Luan Krasniqi bëhet baba
Për herë të parë në jetën e tij boksieri profesionist, Luan Krasniqi (37-vjeçar), është bërë baba. E bija e tij, Melisa, ka ardhur në jetë më 15 prill, rreth orës 13.52. Në ato momente ishte i pranishëm në sallën e lindjeve edhe vetë boksieri kosovar i peshave të rënda, i cili garon për Gjermaninë. "Jam jashtëzakonisht shumë i gëzuar, tashmë në jetën tonë ka hyrë një engjëll flokëverdhë dhe lindja e vajzës sime është më e rëndësishme se çdo fitore", do të thoshte dje Luan Krasniqi. Vajza dhe bashkëshortja e tij, Sueda, janë mirë me shëndet dhe tani ata do të kthehen në shtëpinë e tyre në Rotvajl. "Unë po shijoj çdo moment me familjen time të re", shprehet Krasniqi. Përveç të qenit baba i mirë, ai është i përqendruar edhe te karriera e tij dhe shpreson për një rikthim në ring. "Stërvitem çdo ditë dhe dua të bëj një ndeshje këtë vit kundër një boksieri të mirë", përfundon ai.