarate për shtyp ajo bën të ditur se mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin.
 

“Ministria e Punëve të Jashtme ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe dënon ashpër dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe kundër trupave paqëruajtës të KFOR-it në fshatin Rudarë.
 

MPJ mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.
 

Duke i uruar shërim të shpejtë paqëruajtësve të plagosur në aksionin për të siguruar lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës, theksojmë se nxjerrja para drejtësisë e autorëve të dhunës, si dhe çmontimi i strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë janë imperative për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit”thuhet në deklaratë.
 

Dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë, afër Zveçanit.
 

Aksioni për heqjen e barrikadave në rrugë, të vendosura nga serbët e veriut, është përcjellë me tensione.
Gjatë këtij aksioni KFOR-i ka arrestuar disa serbë lokalë që po pengonin atë në detyrë, dhe të njëjtit njoftohet se ua ka dorëzuar misionit të EULEX-it për trajtim të mëtutjeshëm.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›