E Diel, 1 Nëntor 2026

Replikë në Kuvend ndërmjet të majtëve

LSI-ja nuk i ka kursyer as dje akuzat ndaj dy partive të mëdha PS-së dhe PD-së se po minojnë realizimin e reformës zgjedhore. Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka deklaruar dje se shkaktarë për mosmbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore kanë qenë dy partitë e mëdha, të cilave nuk iu intereson realizimi i saj sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Sipas tij, dy partitë kanë prodhuar një sistem të deformuar zgjedhor, i cili ka pjellë "Dushkun" e madh, "Dushkun" e vogël dhe deputetët e pavarur. Pjesë e akuzave të deputetit të LSI-së ka qenë dhe Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila sipas tyre ka mbyllur sytë para zvarritjeve të bëra nga PD-ja dhe PS-ja për komisionin e reformës, ndërkohë që trumbeton nëpër Evropë e botë sukseset e arritura nga Shqipëria në realizmin e reformave. Gjithashtu, Legisi ka kundërshtuar edhe iniciativën e PS-së për ndryshimet kushtetuese. Kjo iniciativë, tha ai, shmang komisionin e reformës zgjedhore. "Pakti i PS-së dhe PD-së, është një pakt i cili dhunon votën e lirë të shqiptarëve, është një pakt i cili do t‘i lërë sërish shqiptarët pa zgjedhje të lira", tha Legisi. Ne, theksoi ai më tej, nuk do të lejojmë që të votohet në Kuvend një pakt i tillë për reformën zgjedhore, pasi nuk do të pranojmë më dhunim të votës së lirë. Pretendimet e deputetit të LSI-së janë kundërshtuar nga bashkëkryetari i komisionit të reformës, deputeti i PS-së, Kastriot Islami. Ai ka ritheksuar edhe një herë deklaratat e tij dhe të kolegëve të tjerë socialistë se nuk ka asnjë pakt të fshehtë apo të hapur mes PS-së dhe PD-së për reformën zgjedhore.

Ai ka theksuar se ndryshimet në Kushtetutë për reformën zgjedhore do të jenë edhe plani i punës së komisionit parlamentar të reformës. Pas miratimit të sistemit të ri zgjedhor në Kushtetutë, ai do të kthehet në orientim për komisionin e reformës zgjedhore, i cili do të duhet ta përkthejë atë në Kodin Zgjedhor në të gjitha elementet më konkrete, është shprehur Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›