E Diel, 1 Nëntor 2026

Aspirata e integrimit, e lidhur drejtpërdrejt me mandatin e tretë qeverisës të Berishës

14-02-2013 / Xhelal Marku

Kanë kaluar pak më shumë se 22 vjet, që nga koha kur lindi Partia e Parë Opozitare e Shqipërisë, të cilën themeluesit e pagëzuan me emrin e bukur, që ajo mban – Partia Demokratike, shkurt PDSH. Ajo doli në skenën politike, si një Parti e shpresave të mëdha për këtë vend të shumëvuajtur e të varfër, ku e zhyti regjimi më i egër diktatorial i Kontinentit, diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Një parti e re, me emra të rinj në drejtimin e saj, me një anëtarësi të re, por mbi të gjitha me një program të ri, që kishte në prioritetin e vet integrimin e vendit, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe garantimin e lirive e të drejtave të njeriut, sipas standardeve ndërkombëtare. Ishte pikërisht kjo forcë politike e sapolindur, që do ta nxirrte vendin nga vetizolimi gjysëmshekullor i së kaluarës. Ndaj, ajo, për të përmbushur misionin e saj historik - përmbysjen e atij sistemi diktatorial, u vu menjëherë në krye të Lëvizjes Antikomuniste Mbarëpopullore, për të organizuar, drejtuar e realizuar rrëzimin e sistemit më të egër diktatorial të Kontinentit, regjimin komunist të Hoxhës. Ishte lideri i dhjetorit, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, që u shfaq si figura përfaqësuese e kësaj Lëvizje të fuqishme, që nisi me protestat studentore dhe që do t`i thoshte: “JO!” komunizmit në Shqipëri. Dhe pikërisht, në atë fund shekulli, kësaj Lëvizjeje Mbarëpopullore, do t`i bashkohej me shpejtësi edhe një armatë e madhe intelektualësh, ndër më të zgjedhurit në të gjithë vendin, të guximshëm e trima, të vendosur e të matur, iniciatorë e të përkushtuar, për t`i dhënë fund njëherë e përgjithmonë sundimit 50 vjeçar komunist në Shqipëri. Në vijën e parë të kësaj Përmbysjeje të Madhe, tashmë prinin emra të rinj politikanësh, të papërvojë e të panjohur më parë, por që shumë shpejt u bënë lider të saj, shpresa dhe besimi i këtij vendi, për integrimin e Shqipërisë. Ata ishin personalitetet e reja të politikës shqiptare, që po afirmonin veten dita ditës në opinionin vendas. Ata ishin përfaqësuesit e Klasës së Re Politike, që po lindte në atë fillim të shekullit të ri për shqiptarët, të cilët do t`u dilnin zot fateve të këtij vendi të shumëvuajtur. Midis tyre u lartësua me veprën dhe përkushtimin e tij, emri i themeluesit të Partisë Demokratike, i liderit historik të saj, Z. Sali Berisha, që bashkë me politikanë të tjerë, si: Eduart Selami, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Arben Imami, Genc Ruli, Teodor Keko, Genc Pollo, Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi, Dash Shehi, etj, do të shembnin Murin e Madh të Izolimit, që kishte ngritur diktatura komuniste, gjatë sundimit të saj dhe do të vendosnin sistemin Demokratik në Shqipëri, një ëndërr shekullore kjo për të gjithë shqiptarët. Kështu lindi dhe u rrit Partia Demokratike, si Partia e parë opozitare në Shqipëri, e cila më 22 Mars të vitit 1992, shënoi fitoren e saj historike në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe drejtoi vendin për pesë vite radhazi. Ajo njihet tashmë edhe si themeluese e shtypit të lirë në Shqipëri, me gazetën e saj të parë opozitare “RD”. Kontributet e Partisë Demokratike në politikën shqiptare përgjatë këtyre 22 viteve të veprimtarisë së saj, janë të mëdha, të jashtëzakonshme, të dukshme, por dhe të njohura brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo sot, është Parti në pushtet, e cila po qeveris vendin në dy mandate radhazi, që nga viti 2005 e në vazhdim. Me emrin e Partisë Demokratike, si forca politike më e madhe dhe progresive e vendit, janë të lidhura të gjitha zhvillimet ekonomike dhe integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Gjatë qeverisjes së saj, ajo i dha vendit një infrastrukturë të re e moderne, siç është Rruga e Kombit dhe shumë rrugë të tjera të ndërtuara në të gjithë territorin e vendit, hapi perspektiva të mëdha zhvillimi për bujqësinë, industrinë, turizmin, arsimin, shëndetësinë e sektorë të tjerë, realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë dhe pa viza në të gjithë hapësirën Shengen të BE, e bëri Shqipërinë anëtare të NATOS dhe plotësoi të gjitha kushtet për të marrë edhe Statusin e Kandidatit për në BE, qysh në prag të Festës së 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Këto dhe arritje të tjera të mëdha të Shqipërisë, janë vlerësuar dhe janë bërë të ditura herë pas here edhe nga ndërkombëtarët dhe institucionet që ata përfaqësojnë, ku vendi ynë ka shënuar progres e stabilitet ekonomik edhe në kushtet e krizës botërore. Sot marrja e statusit të Kandidatit të Shqipërisë për në BE, po mbahet peng nga opozita (PS), e cila pa asnjë arsye dhe argument logjik, por vetëm për karrigen e kryetarit të saj, z. Edi Rama nuk pranon të votojë tre ligjet e përcaktuara si kushti i vetëm nga BE, që kërkojnë votim të cilësuar. Lind pyetja: Pse e bën këtë? Kuptohet qartë, se, në kushtet e mungesës së alternativave konkurruese për të ardhur në pushtet, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës nuk u ka mbetur gjë tjetër, veç politika e bllokimit. Një qëndrim krejtësisht antikombëtar e anti-integrues për vendin, të cilin me siguri shqiptarët do ta ndëshkojnë me votën e tyre të 23 qershorit 2013. Por, duhet theksuar, se edhe në këto kushte, Partia Demokratike si dhe Lideri i saj historik, kryeministri aktual i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, po bëjnë përpjekje maksimale për të rrëzuar murin e bllokimit të Partisë Socialiste e të Edi Ramës, duke kërkuar deri referendum për miratimin e këtyre tre ligjeve, që siç e thamë më lart, janë dhe kushti i vetëm për marrjen e statusit të Kandidatit për në BE. Si Parti e mbajtjes së premtimeve e të fjalës së dhënë, Partia Demokratike shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2013-ës me besim të plotë në fitore, për të siguruar një mandat të tretë qeverisës për vendin, për të garantuar integrimin e Shqipërisë në BE, për të modernizuar më tej infrastrukturën, për të zhvilluar ekonominë dhe për të rritur në një nivel më të lartë standardin e jetës së shqiptarëve. Ndaj, në politikë, kot mundohen ta konkurrojnë Berishën, tashmë një politikan vlerash, i afirmuar dhe me përvojë, i cili gëzon besimin dhe respektin e të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, por dhe në arenën ndërkombëtare, ku njihet si figura më e besueshme e politikës shqiptare, me një karrierë të gjatë pune, që nis qysh me rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, themelimin e Demokracisë e të shtypit të lirë, e deri në ditët e sotme, ku vendi ynë pas anëtarësimit në NATO, po integrohet me plot dinjitet edhe në BE. Kurrë ndonjëherë në historinë e vet mijëravjeçare, Faktori Shqiptar nuk ka qenë më autoritar dhe më prezent në arenën ndërkombëtare se sa sot. Dhe në këtë drejtim, kontributi i Berishës dhe i Partisë Demokratike, në këtyre viteve të Demokracisë në Shqipëri, ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në politikën shqiptare, si Lider historik i Partisë Demokratike (aktualisht në pushtet), si ish President i Vendit, si Kryeministër i Shqipërisë në dy mandate të suksesshme të qeverisjes së tij (2005 - 2013), por tashmë i afirmuar dhe i njohur edhe si Lider historik i të gjithë shqiptarëve. Ai është politikani i vetëm në Shqipëri, që flet e përgjigjet me vepra, me fjalën e mbajtur para elektoratit, ndaj është dhe më i besueshmi e padyshim edhe më i votuari prej tyre. Janë shumë vepra e premtime të mbajtura nga Berisha në mandatet qeverisës 2005 – 2013, duke filluar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhënien e statusit të Lëvizjes së Lirë pa viza të Shqiptarëve në të gjithë hapësirën Shengen të vendeve të BE-së, Përmbyshja e standardeve për të marrë Statusin e Kandidatit për në BE, ndërtimi i Rrugës së Kombit, Tuneli i Madh i Kalimashit, Tuneli i Krrabës, Unaza e Madhe e Tiranës, infrastruktura e re rrugore në mbarë vendin, ekonomia shqiptare që po shënon progres edhe në kohën e krizës botërore, zhvillimi i arsimit, shëndetësisë, veprat energjetike, përdorimi masiv i internetit, rritja e vazhdueshme e pagave dhe pensioneve për çdo vit, ritmet e larta të zhvillimit të turizmit shqiptar dhe imazhi i ri i këtij sektori jetik të ekonomisë së vendit, të cilit i përket e ardhmja, etj. Dhe, për të gjitha këto, Berisha vlerësohet e votohet nga shqiptarët, të cilët e besojnë dhe me siguri do ta rivotojnë sërish edhe në të ardhmen. Pra, Berisha është nga ata politikanë, që ende i mungon konkurrenti në Shqipëri. Kështu me Berishën shqiptarët shkojnë të sigurtë në Europë, duke konkretizuar edhe slloganin e famshëm të viteve `90-të: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Ndaj, do apo nuk do dikush për ta vlerësuar këtë realitet politik në vend, Ai (Berisha) është dhe do të mbetet një figurë gjigante e politikës shqiptare, më i votuari, më i besuari dhe më vizionari për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Pse ka nevojë Shqipëria për Berishën, shqiptarët do ta rivotojnë sërish atë në krye të Qeverisë Shqiptare, me qëllim që të tjera projekte të mëdha, të promovojë vendi ynë gjatë katër viteve të ardhshme (2013 - 2017). Është kjo arsye, që Z. Rama, duke e ndjerë humbjen e zgjedhjeve të 2013-tës, ka nisur të thërrasë me të madhe qysh tani, se po përgatitet vjedhja e zgjedhjeve të 23 qershorit, me qëllim që të parapërgatis, siç veproi me zgjedhjet e tjera, teorinë e dështuar të mosnjohjes së humbjes. Thua të jenë kaq naivë drejtuesit dhe forumet e Partisë Socialiste, që të mos i lexojnë këto manovra të kryetarit të tyre? Nuk besoj një gjë të tillë, por ndoshta heshtin, që të mos pësojnë përjashtimin nga Partia, siç ka ndodhur me disa  përfaqësues të mendimit ndryshe, ish themelues të PS-së.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›