E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: Dua të luaj dhe 1 vit në Bundesligën 2

Edhe pse tashmë numëron 37 vite mbi shpatulla, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Fatmir Vata, aktualisht në radhët e skuadrës së Koblenzit, nuk ka ndërmend t‘i varë këpucët në gozhdë. Kontrata e tij me këtë klub përfundon më 30 qershor të këtij viti, por 37-vjeçari beson se ka ende fuqi në këmbë për të përballuar të paktën edhe një sezon tjetër në Bundesligën 2. "Kontrata ime skadon në verë dhe akoma askush nuk ka folur me mua. Por unë do të kisha dëshirë të qëndroj në këtë skuadër. Besoj se e përballoj edhe një vit tjetër në Bundesligën 2", thekson Vata, i cili më pas lëshon me shaka edhe një batutë: "Në fushë është thjesht më mirë se sa në shtrat". Sulmuesi shqiptar ka lënë pas një dëmtim në kofshë dhe është i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e kësaj jave kundër Aahenit më 26 prill. "Të martën do të jem në dispozicion të trajnerit", gëzon shqiptari pas rikuperimit. "Katër javë pushim ishin të mjaftueshme. Ndërsa të dielën me shumë mundësi mund të jem në stol". Por Vata flet edhe mbi objektivat e skuadrës së tij Koblenz në këtë sezon. "Shokët e skuadrës janë në formë të mirë, shton ai. Tani trajneri mund të mbështetet te të gjithë. Ne nuk i trembemi konkurrencës, pasi e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Përpara kemi ndeshje të rëndësishme. Neve na duhen pikë në mënyrë urgjente, pasi bëhet fjalë për mbijetesën në Bundesligën 2", përfundon shqiptari.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›