E Diel, 1 Nëntor 2026

Associated Press përzgjedh Alis dhe Rajmonda Bulkun në 9 fotot më të bukura të Finales së Eurovizionit

Performanca e përfaqësuesit shqiptar Alis Kallaçi në Finalen e Madhe të Eurovizionit në Vjenë ka marrë një tjetër vlerësim të madh ndërkombëtar, këtë herë në aspektin vizual. Agjencia prestigjoze botërore e lajmeve, Associated Press (AP), ka publikuar një fotogaleri të përzgjedhur me vetëm 9 imazhet më të fuqishme dhe më përfaqësuese nga e gjithë nata finale e festivalit europian, ku mes tyre spikat edhe Shqipëria.

Fotografia e Alis Kallaçit, i cili interpreton në skenën e “Wiener Stadthalle” krah aktores së madhe Rajmonda Bulku, është përzgjedhur nga redaksia e AP-së si një nga momentet kulminante të këtij edicioni jubilar.

Në këtë përzgjedhje mjaft të ngushtë të agjencisë ndërkombëtare, imazhi i interpretimit të këngës “Nân” qëndron krah fotografive të përzgjedhura të artistëve nga Gjermania, Greqia, Izraeli, Belgjika, Australia, Ukraina dhe Danimarka. Fotogaleria plotësohet edhe me shkrepje të veçanta të spektatorëve në arenë, të cilët valëvisin me pasion flamujt e shteteve të tyre në festën më të madhe muzikore në Evropë.

Përfshirja e Shqipërisë në këtë listë dëshmon impaktin e madh skenik që pati balada e Alisit. Skenografia e errët, e ndërthurur me tymin dhe lojën dramatike të Rajmonda Bulkut në rolin e nënës, krijoi një tablo vizuale mjaft të fortë për fotografët dhe kritikët botërorë, duke e shndërruar performancën shqiptare në një nga ngjarjet më të fotografuara dhe më të vlerësuara artistikisht të kësaj finaleje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›