E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astronautët inspektojnë mburojën e jashtme të anijes “Atlantis”

Në ditën e tyre të parë në orbitë, astronautët në bordin e anijes amerikane të hapësirës Atlantis po inspektojnë mburojën e jashtme të anijes për ndonjë dëmtim që mund të ketë pësuar gjatë nisjes. Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, thotë se ekuipazhi po bën inspektimin në përgatitje për ankorimin me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës që është planifikuar për orët në vijim. NASA thotë se katër anëtarët e ekuipazhit po përdorin krahët robot të anijes dhe një kamerë për të parë nga afër pjesët e jashtme të anijes. Ekspertët e imazheve në tokë do të analizojnë të dhënat për t’u siguruar që mburoja është në gjendje të mirë. Ky lloj inspektimi është procedurë standarde, saktësojnë ekspertët. Në vitin 2003, anija e hapësirës Columbia u shkatërrua gjatë kthimit në atmosferën e Tokës për shkak të dëmtimit që mburoja kundër nxehtësisë kishte pësuar gjatë nisjes. Të premten, anija kozmike amerikane “Atlantis” nisi fluturimin e saj të fundit në hapësirë. Anija “Atlantis” u nis nga Qendra e Hapësirës Kenedi në shtetin jugor të Floridës. Ekuipazhi i saj prej katër personash, ka misionin për të dërguar furnizime, paisje dhe të kryejë disa eksperimente shkencore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës gjatë misionit 12-ditor. Misioni Atlantis do të jetë i 135-ti dhe i fundit i programit 30-vjeçar amerikan të anijes së hapësirës, i cili ka luajtur një rol të rëndëishëm në ndërtimin dhe funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. NASA thotë se po i jep fund misioneve të kësaj flote për t’u përqendruar tek eksplorimi i hapësirës më të largët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›