E Diel, 1 Nëntor 2026

T‘i besosh heshtjes

"Te Lulani ka shumë për të thënë. Në rrethana miqësore, shpesh i thosha që më ngjan me një jugor të mirë. Për artistët kanë shumë rëndësi modelet që zgjedh si rrjedhë e vetë identifikimit të tij". Kështu shkruan vetëm një vit pas ndarjes nga jeta të artistit Ismail Lulani, në vitin 2003, nxënësi i tij, piktori Vladimir Myrtezai. Duke folur për rolin që zënë artistët në kompozimin e një shoqërie, i prekur nga humbja, Myrtezai nxjerr nga kujtesa ato fjali që do të mund të ndërtonin si në një telajo portretin e mikut që tashmë nuk është më. "Në kompozimin e një shoqërie, artistët përbënin pjesën më të brishtë e më delikate në shoqëri, veçmas nga kategori të tjera të shoqërisë, ku me praninë dhe influencën e tyre do të veçonin pjacën e privilegjuar për të transmetuar e dhënë në mjedis një cilësi te re dhe të ndryshme nga rëndom jetojmë dita me ditë, një cilësi të jetuari në formë të veçantë në zgjedhje. Dhe këtë modelim e pata konstatuar te tre miqtë e mi artistë, në tri mënyra. Te Franc Ashiku shihja privilegjin e modelit nga ku prejardhja kulturore, mbijetesa e sofistikuar dhe forca e aplikimit për t‘u imponuar në një pamje aristokratike, që u shpërdor në një sistem të gabuar. Te Danish Jukni, atë tepri përmbajtjeje dhe filtrimi drejt të vërtetave të rëndësishme të përcaktuara qartë dhe me logjikë. Tek Ismail Lulani, një të vërtetë njerëzore të shqipëtuar thjesht dhe me vërtetësi modelin e eksperiencës jo aq të sofistikuar, por të drejtpërdrejtë të një karakteri plot volum", thotë Myrtezai. Si një dikush që ka ndarë orë të tëra bisede në tryeza me Lulanin, Myrtezai beson "se historia zgjat dhe me shoshën e saj do të lëçiten në radhë e gjithë kjo performancë deformimesh klasifikimesh të shtiruri a mosqëndresën, përkundër formës aktive të të qenit protagonist pa shkak impostues, gangsterë dhe të tjerë në kohë të pakryer, që zbuloi kjo rrënajë dhe në mungesë e në kohë jam i bindur që historia do të rilevojë nga pirgu i djegur i saj pjesë të buta e të heshtura të vlerave afruar". Është gjithnjë dikush që është udhëhequr nga gjërat që ti ke bërë në jetë, dhe ka besuar qoftë dhe në mënyrën e heshtjes tënde, ai që mund të përcaktojë më mirë portretin tënd. Ashtu si Myrtezai e bën këtë përcaktim në pak rreshta, i ngarkuar nga gjendja e humbjes, ajo gjendje që na bën të flasim ndoshta më hapur, duke besuar se pasi i kemi thënë të gjitha do ta gjejmë sërish mikun tonë të munguar…Dhe jo vetëm Myrtezai, por të gjithë ata që e njohën artistin me baluket e hedhura lehtë mbi ballë, besojnë se ai ka mbetur akoma aty. Jo vetëm në pikturat që gjenden në çdo apartament të këtyre miqve, Galerinë Kombëtare apo Galerinë e Shkodrës, a diku tjetër në Evropë, por dhe në ato copëza kujtimesh aq domethënës që ai ka lënë pas. Myrtezai ka të drejtë, për Lulanin ka shumë për të thënë. Dhe Ormira (e bija) mund të flasë gjatë, paçka se rrëfimi i saj mund të shoqërohet shpesh me përlotje. Lotët për të atin nuk mund të mbahen nga një bijë. Ne e takuam Ormirën dje në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare të Arteve teksa në mure po u jepej fund sistemimit të pikturave të ekspozitës "Retrospektivë", të piktorit Ismail Lulani, që do të hapej në mbrëmje. Vajza, që është një piktore gjithashtu, mund të flasë gjatë për secilën nga këto punë. Jo vetëm si një bijë për punët e të atit, por dhe me syrin e një artisteje që di të njohë ndjesitë e ngjyrave. "Kjo ekspozitë është iniciativa ime, me rastin e 75-vjetorit të lindjes së babait. Unë nuk kam shumë kohë që jam kthyer në Shqipëri dhe gjithnjë më ka mbetur si peng vdekja e tij, pasi nuk isha këtu kur ndodhi. Më kujtohet që ai dëshironte të hapte një ekspozitë të tillë me rastin e 70-vjetorit të lindjes, të mblidhte veprat e tij në vite, miqtë… por nuk mundi, pasi vdiq në moshën 69-vjeçare", thotë Ermira. Gjatë këtyre 6 viteve, ideja për të plotësuar këtë dëshirë të fundit të Lulanit e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës Ormirën. "Ishte e vetmja gjë që doja ta bëja patjetër. Fola me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe ata e mirëpritën kërkesën time. Kjo pasi punimet ishin dhe unë kam një koleksion të pasur të veprave të tij. Vepra të babait disponon edhe Galeria Kombëtare dhe Galeria e Shkodrës, dhe te to bëmë një përzgjedhje", thotë ajo. Përzgjedhja e veprave për këtë ekspozitë është bërë në mënyrë kronologjike. Fillon nga viti 1962, me një portret të hershëm të tijin, deri në penelatat e fundit që mbeten të pambaruara në vitin 2002. Por çfarë ndodh me këtë koleksion të pasur veprash të lënë nga një artist si Lulani? Cili do të jetë fati i tyre? Ormira thotë se kërkon që t‘i ruajë këto punë. Ideja e saj, të cilën shpreson ta realizojë në të ardhmen, është që të krijojë një galeri ose muze me emrin e tij. "Janë 150 piktura të tij, ai dhe një numër i madh vizatimesh. Kjo ishte dhe një nga arsyet përse unë vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të merrem me menaxhimin e punëve të tij, pasi mendoj se do të ishte e pafalshme për mua po të mos e bëja", thotë ajo. Por cila nga këto vepra të vendosura pranë njëra-tjetrës në sallën e galerisë, i pëlqen më shumë Ormirës? Te çdo vepër, sigurisht, ajo mund të gjejë diçka ndryshe nga një shikues i zakonshëm i këtyre pikturave, por "Kreshniku dhe Bajlozi" është një nga punët që ajo do të veçonte. Ka një ndjeshmëri në çdo tablo të realizuar nga Lulani, një lirizëm që i bën këto punë të ndjehen kaq vite më pas nga koha kur ai i realizoi. Në ekspozitë janë prezantuar edhe punët e fundit, të cilat ai nuk mundi t‘i çonte deri në fund, siç është portreti i "Plakut me celular", që ka mbetur pa firmën e tij. Por motivet e natyrës, temat lirike ndjehen kudo në këto vepra. Po le t‘i kthehemi sërish mënyrës sesi Myrtezai e percepton figurën e tij. Duke folur për Franc Ashikun, Danish Jukniun dhe Ismail Lulanin, ai thotë se ata besonin te modeli i heshtjes. Dhe heshtja ishte mënyra sesi mund të mbajë gjallë çdo gjë të vërtetë brenda teje në sistemin ku ndërtoi artin Lulani. "Ata besonin se modeli i heshtjes, si vlerë në veprim, qe ende në kandarin e shoqërisë së re të propozuar po si vlerës", thotë Myrtezai. Kaq vite më pas, ne mund ta zbërthejmë këtë heshtje nëpërmjet ngjyrave që ai ka ngjizur në telajo, nëpërmjet lirikës së pafund të atyre pikturave të vendosura në sallën e Galerisë Kombëtare të Arteve. Padyshim që Lulani është një nga përfaqësuesit e denjë të artit tonë të traditës dhe për pikturat e tij nuk mjafton një ekspozitë dhe aq një përvjetor për të folur. Lulani lindi në vitin 1933, në Tuz të Malit të Zi. Në vitin 1967, ai mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale. Puna e tij e diplomës "Ded Gjo Luli me trima" u vlerësua nga kritika e asaj periudhe. Pas një pune si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë ai kthehet në Shkodër, ku punon si profesor në Liceun Artistik të këtij qyteti, deri sa del si piktor i lirë. Lulani është një ndër themeluesit e degës së arteve vizive në Shkodër. Në vitin 1979, artisti merr titullin "Piktor i Merituar" dhe vetëm 10 vjet më vonë, ai vlerësohet me titullin "Piktor i Popullit". Ka titullin "Naim Frashëri i klasit të Parë". Në vitin 1999, në Bienalen e Romës për artet vizive, merr çmimin e dytë dhe i jepet medalja e argjendtë me tablonë "Ikja në Egjipt". Ai u nda nga jeta më 6 tetor të 2002-it, në qytetin ku kaloi jetën, në Shkodër. Pas vdekjes qyteti i Shkodrës e ka dekoruar me titullin "Krenaria e Shkodrës". Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), New York, Boston (USA), Toronto (Kanada), Athinë (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Beograd (Serbi), Podgoricë, Cetinë, Tivar, Ulqin (Mal i Zi), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi, Tunizi, Hungari, Irlandë, Romani, Belgjikë, duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›