E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Zyrtarët që po hetojmë

Çdo kallëzim për fshehje pasurie të zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore do administrohet në tryezën e punës së kryeprokurores Ina Rama. Ky angazhim i kreut të akuzës është marrë dje përmes një memorandumi që ky institucion ka nënshkruar me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Rama deklaroi se akuza ka në shqyrtim disa dosje të zyrtarëve të paditur për fshehje pasurie dhe konflikt interesi.

Deklarata

"Unë nuk mund t‘u jap numër të dosjeve. Di të them se ka kallëzime që kanë ardhur nga inspektorati dhe që po hetohen nga prokuroria", theksoi Rama. Sipas saj, në momentin që do bëhet gati një proces gjyqësor, në përvijim të hetimeve, mund të informohet edhe media. "Flitet për zyrtarë që kanë për detyrim të deklarojnë pasurinë, përgjithësisht janë të nivelit të lartë", sqaroi Rama. E pyetur nga gazeta "Shqip" rreth raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, kryeprokurorja vlerësoi se lufta ndaj korrupsionit është prioritet i punës së saj. "Ka një prioritet të Prokurorisë Shqiptare sot për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të cilin bën pjesë edhe trafikimi i qenieve njerëzore", u shpreh Rama. Duke konstatuar se në drejtim të trafikimit të qenieve njerëzore, Prokuroria Shqiptare në bashkëpunim me institucionet e tjera kanë bërë goxha përparim. "Ky është një element i krimit që është goditur edhe për shkak të ndëshkimeve të forta që parashikojnë dispozitat tona ligjore, por dhe ndërgjegjësimit të komunitetit, punës së mirë të prokurorisë dhe gjykatave në këtë drejtim", theksoi Rama. Ajo garantoi se prokuroria po heton të gjitha dosjet për të cilat ka kallëzim dhe se kjo është detyra e këtij institucioni. Memorandumi i bashkëpunimit, nënshkruar me ILDKP-në, për Ramën është një moment i rëndësishëm. "Marrëveshja lidhet mes dy institucioneve. Nuk është memorandum formal, por vendos bashkëpunimin mes dy institucioneve, detajon mënyrën se si institucionet do bashkëpunojnë me përcaktim në detaje që dy institucionet të bëjnë sa më mirë punën", vlerësoi Rama.

Qëndrimi

Pak ditë më parë, kreu i shtetit, Bamir Topi, vlerësoi se nuk është bërë aq sa duhet në drejtim të zbulimit të konfliktit të interesit dhe fshehjes së pasurive. "Por duhet ta bëjë! Duhet të filloj ta bëjë! Duhet të fillojë të evidentojë raste. Në mënyrë absolute asgjë s‘mund të kamuflohet, ne jemi një vend i vogël. Gjithçka dihet, gjithçka diskutohet", vlerësoi Topi për ILDKP-në. Sipas tij, "ajo që diskutohet në tavolina të ngushta, ajo që diskutohet në tavolina kafenesh, ka nevojë të diskutohet me zë të lartë dhe të hapur, dhe me transparencë të plotë". Presidenti shprehu besimin se tendencat janë të qarta, Shqipëria, institucionet e saj duhet të shkojnë në këtë drejtim në mënyrë progresive, por është shumë e rëndësishme që hapat duhet të bëhen me intensitet më të lartë. "Mendoj se nuk janë të mjaftueshme vullneti dhe dëshira për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër korrupsionit, por kërkohet edhe ndërhyrje e mëtejshme në legjislacionin aktual për të bërë të mundur që bashkëpunimi të vijë edhe si rezultante e këtyre ndryshimeve", qe shprehur Topi.

Inspektorja e deklarimit të pasurive. "Ende s‘ka ligj, presim Kuvendin"

Laska: Jemi gati të hetojmë financimin e partive

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive tregohet i gatshëm të hetojë financimin e partive politike. Drejtuesja e këtij institucioni deklaroi se është në pritje të rolit që do t‘i caktojë Kuvendi përmes miratimit të ligjit në fjalë. Sipas Laskajt, ende nuk ekziston një ligj i cili në mënyrë specifike dhe të plotë kryen transparencën e burimit të financimit të partive. Qëndrimi i Laskajt vjen pak ditë pasi Presidenti Bamir Topi bëri thirrje për ndërhyrje në legjislacion posaçërisht për këtë çështje. Mesazh që u shoqërua nga angazhimi publik i Kryeministrit Sali Berisha për hartimin e një ligji të veçantë që të mundësojë transparencën e xhepave të partive në fushata zgjedhore dhe pas tyre. Duke kërkuar edhe ndërhyrjen e ILDKP-së në kuadër të kontrollit të këtyre të ardhurave dhe transaksioneve financiare. Kryeinspektorja e pasurive falënderoi bashkë nënshkruesit e memorandumit të bashkëpunimit kundër korrupsionit; respektivisht kryeprokuroren Ina Rama, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi; drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cankja, dhe atë të INSTAT, Ines Nurja. "Të gjithë arritëm në atë shkallë ndërgjegjësimi për të vendosur këtë bashkëpunim me qëllim etikën më të mirë të mundshme të prezantimit të zyrtarëve publikë, por edhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar", theksoi Laskaj. Ajo sqaroi përpjekjet e ILDKP-së me nënshkrimin e marrëveshjeve për marrjen e të dhënave që të shërbejnë për më të mirën e mundshme. "Në hapat tona të para vendosëm partneritetin me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive dhe Bankën e Shqipërisë, Kapitanerinë e porteve, doganat, tatimet etj", tha Laskaj. Sipas saj, problematika e bisedave të lira, jashtë institucioneve do të jetë në vazhdimësi të një kontrolli rigoroz, por kjo nuk do thotë se gjithçka pritet nga kjo marrëveshje. "Presim shumë nga ju. Shumë shpejt në këtë kontekst kemi rënë dakord që edhe me kompanitë që përmenda do bëjmë takim me median duke e ndërgjegjësuar për të na ofruar prova konkrete", vlerësoi Laskaj. Ajo pranoi se janë evidentuar provat e marra prej medias deri më tani dhe dëshirohet të mos mbetet çdo gjë në aspektin e fjalëve. E pyetur lidhur me kontrollin që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do ushtrojë ndaj gjyqtarëve, Laska mohoi të ketë mbivendosje kompetencash. "Kontrolli i KLD-së për gjyqtarët nuk bie ndesh me punën tonë", tha Laska. Duke shtuar se ka marrëveshje bashkëpunimi dhe në hapësirat e legjislacionit të KLD-së njihet kjo e drejtë. "Ndërsa kompetencën e investigimit në mënyrën e detajuar e ka institucioni ynë", sqaroi Laskaj.

Si do t‘i hetojë akuza deklarimet e rreme

Prokuroria dhe Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive angazhohen përmes memorandumit për shkëmbimin e informacioneve për subjektet e deklarimit periodik të interesave private në ILDKP. Kjo me qëllim evidentimin e saktë të rasteve të mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë, të rasteve të konfliktit të interesit dhe korrupsionit nga punonjësit e administratës publike. Synohet marrja e masave për plotësimin e rregullt të kallëzimeve penale, kryerjen e hetimeve paraprake, ushtrimin e ndjekjes penale, ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës në afate sa më të shpejta, në zbatim të ligjit penal dhe procedural penal. Ashtu sikurse rritja e efikasitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit. Palët për zbatimin e kësaj marrëveshjeje caktojnë nga një person kontakti për secilin institucion. Personat e kontaktit do të mbajnë takime ndërmjet tyre në vazhdimësi, në varësi të nevojës për shkëmbim informacioni. Palët marrim përsipër që të organizojnë takime të përbashkëta periodike ndërmjet punonjësve të ILDKP, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të specializuar për hetimin e veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit. Me qëllim shkëmbimin e opinioneve dhe eksperiencave për kuptimin, interpretimin dhe zbatimin e drejtë të rasteve të mosdeklarimit, deklarimit të rremë, konfliktit të interesit apo korrupsionit, të cilat janë objekt i punës së dy institucioneve. Në rastet kur ILDKP bën kallëzim penal në prokurori, materiali, përveç kërkesave të parashikuara në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, duhet të shoqërohet edhe me një relacion përmbledhës të faktit të konstatuar dhe elementëve të veprës penale të dyshuar. Në çdo rast që ILDKP bën kallëzim në prokurorinë kompetente, një kopje e kallëzimit së bashku me relacionin përmbledhës, i dërgohet për dijeni zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Në rastet kur ILDKP konstaton konflikt interesi në punën e zyrtarëve publik, i dërgon zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm një relacion përmbledhës në lidhje me konfliktin e konstatuar dhe zgjidhjen e tij, me qëllim që të vlerësohet nëse mund të regjistrohet procedim penal. Në rastet kur prokuroria është duke hetuar procedim penal me subjekt punonjës të administratës shtetërore, me kërkesë të drejtuesit të prokurorisë kompetente, ILDKP paraqet një kopje të dokumentacionit që disponon në lidhje me zyrtarin që është duke u hetuar, pavarësisht nga lloji i veprës penale që po hetohet. Në përfundim të hetimeve paraprake, drejtuesi i prokurorisë kompetente njofton me shkrim ILDKP dhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për mënyrën e përfundimit të procedimeve penale të regjistruara mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga ILDKP.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›