Aston Villa në fushë, Bent bën shoping

Sulmuesi i Anglisë, Darren Bent u ka kërkuar falje tifozëve të Aston Villas, pas publikimit të fotografive të tij në internet duke blerë dhurata për Krishtlindje, derisa skuadra e tij ishte duke u mposhtur nga Liverpool në njërën prej ndeshjeve të Premierligës të dielën.
Bent, i cili nënshkroi kontratë rekorde me Villan, mungoi në përballjen me Liverpoolin për shkak të një lëndimi. Skuadra nga Villa Park u mposht në shtëpi me rezultat 0-2. Tifozët u hidhëruan nga mungesa e interesimit të Bentit për të përcjellë ndeshjen.
Kurse ai u ka kërkuar falje atyre nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social Twitter, ku shkroi se kishte shikuar “pjesën më të madhe” të ndeshjes në televizion.
“Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se dalja do të kishte krijuar një problem, andaj kërkoj falje”, shtoi ai. Bent është golashënuesi më i mirë i Villas këtë sezon me pesë gola.