E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Patozi: Presidenti i ri do të jetë ceremonial

TIRANE-Nënkryetari i PD-së, njëherësh dhe kry etar i grupit parlamentar të PD-së, z.Astrit Patozi i quan dy rrëke përrenj, partitë që pritet të krijojnë presidenti Bamir Topi dhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, z.Kreshnik Spahiu. Në “5 pyetje nga Babaramo”, Patozi tha se asnjëra prej tyre nuk do të ketë të ardhme dhe se ato janë krijuar qëllimisht për të zbritur votat e PD-së, gjë që sipas tij nuk do të ndodhë.
Z.Patozi, të gjithë besuan se u tejkalua ngërçi politik, por sot ndodhi ndryshe. Pse u bllokua konsensusi mes pozitës dhe opozitës?
Nuk ishte një ngjarje e papritur, sepse nëse i kthehemi kronologjisë së nëntorit të vitit të shkuar, besoj ka qenë e përshkuar nga nota të forta tensioni. Që nga gushti deri në nëntor nuk pamë premtim të z.Rama pasi humbi zgjedhjet dhe më pas, pranoi të nënshkruante një paketë reformash me mazhorancën. Pas më pak se një muaj nga konsensusi, Rama, duke u nxituar i pari, pa dalë përfaqësuesit e tij, bllokon reformat dhe deklaron mohimin e statusit të Shqipërisë. Rama të fundit e tha të parën, duke akuzuar mazhorancën se po bllokon reformën zgjedhore, gjë që nuk është e vërtetë, është një proces që kërkon kohën e tij. Parlamenti i ka dhënë përherë kohën e nevojshme. Reforma në rregulloren e Kuvendit ka dhe një muaj kohë dhe nuk mund të thuash se nuk po ndodhin ndryshimet e rregullores, pasi mund të ndodhin brenda dy ditëve. Jemi të gatshëm, që javën e ardhshme ta mbyllim punën e reformës zgjedhore.
Çfarë pranoni dhe çfarë refuzoni nga kërkesat e opozitës?
Parlamenti ka marrë një vendim, që rregulloren tonë ta përafrojmë me atë të vendeve të PE-së. Nisur nga kjo, ne kemi rënë dakord me opozitën, por dalja jashtë saj do të thotë ta bllokosh. Po ashtu, dhe kërkesa e opozitës për të ndërprerë fjalën e kryeministrit, duke insistuar që të ketë një kohë të barabartë me kryeministrin, kur ndoshta mund të jetë Ruçi apo Rama. Ne kemi bërë ndryshime të parëndësishme dhe janë votuar kur opozita ka qenë në pushtet. Edhe për dekretet e presidentit, ata sillen sikur do të jenë në opozitë edhe për një kohë të gjatë. Dekretet janë akte juridike dhe ne këtë argument kemi, që ashtu si ligji, zgjedhësi duhet të dijë qëndrimin politik të çdo deputeti. Ata kërkojnë që dekretin ta kenë me votim të fshehtë, ndërkohë që sa herë është votuar për individë është votuar fshehtas dhe ne mbrojmë parimin. Ne nuk e kemi problem emrin e presidentit, pasi ne po shkojmë drejt një presidence të re, por thelbësore është të mbrohet parimi. Ne nuk jemi në kushte diktati dhe nuk mund të kushtëzojë Kodin Penal me reformën zgjedhore, pasi Kodi Penal nuk është për mazhorancën, por është për gjithë shqiptarët. Por mesa duket z.Rama është i prirur që reformat të ngecin. Rama pretendon se jemi ne shkaktarët e mosmarrjes së statusit, por ishte ai që bëri një bojkot të gjatë gjashtëmujor, që nuk zbatoi asnjë nga detyrat si opozitë. Nuk mund të dënohet me 8 vjet një komisioner, në rast se gabon me zgjedhjet, ndërkohë që një kriminel mund të dënohet me 2 vjet. Megjithatë, ne pranuam këto teka të opozitës, sepse ne nuk mund të ishim pala që bllokon.
Si do zgjidhet kjo situatë?
Atëherë zotëri, ti që je në opozitë kryej detyrimet e tua si opozitë, me kryerjen e reformës parlamentare edhe në drejtësi dhe përgjegjësinë le t’ia lërë pastaj mazhorancës. Ai bën krahasimin me Serbinë, por ne nuk e nisëm procesin njëherësh dhe ata nuk patën bllokim të institucioneve si opozita. Preteksti nuk mund të mbetet i vetëm. Atëherë, pse duhet të ulë kokën para çdo kërcënimi apo ultimatumi të opozitës? Megjithatë, të gjitha kërkesat e opozitës do të shqyrtohen me seriozitetin më të madh të mazhorancës. Por kryetari nuk mund të dalë kundër përfaqësuesve të tij në komision, të cilët po punojnë.
Pak ditë më pas, z.Oketa deklaroi se largohet nga PD-ja. E prisnit?
Për të qenë i sinqertë, nuk kishte asgjë të papritur në largimin e tij, jo vetëm për ne që jemi në politikë, por edhe për qytetarët e thjeshtë, pasi ai kishte dhënë disa shenja më parë në mënyrën e votimit. Por gjithsesi nuk mund të komentoj deklaratat e tij, por tashmë ky është një fenomen. Deputeti ka një kontratë me qytetarët dhe kjo është një prishje e saj. Unë e kuptoj vështirësinë; ata që e prishin kontratën janë shumë më të paktë se ata që e vazhdojnë, por kjo vështirësi bëhet me evidente kur disa prej tyre fshihen pas disa parimeve që nuk janë të tyret, sepse unë i qëndroj parimit që mjeti më eficent për të pasur një karriere të pasur politike është transparenca dhe jo hipokrizia. Nuk gjej asnjë argument, që një deputet më thotë që ndryshimet kushtetuese ndryshuan qëndrimet e tij ndaj partisë së tij, ndërkohë që vetë i ka votuar këto ndryshime. Nuk mund që një deputet të thotë sot se PD ka ndryshuar për shkak të vendosjes së listave të mbyllura, kur vetë është produkt i tyre. Nuk mund të pranosh që ka krizë të elektoratit kur durrsakët të votuan. Më saktë votuan Sali Berishën dhe jo Oketën ashtu si në zonën time. Mund ta kuptoj dikë që s’ka pranuar të jetë në këto lista dhe i jap të drejtë, por kur ti je vetë produkt i këtyre listave, sigurisht që nuk qëndroj. Kjo është e vështirë për t’u shpjeguar.
Cili do të jetë ndikimi i partisë së Topit?
Të gjitha këto lëvizje politike, që i quaj si rrëke përrenjsh anti-PD, i konsideroj pa ndikim. Nuk mund të bëj profetin, por mund të them se janë pa ndikim.
Topi ka lënë të kuptohet se marshi i tij do të jetë tek ish- pronarët dhe ish të persekutuarit. Si e konsideroni këtë?
Presidenti u pa qartë se për këtë votoi, e panë të gjithë, ishte e qartë. Aty ishte një votë, pasi po të ishin dy, njëra për PD-në, Topi do të fshihej pas asaj për PD-në. Z.Topi po ngre një parti për t’i marrë ndonjë votë PD-së dhe kaq. Këtë lëvizje e ka nisur pas ndryshimeve kushtetuese dhe askush nuk u ndal gjatë tek kjo qejfmbetje e z.Topi. Ky njeri pretendon se PD nuk e pyeti, por ne e kishim çuar në presidencë. Por ne dhe PS-ja bëmë mirë që i hoqëm ngërçin vendit, sa herë që bëhen zgjedhje për presidentin dhe për ta futur Shqipërinë në një cikël të ri. Nga kush e priste z.Topi një rimandatim, sepse kompetencat e presidentit nuk ndryshonin. Po ta priste nga PD-ja, kjo kishte një mundësi për ta zgjedhur sërish, por me 84 vota propozimin do ta kërkonte tek PS-ja dhe këtu qëndronte e gjitha. Nëse do të ishte një president mbi palët, më të thjeshtë do ta kishte që ta merrte propozimin nga PD-ja dhe do të kalonte, por nëse kërkonte që propozimi të vinte nga PS-ja dhe ne ishim të detyruar ta votonim, atëherë kjo ishte fabula. Kjo është një lëvizje që bëhet jashtë nesh. Një parti që pretendon se do të marrë të pakënaqurit e PD-së, e ka një komandant që prej 7 vitesh, ka Edi Ramën.
Po Aleanca Kuq e Zi?
Do të derdhë në të njëjtin përrua, që nuk ka asnjë të ardhme. Shqiptarët nuk mund t’i shkojnë pas një personazhi që shfrytëzon postin për politikë. E ka deformuar pozicionin e vet, është marrë me politikë individuale dhe e ka nisur bashkë me presidentin.
Ky përrua që bëhet nga dy përrenj, mund t’ua ulë rezervuarin?
Për arsyet që thashë, nuk do të kenë asnjë ndikim. Por personazhi ka dhënë të njëjtat prova dhe komisioni parlamentar ka dhënë provat që është abuzues deri në detaje, deri në bërryla. Kemi fakte që ka bërë udhëtime luksoze dhe komisioni ka hetuar se kemi të bëjmë me rastin e një abuzimi të rëndë, një sharlatan, dhe nuk shpreh keqardhje për këtë shprehje. Unë nuk flas për mbushje sallash, por për vota, të cila nuk do të mund t’i marrin, pasi shqiptarët nuk do të besojnë se ai që ai flet për Shqipërinë etnike mund ta arrijë atë ose ai që valëvit flamurin mund të jetë flamurtar apo nacionalit. Ne jemi duke folur për dy ëndrra dhe unë nuk flas për ëndrrat e të tjerëve, pasi nuk janë krijuar, por ka një prodhim që vjen nga opozita dhe kam bindjen se nuk do të funksionojë.
Pse tentuat ta shkarkoni, kur ai dha dorëheqjen?
Nuk është kështu, sepse dorëheqjen nuk e ka dhënë si anëtar i KLD-së, që ne e kemi votuar, dhe komisioni ka për detyrë të zbatojë vendimin e Kuvendit, i cili kërkon hetim. Ka pasur një konvergjencë, sepse edhe z.Topi në çastin që mazhoranca deklaroi se nuk do e votonte, tha se nuk rikandidonte. Të njëjtën gjë bëri edhe Spahiu. Ne e ngritëm komisionin për dy arsye, sepse Spahiu po shkonte shumë thellë me abuzimet dhe atëherë kur ai ndryshe nga sa deklaronte nga rrethet konfidenciale, ishte dakord me mazhorancën. Ai shfrytëzonte çdo kulisë, por ai do të përgjigjet për zullumet që ka kryer.
Do të ketë negociata për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit?
Ne nuk mund të flasim sot për emra kandidatësh, sepse nuk është etike, as për proces të detajuar, sepse kemi shumë punë për të bërë. Presidenti i ri duhet të ketë frymën e kushtetutës, honorifik, duhet që presidenti që shkon ta kuptojë se jo duke lexuar protokollet e shtetit është i pari dhe mbetet i pari. Ne jemi Republikë Parlamentare dhe është President ceremonial. Po flasim për një President dinjitoz, të mos nxjerrë shpatën as kundër mazhorancës as kundër opozitës. Nuk ka rendesi gjinia. Mund të kemi edhe një president në 3 raundet e para dhe sigurisht opozita ka të drejtën e propozimit, por sido që të jetë puna, në korrik ne do të kemi një president kushtetues. E rëndësishme është të jetë president cilësor.
Me çfarë profili?
Një president që të shkojë në krye të shtetit, që mos të nxjerrë shpatën as kundër mazhorancës dhe as kundër opozitës. E provuam me Moisiun, edhe më keq me z.Topi.
Presidenti do të zgjidhet nga radhët e mazhorancës?
Normalisht presidenti mund të votohet edhe nga mazhoranca dhe nga opozita. Fryma e kushtetutës është që të propozohet nga mazhoranca, por mund ta propozojë edhe opozita, por i takon shumicës. Nuk pengoj palën tjetër që të testohet.
Mund të jetë znj. Topalli?
Jam shumë koherent në përgjigjen e kësaj pyetjeje. Nuk mund të përmend emra, kur presidenti është në detyrë.
Olldashi e ka përmendur...
Kjo tregon, ndryshe nga kritikat e z.Oketa, se ka mendime të ndryshme në mbledhjen e grupit të PD-së.

(News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›