Iliria nuk ngopet me gola ndaj Burrelit
Skuadra fushë-krujase fiton bindshëm ndaj matjanëve dhe ndërron vendin me ta në tabelën e klasifikimit
Iliria Burreli 4-1
Shënues: Kurti 43, Bejko 56, Ziri 68 (11-metërsh), Mitraj 85 / Radaj 87
Iliria: Sejdini, I.Gjokeja, Shkëmbi, Balliu, Doçi, Ujka, Kurti, Bejko (Caca 78), Lama (Bardhi 74), Ziri, Mitraj (Sala 85).Trajner: F.Sala.
Burreli: Halluni, Gjoka, Loka, Pepa, Frisku (Belba 84), Neli (Mata 48), Ohadiro (Kaleci 66), Haxhija, Hoxha, Allmeta, Radaj. Trajner: M.Beshiri.
Gjyqtarë: R.Pjetrushi, K.Vargu, P.Simoni (Lezhë)
Kartonë të verdhë: I.Gjokeja, Ujka, Loka, Frisku, Mata, Allmeta
Karton i kuq: Mata
Iliria nuk ka gabuar në fushën e Mamurrasit, ku ka pritur dje Burrelin dhe e ka parakaluar atë në renditje. Pas atij në Sarandë me Butrintin, ka ardhur një tjetër tripikësh me vlera, që e largon skuadrën fushë-krujase nga fundi i tabelës së renditjes. Ndeshja e djeshme është dominuar totalisht nga Iliria, gjë që e vërteton edhe rezultati i thellë.
Dy raste ideale për shënim dhe vetëm një gol në limitet e kohës së rregullt. Kaq ka dhuruar për tifozeritë e të dyja skuadrave kronika e 45 minutave të para. Një pjesë kjo, ku vendasit do ta kërkonin golin me pasime të shumta, me të cilat arrinin deri në afërsi të zonës kundërshtare, por aty ndeshnin në një mbrojtje të përforcuar.
Matjanët janë kujdesur shumë për mbrojtjen, por në minutën e 39-të për pak sa nuk kanë bërë surprizën, kur Radaj, i ndodhur i vetëm në zone, nuk ka mundur ta mposhtë portierin Sejdini.I menjëhershëm ka qenë reagimi i fushë-krujasve, me anë të Zirit, i cili ka gjuajtur, por topi është përplasur në shtyllën pingule dhe është kthyer sërish në lojë. Dhe vetëm dy minuta më pas, në të 43-tën, Kurti, me një gjuajtje spektakolare brenda zones, e ka dërguar topin në rrjetë.
Pjesa e dytë ka nisur më e bukur dhe është dominuar totalisht nga vendësit, të cilët vetëm pas 10 minutash e kanë dyfishuar rezultatin, me anë të Bejkos, Ai ka kërcyer mbi mbrojtësit matjanë, duke e goditur topin saktë me kokë. Megjithëse në avantazh të dyfishtë, fushë-krujasit nuk e kanë ulur për asnjë moment ritmin, por kanë vazhduar të sulmojnë, duke krijuar me dhjetëra raste për shënim.
Dhe do të vinte minuta e 68-të, kur Mitraj është penguar në zonë nga një mbrojtës mik dhe gjyqtari Pjetrushi, pranë aksionit, nuk ka ngurruar të sinjalizojë 11-metërsh, që është kthyer në gol nga Ziri dhe 3-0.
Ka qenë përsëri Mitraj, i cili, në minutën e 85-të, pasi ka marrë një pasim të përpiktë nga Kurti, është futur në zonë dhe ka goditur në pozicion të prirët, topi është përplasur në shtyllë dhe më pas ka përfunduar në rrjetë. Pas këtij momenti Burreli nuk ka pasur çfarë të humbasë dhe është hedhur i gjithi në sulm.
Matjanët kanë arritur të shënojnë golin e nderit vetëm 3 minuta para fundit, me anë të Radajt. Skuadra mike 4 minutat e shtesë do ti luante me 10 futbollistë, pasi në minutën e 90-të gjyqtari Pjetrushi do të ndëshkonte për të dytën herë me karton të verdhë Matën, duke e dërguar para shokëve në dhomat e zhveshjes.
Trajnerët
Fatmir Sala, trajner i Ilirisë: U lodhëm më shumë se kundërshtari në kërkim të fitores dhe e arritëm, duke marrë 3 pikë të tjera mjaft të vlefshme. Mund të kishim shënuar më shumë, sepse edhe rastet që krijuam ishin të shumta. Megjithatë, e rëndësishme ishte fitorja, për të cilën ishim përgatitur. Shpresoj që Iliria ta vazhdojë këtë rrugë edhe në ndeshjet e ardhshme.
Maringlen Beshiri, trajner i Burrelit: Nuk u prononcua.
