Kuvend, pritet të shqyrtohet memorandumi mes MPB dhe FSK
Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kosovës do të mblidhet gjatë javës së ardhshme për të diskutuar rreth memorandumit të nënshkruar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e FSK-së. Pas përfundimit të shqyrtimeve dhe analizave, Komisioni pritet të dalë me përgjigjen përfundimtare nëse memorandumi është në pajtim me fushëveprimin e FSK-së.
Memorandumi i nënshkruar ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe atij të FSK-së, Agim Çeku, sërish do të analizohet nga ana e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Kryetari i këtij Komisioni, Ahmet Isufi, ka thënë se memorandumi i nënshkruar nga dy ministrat është i diskutueshëm për arsye se është kundërshtuar nga kryeministri dhe konsiderohet se ka disa lëshime që duhet të përmirësohen.
Ndërkaq, eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, thekson se nënshkrimi i këtij memorandumi është shumë i rëndësishëm sa i përket sigurisë së shtetit të Kosovës.