“Brussel Leaks”, sajti i ri qe do te nxjerre te palarat e BE-se
Një grup i vetëfinancuar nga ish-zyrtarë të Bashkimit Europian dhe të shoqatave të ndryshme, gazetarë dhe punonjës të sektorit të marrëdhënieve me publikun me bazë në Belgjikë, kanë ngritur një version europian të ‘Wikileaks’, në një përpjekje për të bërë të njëjtën punë si ‘Wikileaks’.
Sajti quhet Brusselsleaks.com, ka edhe një faqe në sajtin e blogjeve ‘World Press’ dhe i ka bërë thirrje njerëzve të ndryshëm që të dërgojnë materiale sensitive dhe dokumente që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian, duke përdorur një format të kriptuar. Por, ndryshe nga ‘Wikileaks’, ‘Brussel Leaks’ nuk do të publikojë asgjë vetë, por do të hetojë për autenticitetin e dokumenteve që i vijnë dhe më pas do t’ia dërgojë këto mediave të përzgjedhura për t’i botuar. Sajti planifikon që të publikojë valën e parë të dokumenteve që kanë të bëjnë me sektorin energjetik. “Për sa i përket dërgesave, kemi pasur disa materiale shumë të mira së fundi, çka tregon për një fillim të mirë”, - ka deklaruar kontakti për këtë sajt me median.
“Ideologjia jonë është që Bashkimi Europian të përdoret për mirë, por njerëzit, me shumë të drejtë, kanë shumë mosbesim për shkak se vendimet më të mëdha bëhen pas dyerve të mbyllura. Ne shpresojmë se BE-ja dhe institucionet e tjera do të punojnë pas kësaj për të përmirësuar transparencën dhe për të siguruar që zërat e njerëzve të dëgjohen me të vërtetë në takimet më të rëndësishme të vendimmarrësve në të gjitha fushat”.