E Shtunë, 31 Tetor 2026

NORMALIZIM NE KATER HAPA

1.

Pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian, brenda një periudhe prej dy vjetësh, do të riaktualizohet pyetja për formatin e ardhmërisë evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Dhjetëvjetëshi që vjen do të përcaktojë natyrën e transformimit të këtyre shteteve, e për Bashkimin Evropian do të përcaktojë po ashtu edhe natyrën e aderimit të tyre, në grup, siç ishte rasti në disa prej valëve të zgjerimit, apo individualisht, një nga një, siç po bëhet me Kroacinë.

Përgjigjja për dilemën "në grup apo individualisht" ende nuk do të jetë në rend të ditës, pa u sqaruar, megjithatë, natyra e shteteve që synojnë aderimin në Bashkimin Evropian. Në Ballkanin Perëndimor ende ekziston trekëndëshi i shteteve të papërfunduara. Bosnja e Hercegovina është një protektorat, i cili ende jeton me një marrëveshje paqeje (Dayton), por jo edhe me një rend kushtetues, të ndërtuar prej qytetarëve të saj. Një pjesë e këtij shteti, Republika Sërbska, në masë të madhe mohon, identitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Kosova është shtet i papërfunduar, si në funksionimin e vet të brendshëm (ndarja faktike e vendit), ashtu edhe në legjitimitetin ndërkombëtar të tij. Serbia, duke mos e njohur Kosovën dhe duke pretenduar territorialisht në të, është shtet i papërfunduar së ndërtuari.

Ekzistimi i këtij trekëndëshi, me pikë të fortë mbështetje në Beograd, objektivisht do të pengojë definimin e ardhmërisë evropiane të tyre dhe njëkohësisht edhe aderimin grupor të Ballkanit Perëndimor në BE, si pjesë e unifikimit të kontinentit evropian.

2.

Kosova dhe Serbia janë pengesa siameze për aderim në BE. Serbia, duke mos e njohur identitetin e veçantë shtetëror të Kosovës, duke e mbajtur një pjesë të trupit të Kosovës ende të ngjitur për vete dhe, njëkohësisht, duke pasur përkrahjen e pesë shteteve të BE-së për këtë politikë të veten, është duke bllokuar fazën e re të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, atë kontraktuare. Kosova, duke qenë e trajtuar nga Serbia në këtë mënyrë, mund të bllokojë fazën më të avancuar të marrëdhënieve të Serbisë me BE-në, atë të përgatitjes për aderim. Është krejtësisht e pamundur që Serbia të pranohet në BE me problem të pazgjidhur të marrëdhënieve me Kosovën.

Një gjendje e tillë, ku Kosova dhe Serbia e mbajnë peng njëra-tjetrën në rrugën e tyre evropiane, mund të vazhdojë më gjatë po qe se nuk ka ndërhyrje të jashtme për ta ndryshuar. Sivjet, mund të jenë pjekur kushtet për këtë ndërhyrje të jashtme. Bashkimi Evropian ka mundësi, që mund të mos i përsëritet në dhjetë vitet e ardhshme, të kushtëzojë një kurs të ri të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Serbia po kërkon sivjet liberalizimin e vizave, si dhe statusin e kandidatit për në BE, - që të dyja këto janë pika të mundshme kushtëzimi të BE-së. Kosova, nga ana tjetër, ka nevojë të dalë prej fazës së tanishme të paqartë të protektoratit në një perspektivë të qartë aderimi evropian - pika këto të forta e të nevojshme për Brukselin.

Për më tepër, në Uashington është një administratë e re, e cila me pak mund ka kapacitet ndihme që të përfundojë ndërhyrja e suksesshme transatlantike në Ballkan, e filluar me përfundimin e luftës në Bosnjë dhe e vazhduar me përcjelljen e Kosovës deri në pavarësi.

Gjendjes së pritjes, ç‘është e vërteta, mund t‘i kontribuojë iniciativa e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe në Beograd a mbase në Prishtinë mund të dalin zëra që thonë se nuk mund të bëhet asnjë veprim në rastin e Kosovës pa e dëgjuar mendimin e Gjykatës. Por, cilido që të jetë mendimi i Gjykatës, ai nuk do të ndryshojë disa gjëra: shpalljen e pakthyeshme të pavarësisë së Kosovës, njohjen e pakthyeshme të saj, problemin e hapur që ka Serbia me këtë gjendje, pengesën që marrëdhëniet e panormalizuara mes Kosovës e Serbisë kanë në rrugën e tyre konkrete evropiane.

3.

Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një proces normalizimi të marrëdhënieve mes tyre.

Për këtë, janë të nevojshëm katër hapa bazikë.

I pari është fillimi i një procesi dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, dialog i njohur si "bisedime mbi bisedime". Ndonëse është e qartë se ekzistojnë diferenca të qarta mbi jetën e Kosovës së pavarur, autoritetet e të dy vendeve duhet të formatizojnë temat e hapura në marrëdhëniet mes dy vendeve, që mund të trajtohen pa marrë parasysh diferencat në qëndrimet rreth statusit.

I dyti është vendosja e këtij procesi të dialogut brenda një formati transatlantik. Është e qartë se suksesi në Ballkan është arritur kur ka ekzistuar një bashkëpunim intensiv BE-SHBA. Tash është koha për rishfaqje të këtij bashkëpunimi, për të definuar normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si pjesë e një politike transatlantike të integrimit të regjionit.

Hapi i tretë është vendosja e një procesi tranzitor të normalizimit jostatusor mes Kosovës e Serbisë. Brenda këtij procesi, ndonëse do të mbeteshin dallimet rreth statusit të Kosovës, do të krijoheshin kushtet e inkurajimit eksplicit të dyanshëm për integrime evropiane. Kjo do të thoshte se do të krijohej një proces i matshëm, i cili do të lejonte që Kosova të konsiderohej si partner kontraktual i BE-së nga të gjithë anëtarët e BE-së, përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, ky proces i matshëm do të cilësonte Serbinë si shtet, i cili po i krijon bazat për zgjidhjen e problemeve fqinjësore (gjë e vlefshme për shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e duhet të vendosin për rrugën integruese të Serbisë).

Hapi i katërt është krijimi i cilësisë së re në integrime evropiane. Për Kosovën, kjo do të thotë fillimi i Procesit të Stabilizim-Asocimit, për Serbinë, kjo do të thotë fillimi i negociatave me BE-në, tashmë si shtet kandidat për anëtarësim.

4.

Brenda 12 muajve të ardhshëm, BE-ja, në bashkëpunim me SHBA-në, kanë gjasa të mbyllin kapitullin e jostabilitetit të Ballkanit Perëndimor, me krijimin e kushteve për atë që do të jetë integrimi i valës së gjashtë të shteteve në BE, diku në fund të dhjetëvjetëshit të ardhshëm.

Ky shans mund të mos qëndrojë i hapur për më gjatë. Status-quoja në Bosnjë dhe në Kosovë tashmë ka prodhuar ndarjet de-facto territoriale, që rrezikojnë të shndërrohen në fusha magnetike për ndarje në tërë regjionin. Në vend të një dhjetëvjetëshi integrimi, gjendja e tanishme e patrajtuar mund të prodhojë një dhjetëvjetësh ndarjesh territoriale që, pos trekëndëshit të shteteve të papërfunduara, do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë.

Do të ishte edhe një dhjetëvjetësh i humbur për popujt e kësaj pjese të Ballkanit.

* Shkrimi bazohet në diskutimin e autorit në tryezën e Universitetit Science Politiques të Parisit, kushtuar Ballkanit, dhe mbajtur në Dijon



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›