E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aston Martin ëndërron Botërorin 2010

Aston Martin ëndërron të bëhet pjesë e Formula 1 në vitin 2010, me një skuadër të drejtuar nga presidenti Devid Riçards, që në të kaluarën ka punuar te Beneton-Renault dhe Honda. Sipas të përditshmes britanike "Times", pjesëmarrja në gara lehtësohet nga rregulli për vendosjen e "çatisë" në buxhet, ku shpenzimet sezonale kapin kuotën deri në 33 milionë euro (30 milionë sterlina). Me idenë e tij, Berni Ekleston synon të minimizojë diferencat financiare mes skuderive, duke favorizuar hyrjen e tri skuadrave të reja. Përveç Aston Martin, interes për t‘u bërë pjesë e F1 kanë shfaqur edhe Lola, konstruktor anglez që u mungon pistave prej 12 vjetësh, USF1, skuadra amerikane e cila mund t‘i besojë një makinë pilotes Danika Patrik dhe Kosuorth. Nëse propozimi i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit miratohet, të katërta këto skuadra mund të bëhen pjesë e garës: kjo do të bënte që numri i njëvendëshve pjesëmarrëse të shkojë në 26… Konfirmimi për projektin e Aston Martin ka ardhur nga presidenti Riçards. "Është një periudhë e përshtatshme për t‘u bërë pjesë e kësaj mode", deklaroi ai. "Mendoj se nga përcaktimi i një shifre të arsyeshme, që do të kufizojë shpenzimet, përfitojnë të gjithë. Formula 1 nuk do të jetë më kampionati ku luftojnë vetëm skuadrat më të pasura, por do t‘u japë shans pilotëve dhe inxhinierëve që të shpalosin aftësitë e tyre, ashtu si ka ndodhur në të kaluarën. Ende nuk kemi vendosur asgjë, por nëse plotësohen disa kushte mund të marrim pjesë në gara. Ideja e buxhetit të kufizuar është veprimi më logjik dhe i domosdoshëm për mbijetesën e këtij sporti".

Buxheti

Federata e Automobilizmit u ka kërkuar skuadrave të Formula 1 të japin ide rreth kufizimit të buxhetit. Sipas "Autosport", Maks Mosli pret nga secila skuderi shifrën që ato mendojnë se është më e përshtatshme për shpenzimet sezonale, e njohur ndryshe "budget cap". Gjatë javëve të kaluara, vetë presidenti i FIA-s ishte shprehur në favor të buxhetit 25 milionë sterlina (afro 27 milionë euro). Mosli shpjegoi se "kjo është shifra që kam menduar unë, ndërsa të gjithë bashkëpunëtorët e mi mendojnë se shifra duhet të jetë më e lartë". Ky mund të jetë shansi i fundit i konstruktorëve për të shprehur mendimet e tyre, përpara punimeve të Këshillit Botëror, më 29 prill. Përdorimi i "budget cap", ku nuk mbulohen rrogat e pilotëve testues, akomodimi në vendet ku zhvillohen garat apo shpenzimet për marketingun, mbetet fakultativ. Megjithatë, për skuadrat që shpenzojnë më tepër do të ketë kufizime të tipit teknik. Më të goditura do të jenë padyshim prodhuesit e mëdhenj: Ferrari, BMW dhe MekLaren. Për "shigjetat e argjendta" rreziku është i dyfishtë, pasi në datën kur do të diskutohet për buxhetin, do të shqyrtohet edhe skandali në garën e parë të këtij sezoni. Sponsorët e skuadrës anglo-gjermane kanë kërcënuar se do të largohen, nëse gjatë javës së ardhshme FIA vendos skualifikim ose penalizim për ngjarjet në Melburn të Australisë. Sipas "Daily Telegraph", si FIA ashtu edhe Berni Ekleston e kanë të qartë faktin se nëse MekLareni mbetet pa mbështetje financiare, ajo mund të detyrohet të braktisë garat.

MekLaren

Më 29 prill, përveç kufizimit të buxhetit, Këshilli Botëror i FIA-s do të diskutojë edhe çështjen "MekLaren", për episodin në Melburn. Nëse "shigjetat e argjendta" skualifikohen ose penalizohen, sponsorët kanë kërcënuar se do të largohen



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›