E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raboshta: Luftëtari tregoi karakter të fortë me Adën

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Jasmin Raboshta, me dygolëshin e shënuar në Velipojë ndaj Adës, i dha Luftëtarit një fitore të rëndësishme në prag të mbylljes së fazës së parë. Është dygolëshi i 5-të që realizojnë futbollistët e tij në këtë kampionat (3 Nora dhe 1 Çaço para Raboshtës), që e ngjit shkodranin në  kuotën e 5 golave. Ai tregoi këtë radhë më mirë se herët e tjera se është nga brumi i futbollit shkodran. Ishte dita e tij, ndoshta më e mira e karrierës së tij me të papërsëritshmen që dy golat i realizoi në minutat 44 dhe 45.

Luftëtari realizoi fitoren  jubilare këtë kampionat, të 10-tën, dhe të 3-tën jashtë fushe, madje është fitorja e parë në Velipojë në 6 ndeshje që ka luajtur aty deri tani. Këto dhe të tjera tregojnë se Luftëtari i këtij sezoni e ka kapur demin prej brirëve dhe kësisoj vështirë të mos ngjitet në superiore. Ndeshjen e radhës e luan në Gjirokastër me Kukësin, që ka pretendime serioze për superligën dhe më së fundi kapi vendin e 2-të.

Janë dy ekipet që kanë dhe golashënuesit më rentabël të kampinatit, Norën dhe Ivanajn, me nga 9 gola, por që ndeshjet e fundit bënë pushim si për të shpërthyer në përballjen direkte. Pra, do të jetë kryendeshja e javës, në vigjilje të Krishtlindjeve. Duke qenë se luan me vendin e dytë, fitorja do ti jepte Luftëtarit 6 pikë avancë. Për fitoren me Adën Raboshta thotë: Ndeshja me Adën u vlerësua si duhet dhe u përgatitëm për dy javë, ku unë edhe u riaftësova.

Luajtëm me nerv të tendosur, duke zbatuar mjaft saktë detyrat që na u caktuan. Jam i gëzuar që finalizova përpjekjet e kolegëve dy herë në një interval të shkurtër kohor, në fund të pjesës së parë. Kjo fitore na bën optimistë për të arrittur fitoren edhe me Kukësin, që tani vjen direkt pas Luftëtarit në renditje, tek spostoi Besëlidhjen. Kuptohet që lufta sportive do të jetë e fortë  pasi dy ekipet kanë ambicie të mëdha.

Duke u nisuar nga faktori fushë, besoj se faza e parë në Gjirokastër do të mbyllet vetëm me fitore, gjë që është në dorën tonë. Do ta realizojmë, pasi të na punojnë mendjet dhe këmbët. Do të përpiqem të dal sërish te goli, por, pavarësisht nga kjo, më e rëndësishme është të marrim 3 pikët, qoftë edhe me autogol. Luftëtari këtë kampionat është i formuar mjaft mirë në të gjitha aspektet, që do ta çojnë në suksesin e plotë. Nëse tregon  karakter të fortë si në ndeshjen me Adën edhe në ndeshjen me Kukësin, them se fitoren e ka në xhep.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›