E Diel, 1 Nëntor 2026

Asociacioni u projektua në bisedimet e Vjenës

Kryetarët e komunave të Kosovës dhe ekspertët e pushtetit lokal shprehën shqetësimin e tyre rreth kompetencave që do t’i ketë asociacioni i komunave serbe të veriut. Sipas tyre, ky asociacion do të ketë rol ekzekutiv, duke krijuar kështu një pushtet të tretë në Kosovë. Madje, sipas tyre, dilemat rreth kompetencave i ka hequr vetë Qeveria e Kosovës. Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit Thaçi, ka deklaruar se ky asociacion do të miratojë rregullore, por jo ligje.

Kurse vetë kryeministri Thaçi dy ditë më parë, gjatë raportimit të tij në Kuvend, për bisedimet me Serbinë, ka thënë se ky asociacion gjithashtu mund të aplikojë për fonde të BE-së dhe mund të grumbullojë fonde për nevoja të projekteve infrastrukturore të këtyre komunave.

Nëse këto deklarata janë të vërteta, atëherë tregon se ky asociacion do të ketë rol tjetër e jo ashtu siç e ka Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dhe që ky rol, është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, thotë Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së.
“Asociacioni nuk ka kurrfarë përgjegjësie sa i përket buxhetit të komunave. Ne mund të lobojmë-avokojmë në nivelin qendror rreth ndarjes së buxhetit, mirëpo assesi të kemi fjalën përfundimtare, se ku do të alokohen mjetet financiare. AKK-ja nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndonjë mekanizmi për ndarjen e fondeve nga BE-ja. Janë Ministritë e linjës të cilat janë përgjegjëse për këtë e jo një Asociacion”, tha Ibrahimi.

Ai po ashtu tha se rregulloret komunale miratohen nga komuna bazuar në ligjet e Kosovës e jo nga Asociacioni. “Asociacioni i komunave të Kosovës nuk ka kurrfarë përgjegjësie rreth kësaj, prandaj pse të ketë Asociacioni me shumicë serbe. Pra, diçka nuk është në rregull me këtë çështje”, u shpreh Ibrahimi.

Asociacioni, pasojë e bisedimeve të Vjenës

Njohës e udhëheqës të pushteteve lokale, thonë se ky proces është përgatitur qysh në bisedimet e Vjenës në vitet, 2006-2007.

Pal Lekaj, anëtar i Bordit të AKK-së dhe kryetar i Komunës së Gjakovës, thotë për “Zëri” se përfaqësuesit që kanë marrë pjesë në ato bisedime janë pajtuar që komunat serbe të kenë kompetenca shtesë, e tani ato kompetenca po duan t’i bashkojnë në një asociacion.
“Si pasojë e këtyre bisedimeve në Vjenë, përgjegjësia e të cilave bie te pjesëmarrësit e të gjitha partive politike pa përjashtime, të cilët tani gjenden para aktit të kryer, për t’iu dhënë të drejta ekzekutive komunave serbe, duke filluar nga zgjedhja e komandantit të policisë e deri te themelimi i Universitetit”, tha Lekaj.

Qemajl Mustafa, anëtar tjetër i Bordit të AKK-së dhe kryetar i Komunës së Gjilanit, kritikon Qeverinë ndonëse vetë vjen nga PDK, dhe thotë se nga vetë fakti që po bisedohet në Bruksel për këtë asociacion, tregon se ai do të ketë rol ekzekutiv. “Sikur ky asociacion të krijohej në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës, nuk do ishte biseduar për të në Bruksel. Përndryshe, dëmin që do ta sjellë ky asociacion për Kosovën është i madh, sepse do të instalojë pushtetin e tretë në vend”, tha Mustafa.

Frika e pushtetit të tretë

Besnik Tahiri, ekspert i çështjeve të pushtetit lokal, thotë se frika kryesore këtu është nëse lejohet që ky asociacion të ketë përgjegjësi për të ofruar shërbime.
“Kjo automatikisht krijon mekanizmin e tretë në Kosovë, e këtë në asnjë mënyrë nuk guxon që ta lejojë kjo Qeveri”, tha Tahiri, sipas të cilit, roli i një asociacioni është me qenë avokat i komunave, e assesi të ketë fjalën përfundimtare për çështjen e shërbimeve.

Ai nuk deshi të thotë nëse Qeveria e Kosovës po e lejon këtë, por tendenca e Beogradit që të marre këtë rol është evidente, shtoi ai.

Se Serbia po e merr atë që e ka synuar, ka deklaruar edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliq, sipas të cilit, Prishtina ka lëshuar pe dhe ka pranuar që ky asociacion të ketë rol ekzekutiv, deklaratë kjo që është hedhur poshtë nga kreu i Qeverisë, Thaçi.

Nikoliq e ka dhënë këtë deklaratë pas takimit që ka zhvilluar të hënën në Bruksel me ndërmjetësuesen e dialogut, Vcatherine Asthon. Sidoqoftë, sqarime më të hollësishme rreth kësaj pritet të japë vetë baronesha Ashton, e cila mbrëmë ka arritur në Prishtinë, për t’u takuar me zyrtarët e Prishtinës, takimet e së cilës do të vazhdojnë edhe sot./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›