Assange lirohet me kusht. Ja rregullat qe duhet te ndjeke
Themeluesi i faqes së internetit, ‘Wikileaks’, Julian Assange ka fituar lirimin me kusht nga një gjykatë në Londër. Një nga kushtet është pagesa e 240 mijë stërlinave para të thata si garanci. Por, Assange pritet ta kalojë natën sërish në paraburgim, derisa gjykata të marrë këstin e parë të shumës në para të thata: 200 mijë stërlina. Më vonë, ai duhet të dorëzojë dy herë nga 20 mijë stërlina. Si pjesë e kushteve të tjera, Assange duhet të dorëzojë pasaportën, të ndjekë një orar të caktuar të qëndrimit në një adresë të paspecifikuar, të mbajë një mjet elektronik që regjistron vendndodhjen e tij dhe të raportojë çdo mbrëmje në një stacion policie. Njoftohet se prokurorët kanë vendosur të mos apelojnë vendimin e gjykatës. Pritet që Assange të paraqitet sërish në gjykatë në 11 janar. Ai u vendos në gjendje arresti javën e shkuar, kur iu dorëzua policisë britanike, pasi Suedia lëshoi një fletë-arresti ndërkombëtar për të. Prokurorët suedezë kërkojnë ekstradimin e tij për ta marrë në pyetje për akuzat për sulme të natyrës seksuale, akuza që ai nuk i pranon. Assange thotë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht për të diskretituar faqen e internetit ‘Wikileaks’, pas botimit të dhjetëra mijëra dokumenteve konfidenciale amerikane.
Avokati i Assange kishte sqaruar më parë se, mandanti i tij është i gatshëm që të mbajë pranga elektronike në këmbë dhe të qëndrojë gjatë gjithë kohës në një adresë të njohur për policinë. Për lirimin me kusht të Assange duhet të paguhet një kaucion prej 240 mijë stërlinash.