E Diel, 1 Nëntor 2026

Astrofizikani i njohur, Stephen Hawking mbush sot 70 vjeç

Astrofizikani me famë botërore, Stephen Hawking mbush sot 70 vjeç, duke kapërcyer të gjitha parashikimet mjeksore. Shkencëtari britanik dhe autor i librit me titull "Një histori e shkurtër e kohës" mendohet të jetë një prej njerëzve që ka jetuar më gjatë me sëmundjen e neuroneve motorike, të qelizave që kontrollojnë lëvizjet e gjithë muskujve të organizmit dhe prek të folurën, frymëmarrjen, të ecurit, e çdo lëvizje tjetër të njeriut.

I admiruar nga presidentë, mbretër e mbretëresha, të rinj e të moshuar, të gjithë kanë dëshirë të takohen me të.Shkencëtarët e rinj janë po aq të entuziazmuar dhe të sfiduar nga teoritë e tij sa edhe akademikët më të vjetër e të njohur.

Në moshën 70 vjeçare, profesori Stephen Hawking është pa dyshim një prej shkencëtarëve më të njohur të botës. Ai ka zbuluar kodin e disa prej mistereve më të vështira të universit, por ka lënë për të tjerët që të shpjegojnë një mister të vetëm: Si ka arritur ai vetë të jetojë kaq gjatë me një sëmundje kaq të rëndë.

Simptomat e sëmundjes së neuroneve motorike filluan t`i shfaqeshin, ndërsa studjonte në Universitetin Cambridge.Profesorët dhe miqtë e cilësonin si një mendje të ndritur por jo një student të përkushtuar. Problemet me të ecurit dhe të folurin u përshkallëzuan aq shumë sa që ishte e pamundur të fshiheshin. Më në fund, mjekët e diagnostikuan dhe i thanë se nuk kishte më shumë se 2 vjet jetë.

Profesori Hawking u njoh për herë të parë në gjithë botën pas botimit të librit të tij më 1988 "Një histori e shkurtër e kohës" i cili u shit në 10 milion kopje. Ky libër thjeshtësoi kuptimin e përgjithshëm të universit dhe se si u krijua ai. Që prej atëhere, ai ka nxjerrë teori që kanë përmbysur plotësisht kuptimin tonë rreth vrimave të zeza. Falë punës së tij, fraza teoria e Big Bang-ut është bërë një idiomë e zakonshme.

Sëmundja e ndryshoi atë plotësisht. Me punë ai përpiqej t`i shpëtonte realitetit. Ata që e njohin profesorin thonë se një pjesë e suksesit të tij në vitet në vazhdim i atribuohet gruas së tij të parë, Jane Hawking. Ata ranë në dashuri dhe kjo i dha profesorit një arsye për të jetuar. Megjithatë, Jane nuk arriti ta bindte të shoqin që të fliste rreth sëmundjes dhe ndjenjave të tij. Hawking dhe Jane u ndanë dhe në vitin 1995 profesori u martua me ish infermjeren e tij, Elaine Mason, martesë që përfundoi gjithashtu në divorc.

Ky koleksion masiv ndërtesash moderne përbëjnë departamentin e matematikës të Universitetit Cambridge. Mes tyre është Qendra për Kozmologjinë Teorike e krijuar nga profesori Hawking dhe zyra e tij është ende atje.

Muret janë plot me fotografi me miqtë e tij të ngushtë dhe të njohur të famshëm. Në rafte janë vendosur shumë trofe të arritjeve të tij shkencore dhe krah tyre janë edhe figurat prej kartoni, që tregojnë paraqitjet e tij në programet e njohur televizivë Simpsons dhe Star Trek.

Tani ai komunikon vetëm me lëvizjen e syrit të djathtë. Një sensor i vogël me reze, i vendosur në syzet e tij dhe i lidhur me një kompjuter dikton impulset muskulare të syrit dhe bën përzgjedhjen e fjalëve në kompjutër përmes sistemit të eliminimit. Atij mund t’i duhet deri në 10 minuta për të dhënë një përgjigje të vetme.

Megjithatë kjo nuk e pengon profesorin të vazhdojë përpjekjet për suksese të tjera. Ai është ende në pritje që të arrijë një sukses tjetër, ashtu siç u tha të pranishmëve në qendrën e hapësirës Kennedy në Florida: "Unë mund të vazhdoj pa pushim. Hapësirë, edhe aty do të vij".
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›