Ljupko Petroviç: Shqipëria? Kërkon një trajner të mirë për një skuadër të dobët
Pas zërave se Ljupko Petroviç është kandidat për stolin e Kombëtares shqiptare, ka ardhur edhe reagimi i teknikut që në vitin 1991 udhëhoqi Yllin e Kuq të Beogradit (Crvena Zvezda) drejt Kupës së Evropës, që sot njihet si Champions League. Serbi 61-vjeçar deklaroi: "Së fundmi, Shqipëria po kërkon të zëvendësojë Ari Han, i cili u largua nga skuadra prej rezultateve të dobëta në eliminatoret e Botërorit 2010. Ata kërkojnë një trajner me eksperiencë, detyra e të cilit është të stërvitë mirë një skuadër të dobët". Petroviç konfirmoi se deri në këto momente nuk ka pasur kontakte zyrtare, gjithsesi, ai shprehet i kënaqur se puna e tij vlerësohet ende: "Nuk do të qëndroja indiferent ndaj sfidave të reja. Është një skuadër mesatare, e cila kërkon të ngjitet drejt suksesit". Për mediat serbe, trajneri deklaroi se ekzistojnë mundësitë që gjatë javës së ardhshme, disa përfaqësues të FSHF-së të udhëtojnë drejt Beogradit, për të nisur negociatat rreth emërimit të tij të mundshëm.